Elisa Spiropali: Pushofsh në paqe Adelajdë
Ndarja e parakohshme nga jeta, e gazetares Adelajda Xhamani, ka bërë që njohësit e saj të shkruajnë me emocione për këtë humbje të madhe. Një prej tyre është edhe deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, e cila i ka dhënë një intervistë Adelës.
“Kam dhënë dhjetra intervista, por ky rrëfim i marrë butësisht dhe njerëzisht nga Adelajda Xhamani ka mbetur i preferuari im. E kujtoj si sot; u takuam në një kafe periferie dhe pimë nga një çaj mali. Sytë e mëdhenj i jepnin një rrezatim serioz dhe po aq zhbirilues. Me shumë gjasë ishte kjo arsyeja pse u ndjeva aq mirë për të folur aq gjatë. Në këto kohë shpërthimesh, zbulimesh, turfullimesh, zhveshjesh dhe sensacionesh mediatike, ku e vërteta bëhet shpesh kurban klikimesh, mungesa e saj ngjan edhe më trishtuese. Pushofsh në paqe Adelajdë! Ti ishe ndryshe”.