Albspirit

Media/News/Publishing

Jeta TOÇILA: Gazetaria, si një kalë i kapur që shin lëmën

Kur një fëmijë qan në përpjekje për të sfiduar autoritetin e prindit, një prind i zgjuar do të përdorë strategji të zhvendosjes së vëmendjes ose shpërqëndrimit të fëmijës me një aktivitet tjetër, derisa të qetësohet e më pas të diskutohet për problemin fillestar. Kjo është teknikë e njohur në psikologji, e cila përshtatet edhe në fusha të tjera të menaxhimit të sjelljes njerëzore.

Pjesën thelbësore të kësaj teknike e përdorin shpesh strategët e politikës për të ushtruar kontrollin social, sigurisht përmes medias. Pushtetet vihen në shërbim ose në përdorim të njëri-tjetrit sa herë gjenden në nevojë. Në vendin tonë parimi se njëra dorë lan tjetrën funksionon gjithmonë. Këtu gjithë jeta është e organizuar në zinxhirin e marrëdhënieve personale më tepër se profesionale. Ndoshta për shkak se jemi vend i vogël ose për shkak të mentalitetit. Nëse dikush tenton të dalë nga ky zinxhir, do të humbë lidhjet me realitetin dhe do ndihet si peshku pa ujë. Njerëz të tillë gjenden mes dilemës së gëlltitjes së lugës me çorbën e prishur apo refuzimit. Hesapet nuk dalin mirë në të dyja rastet. Çdo zgjedhje ka kosto. Përballimi i kostove është sfida e përditshmërisë në çdo aspekt të jetës shqiptare. Edhe për gazetarët kështu është…

Gazetarët, nëse kanë zgjedhur ti përkasin një oborri apo kazani, është e pritshme të paguajnë taksën e pronësisë. Ata janë detyruar apo nënshtruar prej qindra arsyesh të bëjnë kompromise me politikën, pronarët e mediave nga ku marrin pagën apo biznesin. Ata, kalorësit e fjalës së lirë nuk janë të lirë, por janë viktima të nevojës, sistemit, tarafeve dhe shefave të tyre. Ka gazetarë që fshijnë me gomë kritikat ndaj x politikani, pasi ky i fundit i ka rregulluar dikë në punë. Dikush tjetër me laps të mprehtë, ka një kryeredaktor që ia redakton gjuhën e hidhur, i cili i njeh mirë direktivat e partisë. Ca të tjerë që i japin gojës, përjashtohen ose harrohen nga unionet gjasme të pavarura të medias së lirë. Për këta rrofshin mediat sociale! Të tjerë e njohin mirë gjuhën e biznesit dhe pazareve dhe vihen në shërbim me çdo mjet, print, audio dhe video, apo portale dhe madje mund të sillen edhe më rëndë se pronarët, duke promovuar narcizismin e tyre. Ndonjë tjetër mund të ketë mësuar me vite rrugët e sigurimit dhe përdorimit të informacionit sekret në vendin dhe kohën e duhur me efektivitet. Dikush është në tentativë të mësimit të profesionit dhe eksploron çdo variant sjelljeje e qëndrimi. Madje ka syresh që janë edhe në tentativë të mësimit të shkrimit e këndimit. Të tjerë shpallen si viktima të një beteje që nuk dinë ende nëse janë kuajt apo kalorësit në këtë skenar.

Kjo e fundit mbetet për tu parë….Nëse vëmendja e publikut do të arrijë të zhvendoset nga çështja Tahiri drejt përçudnimit të femrës në një spektakël televiziv apo vulgaritetit të kryeministrit, atëherë gazetaria është si ai kali i kapur që shin lëmën.

Please follow and like us: