Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Islami: Liderët autoritarë e të korruptuar të Ballkanit pengojnë zgjerimin drejt BE

Në një mbledhje të ministrave të Jashtëm të BE, vendet e BE janë shfaqur “përçara” përsa i përket zgjerimit të BE drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga informacionet e medias rezulton se Gjermani, vendi kryesor i BE,  është skeptik për faktin se “situata është ekstremisht  e vështirë”, lidhur me zgjerimin e BE drejt BP.

Situata paraqitet komplekse sepse nga sondazhet rezulton se “60 për qind e qytetarëve në Gjermani, Francë e Belgjikë janë kundër zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor” dhe atyre ju duken “marrëzi planet për zgjerimin drejt 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Ky është një fakt i hidhur për qytetarët e 6 vendeve të BP.

Nga ana tjetër, ministrat e jashtëm të BE, që janë pro zgjerimit, kanë dhënë 2 argumente të “forta” në favor të zgjerimit të BE drejt Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Bosnjës:

i)-rritja e ndikimi të Rusisë e Kinës, pa përjashtuar edhe Turqinë, në këtë rajon,

ii)-roli pozitiv për kontrollin e migrimit përmes hapjes së “rrugës ballkanike” që ka lehtësuar kalimin e emigrantëve e ndoshta më vonë do të kontribuonte edhe për absorbimin e një pjesë të tyre.

Kundërshtarët apo skeptikët e zgjerimit, ku ndër kryesorët janë Gjermania, Franca, Holanda e Belgjika, pa përjashtuar edhe vende të tjera, kanë ngritur 3 shqetësime “të mëdha” që pengojnë vendet e tyre të shprehen për zgjerimin:

i)-mund të krijoheshin probleme për shtetet ekzistuese anëtare, sepse ky zgjerim do të çonte në një rritje të konsiderueshme të popullsisë pa mundur të rritej GDP;

ii)-mungesa të theksuara të sundimit të ligjit, korrupsion në çdo nivel të qeverisjes, kapje e shtetit, lidhje e shtetit me krimin e organizuar, kontroll e ndërhyrje në media në vendet e BP;

iii)-anëtarësimi i vendeve të BP, është shqetësues sepse ato drejtohen nga liderë autoritarë e të korruptuar duke dhënë mundësi më vonë të zgjerohej brenda BE numri i liderëve që mund të ndiznin flakët e nacionalizmit e populizmit, dhe kjo do mund të çonte në bllokimin e funksionimit të BE;

Po të lexohen më vëmendje qëndrimet e ministrave të jashtëm dhe të analizohen në thellësi argumentet e tyre, mund të arrihet në përfundimet e mëposhtme për shqetësimet e tyre kryesore:

  1. Shqetësimi kryesor është se vendet e BP drejtohen nga lidera të korruptuar e autoritarë;
  2. Këta liderë autoritarë janë të korruptuar, kanë kapur shtetin, kanë lidhje me krimin e organizuar, kanë vendosur nën kontroll median;
  3. Këta liderë autoritarë e të korruptuar kanë ndërtuar qeverisje me mungesa të theksuara të sundimit të ligjit;
  4. Këta liderë autoritarë e të korruptuar kanë çuar në rrënimin e ekonomive të tyre, në varfërimin e qytetarëve e pasurimin e një grupit të ngushtë drejtuesish klientelistë, në mungesën e investimeve të huaja, gjë që do të krijonte shqetësime për GDP e BE nëse këto do të bëheshin pjesë e BE;
  5. Këta liderë autoritarë e të korruptuar, nëse do të bëheshin anëtarë të klubit të BE, do të përbënin rrezik sepse mund të rrisnin rrethin e vendeve ku mund të ndizeshin flakët e populizimit e të nacionalizimit;
  6. Këta liderë autoritarë e të korruptuar, duke synuar të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet, shikojnë si modele të qeverisjes Kinën, Rusinë pa përjashtuar edhe Turqinë dhe e duan Gjermaninë, Francën, Holandën, Belgjikën, e tjerë vetëm për tu bërë anëtarë të BE, që qytetarët e tyre të kenë mundësi të migrojnë drejt BE pa problem, pra për të krijuar kushtet e përshtatshme për largimin e qytetarëve të tyre.

E thënë shkurt e qartë; e vetmja pengesë e madhe e pakapërcyeshme për momentin për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe që shfaqet nga ana tjetër si shqetësim për qytetarët europianë është se këto vende nuk janë demokratike, kanë mungesa të mëdha të sundimit të ligjit, kanë ekonomi të rrënuara dhe mbi të gjithë drejtohen nga liderë autoritarë e të korruptuar, pra qeverisjet e këtyre vendeve nxisin qytetarët e tyre të migrojnë drejt BE. Pra në këto vende mbretëron “oligarkia, korrupsioni, krimi dhe banditizmi”. Ky është problemi. Sado të fshihet ky problem dhe të mos thuhet nga ballkanasit, qytetarët europianë e kanë shprehur opinionin e tyre duke qënë në shumicë kundër zgjerimit drejt këtyre vendeve.

Ka vetëm një zgjidhje: Vendet e BE duhet të ndihmojnë urgjentisht qytetarët e Ballkanit të heqin qafe këto regjime që urrehen prej qytetarëve ballkanas dhe nuk pranohen të bëhen pjesë e familjes europiane nga qytetarët europianë. Reforma e drejtësisë ka shumë gjasa të dështojë se po keqpërdoret nga liderët autoritarë e të korruptuar për të vendosur edhe drejtësinë nën kontroll e përdorur atë për gjueti shtrigash. Dhe akoma më i rëndë është dyshimi i qytetarëve ballkanas se liderët autoritarë e të korruptuar po komprometojnë edhe përfaqësuesit e vendeve perëndimore apo zyrtarë të lartë të Brukselit, gjë që mbetet të hetohet e provohet?!

Please follow and like us: