A ishte takuar Oswald me oficerin e KGB-së para vrasjes së Kennedit?
Lirimi i dokumenteve sekrete të ndërlidhura me vrasjen e presidentit amerikan,John F. Kennedy, në vitin 1963, nga ana e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, e ka kthyer vëmendjen në kontaktet ndërmjet personit që ka shtënë kundër Kennedit,Lee Harvey Oswald, dhe oficerëve të inteligjencës sovjetike në Meksikë, dy muaj para vrasjes. Njëri prej këtyre oficerëve, Valery Kostikov, ishte identifikuar nga agjencia CIA, një ditë pas vrasjes së Kennedyt, si oficer i KGB-së, në një operacion që ka dyshime se ishte i udhëhequr nga departamenti i kësaj agjencie sovjetike të spiunimit, i cili ishte “përgjegjës për sabotim dhe vrasje”. Kontaktet e Lee Oswaldit me Kostikovin ishin të njohura edhe më parë dhe për një kohë të gjatë kanë shkaktuar spekulime se KGB-ja mund të ketë pasur dorë në vrasje. Por, takimi i tyre në Ambasadën sovjetike në Qytetin Meksikë, megjithatë ishte çështja më interesante për mediat ruse dhe ato perëndimore, pas lirimit të afro 3 mijë dokumenteve, më 26 tetor për vrasjen i presidentit të atëhershëm amerikan, John F. Kennedy. Por, lidhjet ndërmjet Kostikovit, i cili shërbente si nënkonsul në ambasadë, derisa Oswald pa sukses ishte përpjekur të marrë vizë ruse në shtator të vitit 1963, dhe departamentit të përmendurpër “vrasje” të KGB-së, duket se ende janë shumë larg nga dëshmimi, sipas dokumenteve në të cilat tash ka qasje publike, e që dikur ishin sekrete. Siç ka theksuar faqja amerikane në Internet, MuckRock, këtë javë, në një memorandum dërguar drejtorit të agjencisë CIA, në vitin 1964, drejtori i agjencisë amerikane FBI, J. Edgar Hoover, tha se dosjet e agjencisë “nuk përmbajnë çfarëdo informacioni për mbështetje të plotë” të vlerësimit të agjencisë CIA se Kostikov kishte punuar për këtë departament të KGB-së. Memorandumi i zotit Hoover, po ashtu, e citon një letër që FBI-ja e kishte marrë nga shefi kundër inteligjencës së CIA-s, në të cilën “nuk ka informacion për të indikuar se Kostikov ishte përfaqësues” i departamentit për vrasje i agjencisë sovjetike të spiunimit, KGB. Agjencia CIA në fillim të vitit 1964 pat thënë se kontakti i Lee Oswaldit me Kostikovin dhe oficerët e tjerë të KGB-së, të vendosur në qytetin e Meksikës me mbulesë diplomatike, “nuk ishte asgjë më tepër se koincidencë e vrazhdë”.
Kush ishte Valery Kostikov?
Ekziston mungesë e informacioneve në gjuhën ruse në Internet, por tash në dokumentet e liruara nga fshehtësia të agjencisë CIA, gjendet edhe biografia e personit Valery Kostikov. Ai ishte i lindur në vitin 1933 në Moskë dhe kishte studiuar për gjuhët e huaja ose për punët e jashtme në një institut në Moskë. Meqë e fliste shumë mirë gjuhën spanjolle, ai kishte shërbyer si përkthyes në ekspozita të ndryshme ndërkombëtare në Spanjë dhe kishte udhëtuar në Meksikë dhe Kubë, para se të caktohej me detyrë në Qytetin Meksikë. Në një memorandum të agjencisë CIA, që dikur ishte sekret, me datën 23 nëntor të vitit 1963, theksohet se sipas një telefonate të përgjuar në Meksikë, Lee Harvey Oswald ishte në Ambasadën sovjetike, më 28 shtator të vitit 1963. Oswald, që ishte kthyer në Shtetet e Bashkuara me bashkëshorten e tij sovjetike, pasi kishin jetuar në Minsk për dy vjet e gjysmë, prej vitit 1959, sipas të gjitha gjasave, me çdo kusht dëshironte vizë sovjetike për tu kthyer atje. Më 1 tetor 1963, Oswald e kishte thirrur me telefon ambasadën sovjetike “duke e identifikuar vetveten me emër dhe duke folur me gjuhë të dobët ruse”, me ç’rast ai tha se kishte folur me Kostikovin “dhe e kishte pyetur një rojtar, i cili ishte përgjigjur me telefon, nëse kishte diçka të re lidhur me telegramin në Uashington”. Vetë Kostikov, ishte cituar për bisedimin e tij me Lee Oswaldin, në një libër të shkruar nga ish-kolegu i tij, Oleg Nechiporenko, po ashtu, oficer i KGB-së, lidhur me vrasjen e presidentit Kennedy. Në një version të përditësuar në gjuhën ruse të këtij libri, Nechiporenko e ka cituar Kostikovin, që ka thënë se ai dhe kolegët e tij ishin të përgatitur për një ndeshje të volejbollit, kur në ambasadë ishte paraqitur Oswald, më 23 shtator të vitit 1963. Kostikov tha se Oswaldi “ishte shumë i zemëruar dhe kishte shpërthyer në histeri kur ishte përmendur agjencia FBI, duke qarë dhe me lot në sy, kishte thënë se frikësohem se ata do të më vrasin dhe më lejoni brenda”. Oswald e kishte nxjerrë revolen, duke thënë se e kishte për mbrojtje dhe e vuri atë në tavolinë para tyre, ka shkruar Nechiporenko duke e cituar Kostikovin. Një koleg i Kostikovit i kishte nxjerr plumbat prej revoles. Ata ia dhanë Oswaldit një gotë me ujë. Pas kësaj, ora “ishte 11 e mëngjesit dhe ne ishim vonuar për ndeshjen e volejbollit”, ka thënë Kostikov. Por, më tepër të dhëna për personin Kostikov pritet të ketë në faqen 167-të të dosjes së agjencisë CIA, që ende nuk është bërë publike./REL/