Ndahet nga jeta gazetarja Adelajda Xhamani, shkak arresti kardiak
Një lajm tragjik ka tronditur pak orë më parë botën e medias dhe jo vetëm. Në orët e para të mëngjesit të sotëm ka ndërruar jetë gazetarja e njohur e medias së kulturës Adela Xhamani, njofton televizioni ”Fax News”. Gazetarja ka ndërruar jetë në moshën 31-vjeçare si pasojë e një arresti kardiak rreth orës 4:00 të mëngjesit të sotëm. Ajo gjendej në banesë në momentin që ka ndodhur goditja fatale, ndërsa edhe pse 2 mikeshat e saj kanë njoftuar ambulancën, përpjekjet për ta sjellë në jetë kanë qenë jo me sukses. Adela iu bashkua nismës më të re televizive ‘’Fax News” që në datën 1 tetor në pozicionin e gazetares së kulturës dhe në 15 nëntor do fillonte emisioni i saj në këtë ekran ‘’Shtëpia e Adelës”. Më parë Xhamani ka qenë pjesë e ‘’Big Brother Albania 2”, mjaft orgjinale në atë që përfaqësonte në këtë show televiziv. Po ashtu ajo ka qenë kryeredaktore e suplementit ‘’Bluetooth” në ‘’Gazetën Shqiptare”, si dhe kryeredaktore e Revistës ‘’Who”. Adela ka lindur në qytetin e Kavajës, ndërsa në vitet e para të karrierës së saj ka qenë mësuese në qytet. Adela ka lënë pas dy prindërit e saj, si dhe motrën dhe vëllain të cilët jetojnë në Gjermani. Nëna e saj ndodhet në gjendje të fikti pas marrjes së lajmit. Fjalët janë të pakta për të shprehur dhimbjen në këto momente, po ‘’Fax News” dhe ‘’Shuplaka” shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen e Adelës, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur!