Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Isak Shema: Mbi poetin dhe profesorin Basri Çapriqi

 
ÇAPRIQI Basri (1960- 2018). Poet, studiues i letërsisë, profesor universiteti. Lindi në Krythë të komunës së Ulqinit. Kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në Ulqin, ndërsa studimet e letërsisë shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës (1983). Në fillim punoi si gazetar në Radiotelevizionin e Malit të Zi në Podgoricë, kurse në vitin 1986 u zgjodh asistent i lëndës letërsi e sotme shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Po në këtë fakultet kreu studimet pasuniversitare dhe më pas mbrojti tezën e disertacionin të doktoratës (2004). Ndërkohë, në Universitetin e Edinburgut mori diplomë me temën “Poezia konkretiste e Edvin Morganit”. Në degën e letërsisë dhe të gjuhës shqipe u angazhua të mbajë ligjërata nga lëndët stilistikë dhe semiologji, duke u avancuar në titujt përkatës universitarë. Në vitin 2004 u zgjodh kryetar i parë i PEN Qendrës së Kosovës, funksion që e ushtroi për shumë vjet me radhë. Për dy mandate ishte kryetar i këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës. Si kryetar i Pen Qendrës së Kosovës, mori pjesë në kongrese, konferenca dhe në shumë takime ndërkombëtare të shkrimtarëve. Ka botuar vëllimet poetike: “Ulli me dy mijë unaza” (1983), “Në fund të verës” (1986), “Ma qet gjuhën” (1989), “Frutat bizare (1996)”, “Burimi nën gjuhë” (2005), “Zbutja e gjarprit” (2006), “Përkryerja e shiut” (2013). Poezitë e tij janë përfshirë në disa antologji të poezisë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja. Libra me poezi të tij të zgjedhura janë botuar në anglisht “Grass on the Ëindoë” (1996), në rumanisht “Deschiderea scoicii” (2010) dhe në gjuhën malazeze “Savršenstvo kiše” (2012). Ka publikuar vështrime kritikë, studime dhe monografi: “Mikrostruktura e tekstit” (1990), “Aksidenti i orës shqiptare” (1993), “Përmasat e kontekstit” (1998), “Simboli dhe rivalët e tij” (2005), “Paradigma Kadareane” (2006). Përveç shkrimeve publicistike, ka botuar edhe një sërë shkrimesh prezantuese dhe kritike për autorë të rëndësishëm të letërsisë shqipe, si Martin Camaj, Azem Shkreli, Ismail Kadare, Ali Podrimja, Rrahman Dedaj etj. Është bashkautor i botimit “Antologji e poezisë shqipe të shekullit XX”, hartuar nga PEN Qendra e Kosovës dhe e Shqipërisë.

Please follow and like us: