Albspirit

Media/News/Publishing

Përfundon Asambleja e NATO-s në Tiranë/ Miratohet unanimisht një deklaratë

Përfundon Asambleja e NATO-s në Tiranë/ Miratohet unanimisht një deklaratë

U mbyllën sot punimet tre ditore të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila u zhvillua në Tiranë.Në fund të diskutimeve, anëtarët e Asamblesë miratuan me unanimitet të një deklarate të përbashkët, e titulluar “Një Axhendë e përbashkët dhe Rezolutë për NATO-n në Samitin e Varshavës”.

Deklarata kërkon nga krerët e Aleancës të forcojnë mbrojtjen kolektive dhe parandaluese, të zhvillojnë një strategji gjithëpërfshirëse për promovimin e stabilitetit në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, të sigurojnë se të gjithë aleatët do të përmbushin objektivat e shpenzimeve ushtarake, si dhe të nxisin bashkëpunimin me Bashkimin Evropian.

Gjithashtu konsiderohet shumë e rëndësishëme ‘bashkimi dhe vendosmëria’ e vendeve anëtare të NATO-s në luftën kundër terrorizmit dhe në marrëdhëniet me Rusinë.

Për të përmbushur këto objektiva, krahas hartimit të strategjive, nevojitet dhe rritja e investimit për mbrojtjen. Barra për mbrojtjen dhe ndarja e saj mes vendeve anëtare është një çështje që duhet trajtuar nga Samiti i NATO-s në Varshavë, në muajin korrik”,  thuhet në deklaratë.

Në mbyllje të sesionit të AP-së në Tiranë, Presidenti i saj, Michael Turner falenderoi autoritetet shqiptare ‘për mikpritjen dhe për udhëtimin e mrekullueshëm’, sidomos personelin e parlamentit të Shqipërisë, vullnetarët e përkushtuar, dhe stafin e sigurisë, që punuan për ta kthyer këtë sesion në një sukses.

Kjo ishte hera e parë që Asambleja Parlamentare e Natos mblidhet në Shqipëri. Në takim morën pjesë rreth 260 parlamentarë nga 28 vende anëtare.

Please follow and like us: