SHPGSH: Mbështetje për gazetaren Alida Tota
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë përgëzon kolegen Alida Tota që fitoi pjesërisht betejën e saj të parë juridike, pas largimit në mënyrë arbitrare nga puna në gusht të vitit 2016, për shkak të një investigimi televiziv në landfillin e Sharrës, ku humbi jetën 17 vjecari Ardit Gjoklaj, landfill që menaxhohet nga Bashkia e Tiranës. Gazetarja Tota, në atë kohë drejtore informacioni në A1 Neës, pretendtoi se vendimi për ndërprerjen e marrëdhënieve të saj të punës ishte marrë pas presioneve të ushtruara nga ana e kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, pas atij investigimi, transmetimi I të cilit u bllokua në atë media.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë kërkoi dhe realizoi pavarësisht pengesave nga deputetë të shumicës, një seancë dëgjimore në komisionin e mediave me kolegen Alida Tota, e mbështetur edhe nga gazetarë e përfaqësues të shoqërisë civile.
Gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile u bashkuan në një protestë para Bashkisë së Tiranës në mbrojtje të Alidës e kundër censurës në media.
Reagimi i Shoqatës së Gazetarëvë Profesionistë të Shqipërisë u mbështet nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve dhe Federate Europiane e Gazetarëve ndërsa rasti i Alidës gjeti vend në raporte ndërkombëtare.
Para pak ditësh, në betejën e parë në Gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë, u pranua kërkesa e detyrimit financiar të televizionit ndaj gazetares Tota, por jo fakti se ajo u shkarkua nga detyra pa ndonjë shkak të arsyeshëm.
Alida dhe avokati i saj do vazhdojnë të kërkojnë edhe në shkallët e tjera të gjyqësorit të drejtën për gazetari e fjalë të lire e kundër censurës.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë inkurajon dhe mbështet kolegen Alida Tota në këtë betejë ligjore dhe falenderon të gjithë kolegët dhe shoqërinë civile për solidaritetin e mbështetjen. Liria e medias është jetike për demokracinë.