Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Gjika: Reflektim mbi librin “Revolta e Spaçit”, të studiuesit Bedri Blloshmi

 

Fotografia e Ndue Gjika

Sizifi në mitologjinë e lashtë është personi më finok dhe më pa skrupuj ndër të vdekshmit. Ngjarjet dhe ndodhitë e tij të shumta pasurojnë trashëgiminë mitike. Legjenda më e trajtuar është ajo e dënimit që i bënë perënditë: pas vdekjes Sizifin e çuan në ferr dhe i ngarkuan një punë sfilitëse, që të mos i sosej kurrë dhe të mos i mbetej asnjë çast i lirë për t’u menduar. Spaçi është përqasur thuajse nga gjithë ish-të burgosurit e tij si ferr për nga struktura natyrore dhe mundimet e hequra atje.

Spaçi është një vend në zgrip gjeografikisht, gjurmë trimërie shqiptare në historinë kundërosmane, resurs në ekonominë minerare shqiptare dhe një nga ish-kampet më sfilitës të dhunues ndaj mendimeve e qëndrimeve kundër sistemit komunist… Që nga viti 1968, kur miniera e piritit u hap dhe u caktua kamp dislokimi e pune për kundërshtarët më të rrezikshëm të sistemit të asaj kohe, Spaçi u kthye në ferr për pinjollët e familjeve fisnike shqiptare, intelektualët, artisët e gjithë atyre që donin liri, zhvillim, drejtësi dhe emancipim shoqëror. Atje lanë mundin dhe moshën më të mirë krijuese mijëra djem e burra vetëm e vetëm se sistemi komunist i konsideronte armiq të rrezikshëm ndaj sundimit arbitrar të tij. Mes këtyre mizorive ngrihet lart heroizmi i kryengritësve që, së paku për tri ditë, më 21-23 maj 1973, e mposhtën atë terrori. I dinin pasojat, por nuk u ndalën, e paguan me jetët e tyre: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj, djem nënash e bij trimërie të moshës nga 21 deri 31 vjeçare dhe u burgosën e u torturuan qindra të tjerë si dhe u ridënuan 8 nga më aktivët e tyre… Spaçi u rikthye edhe një herë arenë masakre nga komunistët si ajo e Qafë Valmirit të Mirditës, në gusht të viti 1949. Edhe ajo mori jetë të pafajshme, katër të varur, dhjetë të pushkatuar, qindra familje të internuara, nga dyert më të nderuara të asaj krahine.

Spaçi sot është histori. Ende sot e kësaj dite dëgjohet atje valëvitja e atij flamuri pa simbole komuniste të pikturuar mbi këllëfin e kuq të një jorgani… Ravijëzohen ende rrehet e trupave të Ulusi Pashollarit dhe Dashnor Kazazit (fq. 375-376) tek përshkuan truallin e vdekjes, telat me gjemba dhe breshëritë e plumbave për të liruar të burgosurit që mbaheshin mbyllur në birucat e izolimit. Dëgjohet ende jehona e thirrjeve fitimtare të atyre 1300 burrave të mbledhur bashkë që mposhtën frikën, poshtërimin dhe mjerimin që kishte prekur fundin e durimit njerëzor… duke kryer aktin historik më sublim për kohën. Dhe ashtu ata u kthyen në histori. Histori nuk do të thotë harresë. Histori do të thotë njohje, mendim për të bërë dallimin mes të keqes e së mirës historike, do të thotë analizë dhe deduksione, që gjëra të tilla t’i mbeten së shkuarës.

Por, “për fat të keq, – siç ka shkruar dr. i shkencave Sadik Bejko, Shqipëria e sotme, aq e zellshme në të keqen që shkoi, nuk po tregon asnjë ngut për t’u ndarë prej saj” (Libri “Vilsoni dhe Genci”, T., 2006, fq. 10).

Bedri Blloshmi është nga ata burra që i kanë rezistuar asgjësimit dhe po i rezistojnë asgjësë së përditësuar, të kthyer në ferr. Bashkë me shumë homologë të tij po e vazhdojnë misionin e tyre me penën dhe veprat e tyre. Duke mënjanuar fjalët mbi biografinë e tij familjare krejt të mirë, duhet ta pranojmë se kur trajtojmë kontributin e dhënë, kemi të bëjmë me një studiues shumë serioz e këmbëngulës, Sizif i ditëve të sotme që rreket të kapërcejë majën e indiferencës e mospërfilljes absurde… Me gjithë kufizimet e shkaktuara nga sistemi, pengesat ligjore e institucionale, ka marrë mundimin të shtyjë shkëmbin e rëndë të mundimit biblik deri në majën e ndriçimit, që shqiptarët pastaj të gdhendin mbi të monumentin e mëkatit e të pendimit. Por ai gurë ecën sa ecën shpatit përpjetë, pastaj rrokulliset e bie sërish në hon sepse jemi ne, Shoqëria Shqiptare që nuk ua japim dorën e munguar. Mjafton të kujtojmë sorollatjet mbi njëzet vjeçare të asaj shtrese nëpër gjykata për dosjet, një ndër gurët e rëndë e poshtërues për ta… Megjithatë Bedri Blloshmi dhe homologët e tij, nuk kanë hequr e as do të heqin dorë nga ky kontribut delikat e jetëdhënës për një popull që do të emancipohet. E vërteta është se ata janë dy herë të tradhtuar. Herën e parë kur ata bënë kryengritjen, nuk u ndje asnjë intelektual, shkrimtar apo gazetar shqiptar t’ua çonte zërin dhe fjalën e tyre Europës, OKB-së dhe qarqeve të tjera ndërkombëtare; të tradhtuar janë dhe sot nga mos garantimi i trajtimeve dhe vlerësimit të merituar që ua garantojnë ligjet shqiptare e ndërkombëtare, zvarritjet dhe mospërmbushja e të cilave nuk kanë asnjë justifikim të përligjur.

 

Kohë më parë, tek bisedonim me Bedriun e pyeta: “Ku e ke pirë kafen më të shijshme, o Bedri?” Ai, duke e kuptuar lojën time, më përgjigjet i ngrysur: “Atje ku nuk do të doja të shihja asnjë njeri, në Kampin e Spaçit”. Më vuri në mendime dhe pastaj ramë dakord se komforti më i mirë është shpirti njerëzor. “Nuk na lejohej të flisnin për revoltën e Spaçit. Por ne e jetonin atë revoltë, se na përcillej me të gjitha detajet edhe ne që u burgosëm më vonë “jemi në tetor 1977, – saktëson autori për veten e tij “…bisedoja me shumë të ridënuar në këtë revoltë… me Murat Martën, që e kisha nga fshati, Mersin Vlashin, i cili kishte pikturuar shqiponjën mbi flamurin e kryengritjes… me Qemal Demirin, Luan Kokën, Luan Burimin, e plot të tjerë” (Libri fq. 8). Atje edhe vendet, edhe objektet, edhe heshtja vetë, fliste. Edhe ne arrinim ta kuptonim e ta jetonim atë që kishte ndodhur aty. Si në ato ditë nuk ka pasur kurrë më tepër ëndrra, mendime, shpresa dhe guxim njerëzor. Ishin “mû” në zjarrin e ferrit, në grackën më të sofistikuar që krimi mund të ndërtonte. Aty ishte mbjellë frika, uria dhe mundimi që nuk ia linin asnjë çast mendjes së të dënuarve të reflektonin, asnjë çast muskujve për t’u çlodhur… Ua kishin rrëmbyer trupin dhe shpirtin. Koha ishte thjeshtë një nocion i zi. Shpresa përpëlitej si një shpend i kapur në grackë, as e vdekur as e gjallë. Me gjithë këto ajo revoltë ishte mbjellë në shpirtin dhe shpresat tona, për t’u ringjallur në majin e vitit 1984 në Kampin e Qafë-Barit. Edhe në këtë rast sistemi komunist e vuri në plumb Sokol Sokolin e Tom Ndojën dhe ridënoi 12 burra trimërie.

Libri, është nga më të vlefshmit. Revolta e Spaçit hetohet përmes të burgosurve edhe personelit të shërbimit. Nga gjithë kjo shoshitje kuptohet që revolta nuk ishte punë polici, supe të prishur apo sebepe rastësie… Ajo ishte pjesë e atij thelbi njerëzor që nuk mund të preket kurrë se qysh. A ishte e menduar, e parapërgatitur dhe e planifikuar ajo revoltë? Në relacionin e Komitetit të Partisë Mirditë drejtuar Komitetit Qendror të PPSH me 24 maj 1973 pohohet se, “kishim të bënim me një revoltë të organizuar thellësisht politike kundër revolucionare” (fq. 357). A nisi apo u bë e tillë? Thelbi është tejkalimi i çdo limiti mundimi dhe poshtërimi i qenieve njerëzore e për rrjedhojë kundërpërgjigja ishte domosdoshmëri e pa shmangshme. Gjatë gjithë kohës kemi qëndrim të organizuar për të arritur maksimumin e asaj që po ndodhte; siç ishte lirimi i atyre që mbaheshin të mbyllur në izolim, përgatitja e flamurit, parullat (fq. 357), mbajtja gjallë e frymës kryengritëse, kurajës dhe njësimi i gjithë të burgosurve në një unitet (fq. 375-381). Këto janë të mjaftueshme për të kapërcyer rastësinë e për të formatuar koshiencën dhe veprimet e programuara. Libri është një dosje e hapur që historianët, studiuesit dhe brezat do ta kenë ndër duar, për të ekzaminuar me saktësi këtë moment kulmor të historisë dhe karakterin vetëmohues që ka shpalosur shqiptari pa ndërprerë gjatë shekujve në çaste të tilla të ngjashme.

 

Për revoltën e Spaçit janë shkruar plot libra, libra shumë të mirë, të gjinive dhe zhanreve të ndryshme. Ato, sigurisht që janë kontribute, vlera që meritojnë vëmendje e vlerësimet më serioze. Po çfarë vendi zënë ato në bazamentin e kulturës shqiptare? A ekziston një mendim shkencor e estetik i përgatitur e i pavarur për ta vënë mbi baza të vërteta historike e akademike këtë proces, që kalon nëpër disa pika kulmore historike: Postribë, Mirditë, Zhapokikë, Spaç e Qafë-Bari? Deri tani përpjekjet kanë rezultuar në disa ishuj apo shkëmbinj të veçuar nëpër ujin e harresës e injorimit… Institucionet e specializuara përgjegjëse, e sidomos ato të organizimeve të të ish-burgosurve e të përndjekurve politikë, duhet të forcojnë pavarësinë e tyre e jo të kthehen në bisht autoriteti partiak ose shtetëror. Institucionet e pavarura drejtpeshojnë shoqëritë e emancipuara. Laboratorët në mjekësi ngrihen jo për të mbuluar krimet e mjekut, por për të zbuluar shkaqet e fshehura të sëmundjeve dhe gabimet e mjekut kur ka të tilla. Vetëm në Shqipëri ngulmohet te psikoza e “rrezikut komunist”, ku komunisti i tregon ish-të burgosurit politik e të përndjekurit sa i rrezikshëm është komunizmi, në vend që të ndërtohet shteti, të zbatohen ligjet e të bëhen institucionet funksionale, që janë garancia e vërtetë për sistemin demokratik. Shkenca nuk është kult, as përjashtim, as fe, as paragjykim. Shkenca është portë e hapur, vizion dhe përgjegjësi që këput zinxhirët e mendjeve malinje, interesave dhe korrupsioneve shkatërruese. Ajo është kundër ferrit e mundimit të sizifëve. Shkenca është mëma e vlerave të vështira e të larta siç ishte shembulli i atyre burrave që bënë atë revoltë, që e tunden me themele diktaturën komuniste, atyre që u vranë e u sakrifikuan duke ngjallur nderin dhe krenarinë tonë në vazhdën më të ndritur të historisë shqiptare.

 

Korrik 2015

Please follow and like us: