Madridi kërkon shpërbërjen e qeverisë rajonale të Katalonjës
Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy, në një lëvizje të ashpër dhe të pazakontë njoftoi sot se qeveria spanjolle ka vendosur shpërbërjen e qeverisë rajonale të Katalonjës, dobësimin e kompetencave të parlamentit të saj, si dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në vend. Vendimi i qeverisë spanjolle i marrë sot pas një mbledhjeje urgjente, duhet të miratohet nga Senati i vendit. Udhëheqësi i Katalonias Carles Puigdemont flet sot në mbrëmje pas lëvizjes së fundit të Madridit. Kryeministri Mariano Rajoy njoftoi sot se qeveria spanjolle ka vendosur të vazhdojë me zbatimin e nenit 155 të kushtetutës, për t’i hequr autonominë rajonit të Katalonias.
“Aktivizuam nenin 155, pasi asnjë qeveri, e përsëris, asnjë qeveri e një vendi demokratik nuk mund të pranojë që ligji të injorohet, që ligji të shkelet, dhe që ligji të ndryshohet për të imponuar vullnetin e tyre mbi të tjerët”, deklaroi Kryeministri Rajoy. Njoftimi i Kryeministri u bë pasi kabineti qeveritar spanjoll u mblodh sot në një takim urgjent për shkak të krizës politike të shkaktuar nga lëvizja për pavarësi e rajonit gjysmë autonom Katalonia.
Kryeministri qartësoi se vendimi i qeverisë synon rimarrjen nën kontroll të rajonit dhe vendosjen e rregullit. “Objektivat janë katër: rikthimi i ligjshmërisë, rikthimi tek normaliteti dhe bashkëekzistenca, vazhdimësia e rimëkëmbjes ekonomike, si dhe organizimi i zgjedhjeve. Që të rikthehet ligjshmëria, duhet rikthyer zbatimi i kushtetutës spanjolle dhe i statutit të autonomisë së Katalonias”, tha Kryeministri Rajoy.
Qeveria spanjolle do të kërkojë tashmë miratimin e Senatit të Spanjës për të shpërndarë qeverinë rajonale të Katalonjës, si dhe për mbajtjen e zgjedhjeve sa më shpejt të jetë e mundur. Vendimi u mor tri javë pasi që rajoni gjysmë autonom mbajti referendumin kundërthënës për pavarësinë, i cili u shpall i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese spanjolle.
Udhëheqësi i Katalonjës, Puigdemont, thotë se referendumi i ka dhënë mandatin që të çojë përpara pavarësinë e rajonit. Zoti Puidgemont, kishte shpallur simbolikisht pavarësinë, por duke e pezulluar atë në favor të bisedimeve me qeverinë ne Madrid. Votuesit në Katalonja mbështetën pavarësinë në referendumin e një tetorit, por më pak se gjysma e votuesve të regjistruar morën pjesë në referendumin të cilin qeveria e kryeministrit Rajoy e shpalli ta paligjshëm.