Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Blloshmi: Dosja e tmerrshme e të vrarëve në kufi dhe që familjarët nuk kanë ende eshtrat e tyre

Komunizmi ka funksionuar në Shqipëri deri në vitet ‘90, ku shërbimi sekret i drejtuar prej tij ka eliminuar afro 100 të rinj në pika të ndryshme kufitare të vendit, teksa tentonin të kalonin kufirin. Ndryshimi i ligjit për kalimin e paligjshëm të kufirit më 8 maj 1990 nga ish-presidenti Ramiz Alia, duket se ka qenë një farsë, pasi urdhri i vërtetë përtej këtij ndryshimi ka qenë eliminimi, për çdo person që do të shkelte kufirin.

  1. Muharrem Velaj është vrarë në kufi më datën 17.7.1990 në Gjirokastër në Postën e Radatit. Kufoma e tij është varrosur aty ku u vra.

Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme: Qemal Lame

2. Më datën 24.6.1990 është vrarë Thoma Bato në pikën kufitare Kakavijë të Gjirokastrës. Kufoma e tij është varrosur në vendin ku u vra duke mos iu dhënë familjes. Thoma Bato lindi në fshatin Bodrishtë (kombësi greke, shtetësi shqiptare).

Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme: Qemal Lame

3. Vrasja e Muhamet Nurjes dhe Artan Cemi me 17.06.1990 në orën 4:00 ne postën e Arrëzës në rrethin e Korçës është vrarë Muhamet Ramazan Nurje 24 vjeç nga Tirana (lagjia nr.1). Artan Cemi lagjia nr.1 nga Tirana. Këta janë varrosur në afërsi të Fshatit Arrëz dhe kufomat nuk u janë dhënë familjarëve.

Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme: Qemal Lame

4. Në datën 1.04.1990 në postën kufitare Zminec në rrethin e Sarandës është vrarë Përparim Pashako i datëlindjes 1958 shofer në Parkun e Turizmit Tiranë, banues në lagjien 10. Kufoma e tij është varrosur në Sarandë.

Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme: Qemal Lame.

 

Rrethet ku janë kryer vrasjet

ERSEKA

-Më darë 2.2.1990, rreth orës 24:00, njësiti i shërbimit i postës kufitare Rehovë, në rajonin e piramidës 6, kuadrati 6776, ra në përpjekje të tre shkelësve kufiri nga brenda jashtë. Si rezultat i zjarrit të njësitit mbeti i vrarë Ilirjan Ismail Zari, vjeç 30, banues në Tiranë, roje në depon e armatimit të çetës vullnetare Kinostudio. Dy shkelësit e tjerë u kthyen në thellësi të tokës sonë. Si rezultat i masave në orën 05:00, të datës 3.2.90 u kap Agim Ismail Zari, vëllai i të vrarit. Vazhdon kërkimi për kapjen e të tretit, i cili është Ylli Qemal Keti, me origjinë nga Kolonja dhe banues në Tiranë, martuar me motrën e dy shkelësve të mësipërm.

Më datën 10.6.1990 u ndalua Irfan Sali Liçi, vjeç 27, banues në Pojan të Korçës, kooperativist, për arsye se karakteristikat e tij të jashtme janë të njëshme me shkelësin e kufirit që u largua në drejtim të paditur në përpjekje me njësitin kufitar të postës Shelegur. Në përpjekjen e orës 8:00, më 10.6.90 u vra në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Fatmir Ismail Duro, vjeç 25, banues në Orman, Pojan i Korçës.

 

SHKODRA

Më datën 14.6.1990, në postën kufitare të Hanit të Hotit, nga kontrolli i kryer në pengesën klon, u konstatua një gropë dhe një granatë dore luftarake. U njoftua posta kufitare e cila nisi njësitin e kontrollit së bashku me qenin kërkues, të cilët ranë në përpjekje me shkelësit e kufirit me drejtim nga brenda jashtë. Njësiti bëri paralajmërim duke qëlluar me armë në ajër, për shkak se nuk u ndalën, qëlloi në drejtim të tyre duke vrarë Pëllumb Pëllumbin nga Shkodra, i pa zënë në punë, ndërsa në orën 01:50, të datës 15.6.90 u kap shkelësi tjetër Marjan Zef Ndoja, nga Shkodra. Vazhdon bllokimi i kësaj zone.

 

Më datën 12.6.1990, në postën kufitare Zogaj u asgjësua në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Nin Rok Hoti, vjeç 25, rrobaqepës, banues në Shkodër.

Më datën 18.7 1990, realizuan kalimin e paligjshëm të kufirit në sektorin e postës kufitare Reç Frederik Kol Petraqi, vjeç 25, punëtor dhe Mark Noc Çuçia, vjeç 25, punëtor në peshkim.

Më datën 18.7.1990, u kapën në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit në sektorin e postës kufitare Reç Rakip Myftari.

 

POGRADECI

Më datën 17.7.1990, në sektorin e postës kufitare Peshkëpi, nga njësiti i kontrollit u kap në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Artan Ahmet Kushi, vjeç 16, banues në Elbasan, nxënës, i cili u ndalua.

GJIROKASTRA

Në datën 17.7.1990, ora 11:45, në sektorin e postës kufitare Radat në tentativë për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, u kapën dy persona dhe u vra një tjetër: Arjanit Ali Vashaj, vjeç 27, shofer, Shkëlqim Avni Deçaj, vjeç 27, banues në Vlorë, punëtor, të cilët u ndaluan, Muharem Fejzo Velaj, vjeç 25, banues në Klos Mallakastër Fier, kooperativist, i cili u vra nga njësiti pas zbatimit të kërkesave të rregullores për kapjen e tij të gjallë.

 

KORÇA

Më datën 18.7.1990, në sektorin e postës kufitare Ponçarë, njësiti i shërbimit në orën 03:05 ra në përpjekje me shkelësit e kufirit Nardi Kujtim Ravolli e Osman Xhakolli, të cilët tentuan t’i merrnin armët njësitit të shërbimit dhe pastaj të realizonin kalimin e kufirit. Njësiti i shërbimit asgjësoi Osmanin dhe plagosi rëndë Nardin.

 

Ligji nr. 7380: Kalimi i paligjshëm i kufijve të shtetit
Kalimi i paligjshëm i kufijve të shtetit dënohet:
“Me riedukim nëpërmjet punës, ose me heqje të lirisë gjer në pesë vjet” 10 nenet 40, 41, 42, 17 (shkronjat “dh” e “gj”) dhe neni 59 shfuqizohen
Neni2
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë
Tiranë, më 8.5.1990
Sekretari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, të RPSSH Sihat Tozaj
Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSSH Ramiz Alia

Please follow and like us: