Albspirit

Media/News/Publishing

Trazirat në Iran, gjenerali Jafari shpall fundin e kryengritjeve anti-qeveritare

Ditën e mërkurë u shpall humbja e kryengritjes në Iran, nga kreu i Rojeve Revolucionare. Njoftimi nga Gjenerali Majti Mohammad Ali Jafari erdhi pasi dhjetra mijëra qytetarë të Irani dolën në mbështetje të qeverisë, për të kundërshtuar prostestat e dhunshme anti-qeveritare që kanë përfshirë Iranin prej disa ditësh duke shkaktuar 22 të vdekur. Kryengritja ka shkaktuar përplasje mes udhëheqësve iranianë dhe Shteteve të Bashkuara, pasi këto të fundit konsiderohen si nxitëse ndaj protestave në Iran.

Kreu i Rojeve Revolucionare të Iranit deklaroi këtë të mërkurë humbjen e kryengritjes në vend, duke iu referuar protestave kundër qeverisë iraniane.

Gjenerali Majti Mohammad Ali Jafari dha njoftimin, ndërkohë që mijëra qytetarë morën pjesë në tubime masive në mbështetje të qeverisë, të cilat u zhvilluan për të mposhtur trazirat që kanë përfshirë Iranin ditët e fundit.

Kryengritja kundër qeverisë iraniane filloi të enjten e kaluar në qytetin Mashhad duke shkaktuar të paktën 22 viktima.

Protestat nisën fillimisht për të kundërshtuar rritjen e çmimeve dhe korrupsionin, por u shndërruan në një kryengritje masive dhe të dhunshme anti-qeveritare.

Gjenerali Jafari tha në deklaratën e tij se gatishmëria e sigurisë dhe vigjilenca e qytetarëve kishin çuar në humbjen e armiqve.

Ai shtoi më tej duke thënë se në çdo vend ka një maksimum prej 1,500 vetësh dhe se numri i protestueve nuk tejkalonte 15 mijë njerëz në të gjithë vendin.

Armiqtë janë përpjekur të na sjellin kërcënime kulturore, ekonomike dhe të sigurisë kundër Iranit islamik nënvizoi kreu i Rojave Revolucionare.

Deklarata e general Jafarit vjen pas komenteve të udhëheqësit të Lartë Shpirtëror, Ajatollah Ali Khamenei, i cili një ditë më parë akuzoi vendet armike të Iranit, duke iu referuar në mënyrë të papërcaktuar, Shteteve të Bashkuara se po inkurajonin dhe po nxisnin protestat anti-qeveritare tek populli iranian.

Akuzat e Khameneit vijnë pas postimeve të Presidentit të SHBA, Donald Trump, i cili përmes twitterit përgëzonte të gjithë protestuesit iranianë, duke i inkurajuar se po ngriheshin kundër një qeverie brutale dhe të korruptuar.

Ndërsa ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, përmes një deklarate vlerësoi guximin e protestuesve iranianë dhe bëri të ditur se protestat në Iran ishin spontane dhe jo të drejtuara nga forca të jashtme, duke hedhur kështu poshtë akuzat e udhëheqësve iranianë se protestat u nxitën nga armiqtë e Iranit.

Zyrtarja amerikane tha se Shtetet e Bashkuara po kërkonin sesione emergjente ndaj Iranit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork dhe në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në Gjenevë.

“Ne nuk duhet të heshtim,” tha Haley. “Populli i Iranit po bërtet për liri”.

Please follow and like us: