Albspirit

Media/News/Publishing

“Këngë të Solomonit”, libri më i ri i poetit Sadik Bejko

Engjëll Serjani
“Këngë të Solomonit” është titulli i librit më të ri të botuar së fundmi nga krijimtaria e poetit të njohur Sadik Bejko. Krijimtaria e S. Bejkos është më e shtrirë edhe në prozë edhe në fushën e studimeve filologjike. “Brenga mund të pastrojë ajrin e planetit gjer te zemra”, një varg poezie që sintetizon mesazhet poetike të poetit Bejko. “Këngë të Solomonit” është një përmbledhje me nota dashurie, trishtimi dhe shprese. Përvojë të pasur jetësore dhe artistike, ka gjetur shprehje në vargjet e poezive të këtij vëllimi. Një pjesë e përjetimeve lidhet me jetën plot zigzake të autorit. Ai e nis jetën si mësues në  fshat dhe e vijon si redaktor në radion kombëtare. Kthehet i dënuar si minator i zgafellave të qymyrit në Memaliaj. Ringrihet përsëri si profesor universiteti me titull “Doktor i shkencave filologjike”. Nga punëtori i minierës, ngrihet në pozicionin e deputetit në parlamentin shqiptar. Por uljet-ngritjet nuk i prekën shpirtin poetik. Përkundrazi, e bënë edhe më poet. “Këngë të Solomonit” është një vëllim me këngë romantike dashurie. Në vargjet e poezive gjen mesazhe që burojnë nga brendësia e dramave të mëdha njerëzore. Poeti kalon nga një gjendje poetike në tjetrën me elegancë, mendim, ide dhe finesë. Në disa prej poezive të tipit lasgushian “se dashuronte dashuria”,  lexuesi mbetet pa frymë nga fuqia e vargut te Bejkos. Me këtë libër poetik si testament dashurie, poeti Sadik Bejko na bind se dashuria nuk ka kohë, nuk ka moshë, nuk ka limit.
Please follow and like us: