Dallimi midis hixhabit, nikabit e burkës
Gratë myslimane nëpër botë vishen me rroba të ndryshme. Disa nga ato me hixhab mbulojnë kokën, flokët dhe qafen; disa mbajnë burkë nga koka deri në thembër me vrima të çelura vetëm sa për sy.
Ka që s’kanë as këso vrimash, por vetëm njëfarë rrjetëze mezi të tejdukshme, thuhet në shkrimin që e transmeton Koha.net.
Shamia konsiderohet shenjë e modestisë dhe simbol fetar, dhe ajo që e mbajnë myslimanet quhet hixhab.
Hixhabet mbahen në stile e ngjyra të ndryshme, ndërsa ai që përdoret në vendet e Perëndimit mbulon kokën dhe qafen, por jo fytyrën.
Nikabi është pëlhurë për fytyrë, i cili zakonisht ka vrima për sy, por mund të jetë edhe me rrjetëza të veçanta për sy, ndërsa me të shkon edhe një shami tjetër.
Burka, ferexheja më e mbyllur nga të gjitha ato që mbajnë myslimanet, është njëpjesëshe dhe mbulon fytyrën e trupin, shpesh me vetëm një rrjetëz të ngushtë aty ku janë sytë.
Përveç hixhabit, nikabit e burkës, që janë llojet e ferexheve më të njohura në veshjet myslimane, transmeton Koha.net, ka edhe ferexhe dy pjesësh, që quhet al-almira, dhe përbëhet nga kapuçi i ngushtë prej poliesterit ose pambukut, dhe shamia që mbahet përmbi të.
Në rajonin e Gjirit të Persisë është e popullarizuar Shajla, një shami katërkëndshe e gjatë që mbështillet rreth kokës dhe përforcohet në krahë.
Disa myslimane mbajnë edhe himar a hiram, një ferexhe e gjatë që bie deri në brez, ndërsa mbulon plotësisht kokën, qafen dhe krahët, por jo edhe fytyrën.
Shumë gra iraniane bartin çadore, një lloj pëlhure që mbulon tërë trupin, ndërsa përfundi saj në kokë kanë një shami të vogël./Koha/