Pozoi me Miss Izraelin, kërcënime me vdekje për Miss Irakun
Gati një muaj më parë, Sarah Idan ishte e veshur me një fustan të zbukuruar nga gurë Swarowski, duke përfaqësuar Irakun në konkursin e bukurisë “Miss Universe”.
Ajo qe hera e parë në 45 vjet që vendi i saj merrte pjesë në një event të tillë. Isha në qiellin e shtatë, rrëfen Sarah, por gjithçka ndryshoi papritur për shkak të një “selfie”. 27-vjeçarja shkrepi një foto me Miss Izraelin, Adar Gandelsman, përpara konkursit dhe i bashkangjiti mesazhin: “Paqe dhe dashuri nga Miss Iraku dhe Miss Izraeli”.
Reagimi nuk ishte ai që priste. 6 ditë përpara eventit, organizatorët e Miss Irakut i kërkuan ta zhdukte foton nga faqja e saj ose do t’i hiqej titulli i “Mbretëreshës së Bukurisë”. Të tjerë e kërcënuan me jetë. Sarah, e cila ka nënshtetësinë irakiane dhe amerikane, i telefonoi menjëherë familjarëve në Bagdad për t’i kërkuar të bëjnë kujdes. Vajza mori edhe kërcënime “online” për faktin se kishte dalë me rrobebanje në njërin prej raundeve eleminuese.
Efektin më të madh megjithatë e pati “selfie” me Miss Izraelin. Idan nuk e hoqi foton, ama një ditë pas postimit u detyrua të shpjegonte se nuk e mbështet qeverinë izraelite apo politikat e saj në Lindjen e Mesme e i kërkoi ndjesë të gjithë atyre që menduan se ky ishte një sulm ndaj kauzës palestineze.
Sot, 27-vjeçarja vazhdon të marrë kërcënime me vdekje në mediat sociale. Pavarësisht të gjithave, Idan po përpiqet të fokusohet tek karriera e saj, por as qeveria irakiane dhe as organizata përgjegjëse e Miss Irakut nuk i ofrojnë mbështetje.