Shqetësimi amerikan për modelin serb të “dy karrigeve”
Shaban Murati
SHBA ndërmorën një hap të fortë diplomatik ndaj Beogradit, duke i drejtuar mesazhin diplomatik dhe publik se Serbia nuk mund të vazhdojë më lojën e dyfishtë të dashurisë edhe me BE, edhe me Rusinë. Në datën 23 tetor në Beograd zëvëndësndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështjet europiane, Hoyt Bryan Yee, në samitin ekonomik serb në mënyrë publike, dhe në datën 24 tetor në bisedimet zyrtare me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shprehu me forcë qëndrimin e SHBA se “Serbia nuk mund të rrijë me një këmbë në rrugën drejt BE dhe me këmbën tjetër në aleancën me Rusinë. Serbia nuk mund të rrijë në dy karrige”. Është një mesazh i fortë zyrtar, i cili ka rëndësi të veçantë në raportet dhe në politikën e jashtme të Serbisë ndaj BE, ndaj Rusisë dhe ndaj rajonit.
Hapi i fortë amerikan tregon se Serbia e ka mbushur kupën dhe se ka ardhur koha që Perëndimi t’i vendosë asaj piketa të qarta se në cilin drejtim strategjik do të shkojë. Vrapi i qeverisë dhe i diplomacisë serbe drejt aleancës dhe lidhjeve të posaçme me Rusinë ka shtyrë diplomacinë amerikane të gjykojë se tani duhet folur prerazi me Serbinë. Alibia e çuditshme e diplomacisë europiane se duke toleruar Serbinë të lidhet ngushtë me Rusinë e mbajmë atë larg nga Rusia, nuk shërbeu për asgjë, veçse për të mbuluar nivelet e rrezikshme të aleancës serbo-ruse. Në mënyrë të veçantë loja bizantine e Serbisë, duke forcuar aleancën me Rusinë dhe duke u shtirë sikur po shkon në BE, po merr përmasa dëmprurëse për interesat atlantike dhe europiane në Ballkan.
Përfaqësuesi i departamentit të shtetit i paraqiti zyrtarisht presidentit serb shqetësimet amerikane për bazën ushtarake ruse në Nish dhe për projektin qeveritar serb për t’i akorduar imunitet diplomatik personelit ushtarak rus të kësaj baze. Ai i kërkoi presidentit serb të njohë Kosovën dhe të ndërpresë mbështetjen për udhëheqjen separatiste dhe proruse të të ashtuquajturës “Serpska Republika”, dhe në mënyrë të veçantë i tërhoqi vëmendjen presidentit serb se Serbia po luan për interesat e Rusisë në rajon. Kaq e fortë ishte ndërhyrja amerikane lidhur me këtë situatë, sa që presidenca serbe në komunikatën e saj të datës 25 tetor për bisedimet Hoyt Brian Yee-Vuçiç theksonte se diplomati amerikan “Shprehu, gjithashtu, shqetësimin për influencën ruse në rajon”.
Është e kuptueshme se loja e rrezikshme serbe e “dy karrigeve” i ka shërbyer dhe i shërben strategjisë dhe interesave të ndërhyrjes dhe ndikimit rus në Ballkan dhe jo europianizimit të Serbisë apo përgatitjes së saj për anëtarësim në BE. Serbia po bëhet gjithnjë e më ruse. Ndërhyrja ruse në rajon po forcohet dhe ajo po merr forma gjithnjë e më të sofistikuara. Është një dinamikë negative për të cilën duhet të bëhen të ndërgjegjshme qeveritë dhe diplomacitë e vendeve të rajonit dhe të vendeve të tjera europiane. Në datën 20 tetor ministrat e Jashtëm të 8 shteteve europiane, të Kroacisë, të Suedisë, të Polonisë, të Britanisë së Madhe, të Letonisë, të Lituanisë, të Çekisë dhe të Rumanisë, i dërguan një letër të përbashkët shefes së politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të BE, Federicca Mogherini, për të ndërmarrë masa të forta në përballimin e propagandës dezinformuese ruse në drejtim të vendeve të BE.
Në Ballkan Serbia është shndërruar në një instrument kryesor të ndërhyrjes ruse në punët e brendshme të vendeve të rajonit dhe për shtrirjen e influencës ruse. Serbia ka zgjedhur të ndjekë dhe të propagandojë modelin e saj të “dy karrigeve” si një rrugë për të realizuar ambicien e saj të hegjemonisë në rajon. Realisht Serbia ka qëndruar në karrigen ruse, ndërsa karrigen europiane e ka përdorur dhe e përdor si mbulesë për rusizimin e saj politik, ushtarak dhe gjenetik.
Është e nevojshme të theksohet këtu fakti se një pjesë të fajit për modelin serb të “dy karrigeve” e ka vetë BE. Ne kemi theksuar vazhdimisht ndër vite në analizat tona se BE ka ndjekur një politikë të standardeve të dyfishta për integrimin në Ballkan. Për Serbinë ka bërë lëshime dhe indulgjenca të pajustifikueshme në procesin e integrimit të saj europian. BE i dha Serbisë MSA-në pa plotësuar kriteret, në një kohë që Beogradi ia hodhi poshtë dhe refuzoi ta nënshkruante. BE nuk ka folur asnjë fjalë për ardhjen në pushtet në Beograd të garniturës së Millosheviçit në pesë vitet e fundit. Nuk ka folur për mbrojtjen që Beogradi po i bën kriminelëve ndërkombëtarë të luftës dhe promovimin e tyre shtetëror e zyrtar, duke i emëruar profesorë në Akademinë Ushtarake serbe, veprim që Hoyt Yee e kritikoi ashpër publikisht në Beograd. BE nuk ka folur për bazën ushtarake ruse në Nish të përuruar në vitin 2011 dhe as për armatosjen e ethshme që Rusia po i bën Serbisë, ku vetëm në muajin tetor erdhën në Serbi gjashtë avionë gjuajtës MIG-29, dhuratë e Moskës. Nuk ka folur BE as për manovrat e përbashkëta ushtarake ruso-serbe në Serbi dhe përgatitjen e forcave desante ruse për ndërhyrje në Ballkan. Nuk ka folur për blerjet e raketave ruse nga Serbia dhe as për marrjen e statusit të shtetit vëzhgues prej saj në Asamblenë Parlamentare të bllokut ushtarak rus CSTO. Nuk ka folur BE për ndërhyrjen e përbashkët dhe organizimin ruso-serb të përpjekjes për grusht shteti në tetor të vitit të kaluar në Mal të Zi dhe as për ndërhyrjen e përbashkët ruso-serbe në krizën politike maqedonase vitin e kaluar. Serbia nuk pati asnjë sanksion nga Brukseli për refuzimin e saj për t’iu bashkuar sanksioneve europiane ndaj Rusisë. Heshtja e BE përballë shndërrimit të një shteti kandidat, Serbisë, në një instrument të strategjisë antieuroatlantike të Rusisë në Ballkan natyrisht është interpretuar nga Beogradi si leje-kalimi dhe kjo e ka inkurajuar Serbinë në shpejtimin e ritmeve të aleancës së saj me Rusinë.
Serbia e mbushi kupën e durimit dhe të kortezisë diplomatike të SHBA. Mendimi im është se qëndrimi i fortë i qeverisë amerikane i shprehur nga Hoyt Yee në Beograd mund të lexohet edhe si një vërejtje indirekte për diplomacinë e BE, sidomos për disa segmente të saj, të cilat për arsye të ndryshme janë vetë për politika të buta ndaj Rusisë, pavarësisht nga kriza ukrainase dhe aneksimi i dhunshëm i Krimesë.
Modeli serb i qëndrimit në “dy karrige” është toleruar tej çdo kufiri nga diplomacia e BE. Por ai është një model shqetësues diplomatik, sepse pranimi i sindromës së “dy karrigeve” do të thotë që të krijosh precedentin për përhapjen e kësaj sindrome. Nuk është rastësi që modelin e “dy karrigeve” e shohim sot të aplikohet në Hungari, në Sllovaki, në Greqi, në Qipro, etj.
Lëvizja e diplomacisë amerikane në Beograd është një lëvizje e duhur dhe pozitive për gjithë rajonin tonë. Ajo demonstron jo thjesht shqetësimin, por edhe angazhimin e qeverisë të presidentit Trump për të mos lejuar fragmentarizimin e interesave euroatlantike në Ballkan. Në këto situata bëhet akoma më e rëndësishme për Shqipërinë që të kuptojë thelbin e zhvillimeve dhe të mos bëhet pre e lojërave të fshehta bizantine të Serbisë. Derisa SHBA vë në dyshim orientimin europian të Serbisë, Shqipëria duhet ta ketë dy herë më të madh dyshimin. Shqipëria ka një rol të madh për të lozur në mbrojtje të interesave atlantike dhe europiane në rajonin tonë. Ky rol kërkon që alarmi amerikan për modelin serb të “dy karrigeve” të kthjellojë Tiranën për dinamikën reale të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë.
Shteti shqiptar nuk është i imunizuar nga përpjekjet ruse për të neutralizuar Shqipërinë si faktor në rajon. Ka një përputhje interesash strategjike të Rusisë me Serbinë për të mos lënë Shqipërinë dhe Kosovën dhe kombin shqiptar të jenë faktor i interesave perëndimore. Diplomacia ruse dhe serbe janë përpjekur t’i këshillojnë Tiranës dobitë e modelit të “dy karrigeve” dhe të krijojë një marrëdhënie specifike me Moskën.
Në këtë drejtim synon ta drejtojë politikën shqiptare propaganda dhe influenca ideologjike ruse në Shqipëri. Shenjë e hidhur e influencës së lobit rus është fakti që rrjetet mediatike dhe sociale shqiptare e bojkotuan letrën e 8 ministrave të Jashtëm të vendeve të BE për një kundërvënie ndaj dezinformacionit të propagandës ruse. Është identike me çka ndodhi edhe në 23 nëntor 2016 me rezolutën e Parlamentit Europian për masat ndaj depërtimit të propagandës dhe dezinformacionit të propagandës ruse në vendet e Europës dhe të cilën rrjetet mediatike shqiptare e injoruan. Dëshmi e ndikimit dhe e veprimit të lobit rus në Tiranë ishte ai antiamerikanizëm rural, që u shfaq nga opozita gjatë krizës politike në pranverën e këtij viti dhe ku u arrit deri sa të thirreshin për ndihmë specialistët rusë të trazirave sociale. Këto janë shenja të qarta të sponsorizimit dhe ndikimit të lobit rus, që synon të krijojë klimën e penetrimit rus në Shqipëri. Rusia po tenton të blejë vetë ose përmes një shteti të tretë dy objekte të rëndësishme në Shqipëri, njeri në mes të Tiranës dhe tjetri në mes të detit. Përkrahësit e sponsorizuar shqiptarë të modelit serb të “dy karrigeve” vazhdojnë leksionet për dobitë e investimeve dhe të lidhjeve ruse, duke krijuar tym rreth zyrave shtetërore, të cilat për fat të keq i mbajnë afër sirenat serbe dhe ruse. Shqipëria duhet të përcaktojë qartë me kë po bashkëpunon: me Serbinë e Rusisë apo me Serbinë e BE.
Serbia reale është ajo për të cilën shpreh shqetësim Amerika dhe këtë nuk duhet ta harrojnë për asnjë moment as qeveria, as diplomacia dhe as partitë politike shqiptare./Gsh/