Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptarët, rekord për Green Card në SHBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vijojnë të mbeten vendi i ëndrrave të mijërave shqiptarëve, që nuk heqin dorë vit pas viti nga lotaria që të mundëson të fillosh një jetë të re në kontinentin e largët. Shifrat tregojnë se shqiptarët shënojnë rekord në Europë për marrjen e lejeve të përhershme të banimit. Instituti i Politikave të Migrimit në SHBA ka përditësuar të dhënat për fluksin e lejeve të reja të përhershme të banimit (green card) për të gjithë vendet e botës, nga periudha 1999-2015.
Për Shqipërinë, që nga viti 1999 kanë marrë gjithsej leje të përhershme të banimit 77,618 persona, ku numri më i lartë është shënuar në vitin 2006, me 7,916 persona dhe më i ulëti në 2003-n, me 3,362. Pas vitit 2013 shihet se ka sërish një rritje të numrit të shqiptarëve që kanë marrë ‘green card’, për të arritur në 4,653 në 2015-n.
Instituti i Politikave të Migrimit sqaron se të dhënat përfshijnë personat që kanë marrë leje ligjore të përhershme të banimit në vitin e dhënë fiskal, pavarësisht nga data aktuale e mbërritjes së tyre.


Monitor ka përpunuar të dhënat e Institutit të Politikave të Migrimit për dekadën e fundit (2005-2015) për të gjitha shtetet e Europës. Nga të dhënat e përpunuara rezulton se në një dekadë, kanë marrë Green Card në SHBA rreth 54 mijë shqiptarë, duke u renditur në vlerë absolute në vend të gjashtë, pas Mbretërisë së Bashkuar, Ukrainës, Federatës Ruse, Polonisë dhe Gjermanisë.
Por, duke pasur parasysh që shtetet e sipërpërmendura kanë një popullsi shumë herë më të lartë sesa të Shqipërisë, vendi ynë mban rekord në numrin e Green Card të përfituara në dekadën e fundit, në raport me madhësinë relative. Përfituesit shqiptarë të lejeve të përhershme të qëndrimit në shtetin e ëndrrave në gjithë dekadën e fundit përbënin 1.85% të totalit të popullsisë, që kishte Shqipëria në 2015-n. Kjo përqindje është shumë më e lartë sesa e vendit të dytë që renditen pas nesh, atij të Bosnjë Hercegovinës, me 0.7%. Bosnja ka pasur një fluks të lartë të marrjes së Green Card deri në vitin 2005, kur shteti boshnjak po merrte veten nga pasojat e luftës shkatërrimtare, më pas kërkesa ka rënë, për të arritur në vetëm 860 në 2015-n.
Në rajon Shqipëria kryeson dukshëm për numrin e green card që merren çdo vit. Në 2015-n maqedonasit morën 1060 lekë, malazezët 251, serbët 866, shtetasit nga Kosova 814./Monitor/

Please follow and like us: