Drejtori i AMF bleu Benz 92 milionë lekë, tek klienti i tij Kastrati në konflikt interesi
Ish- deputeti socialist, aktualisht drejtori i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare (AMF) Ervin Koçi ka blerë për një shumë që shkon në 92 milionë lekë të vjetra një makinë Mercedes, tek konçensionari i kësaj firme, me të cilin në fakt është në konflikt interesi, sikurse bën me dije Tpz.al, që publikon lajmin.
Portali shkruan se disponon dokumentat e një tenderi që ka bërë institucioni i AMF-së, me firmën e Ervin Koçit.
Sipas tyre, është hapur një procedurë “blerje automjeti për titullar të AMF” me fond 7.933.334 lekë pa TVSH. Tenderi u bë më 13 nëntor 2017 dhe kriter ishte çmimi më i ulët, por në garë konkurroi vetëm koncesionari i Mercedes-Benz, që kontrollohet nga ‘Auto Star Albania sh.a’, shkruan portali.
“Njoftojmë se, ka qenë pjesëmarrës në procedurë vetëm një ofertues me vlerën përkatëse: Operatori ekonomik ‘Auto Star Albania sh.a.’, vlera 7.666.666 lekë pa TVSH” thuhet në dokument.
Duke përllogaritur edhe TVSH-në, vlera e automjetit arrin në 92 milionë lekë të vjetra.
Në kërkesat e paraqitur nga AMF për mjetin duhej gjithashtu që:
të ishte me kilometrazh zero
viti i prodhimit 2017
ngjrya e zezë metalizato
tapiceria e brendshme lëkure
kondicioner klimatronik
kambio automatike model tronic me min. 7 shpejtësi
xhamat e pasëm të errësuar
sistem drejtimi hidraulik
xhamat me hapje elektrike
mbyllje të centralizuar të dyerve,
drita me teknologjinë LED
timon multifunksional,
kamera parkimi mbrapa
sensor parkimi para dhe mbrapa
AIR BAG, jo më pak se 6 copë
Por, portali TPZ.al, shkruan se kjo blerje është në konflikt interesi, sepse:
“Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, që drejtohet nga Ervin Koçi që prej muajit mars 2017, është një institucion që monitoron të gjithë tregun financiar jo bankar në vend, që pensionet private, fondet e investimeve e deri tek kompanitë e sigurimeve.
Koçi bleu makinën e tij luksoze Benz tek “Auto Star Albania”, e cila është në pronësi 100% të biznesmenit Shefqet Kastrati. Por ky i fundit ka në pronësi edhe kompaninë e sigurimeve ALBSIG, e cila është nën kontrollin e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare”.