Albspirit

Media/News/Publishing

Ekspertët: Mos privatizoni Albpetrol, shtetëzoni ARMO-n

Tani që kompania e përpunimit të naftës ARMO ka mbyllur aktivitetin, duke mbartur në bilancet e saj rreth 720 milionë euro borxhe, ekspertët i bëjnë thirrje qeverisë që të nisë shtetëzimin dhe të pezullojë planet për shkrirjen e Albpetrol. Inxhinieri i naftës Llambi Gjoni thotë se rikthimi në menaxhim të shtetit të ARMO-s do të rrisë eficencën e dy kompanive. Albpetrol do t’i siguronte në mënyrë të vazhdueshme naftë rafinerisë dhe kjo e fundit, do të rriste eficencën e prodhimit njësoj si para vitit 2008. Ministria e Financave analizon se rishtetëzimi i ARMO-s është një mundësi. Aktualisht, ligji për falimentin ndalon hapjen e procedurave të falimentit në sektorët strategjikë. E vetmja zgjidhje që mbetet është deklasifikimi i industrisë së përpunimit të naftës si sektor strategjik, por kjo duhet të bëhet me ligj të posaçëm të miratuar në Kuvend. Nëse kjo do të mundësohet për të shmangur një pjesë të mirë të detyrimeve, shoqëria ARMO mund të hapë procedurat e falimentit. Duke parë se kreditë e shtetit (taksat dhe tatimet e papaguara kanë përparësi nga detyrimet e tjera, rekomandohet që organet tatimore të regjistrojnë barrë siguruese mbi asetet e ARMO-s, në mënyrë që të sigurojnë radhën e referimit, e cila në rast të falimentit, do t’i ndihmojnë të vjelin detyrimet e papaguara përpara kreditorëve të tjerë. Kjo do të ndihmonte që çmimi i blerjes së rafinerisë si aktiv të reduktohej në masën e detyrimit që shoqëria ka ndaj organeve fiskale. Rishtetëzimi i ARMO-s pritet të rrisë eficencën e të dy kompanive.

Inxhineri Fili: Gabimi me copëtimin e Albpetrol

Nga një inxhinierët me më përvojë të naftës në vend, ish drejtor i Albpetrol, në 2005-2007, Ilia Fili thotë se gabimi më i madh në industrinë e naftës ishte copëtimi i Albpetrolit në (Albpetrol dhe Armo) në 2007-n e pastaj privatizimi i ARMO-s (në 2008-n) dhe dorëzimi i vendburimeve të Albpetrolit me koncension me justifikimin se mungonte mundësia për investime të reja në teknologji si në ARMO ashtu dhe për Albpetrolin. Si investitorët e rinj të ARMO-s ashtu dhe kompanitë koncensionare, që shfrytëzojnë burimet e naftës, morën kredi nga bankat për zhvillimin e tyre, teksa specialistet ishin të njëjtët që drejtuan dhe zhvilluan sektorin qysh në krijimin e tij. Fili thotë se, Albpetroli i bashkuar do të ecte si simotrat e tij në Kroaci, Serbi e Itali, duke zotëruar krejt tregun shqiptar të karburanteve. Konkurrenca me importin do të përballohej duke ofruar çmim më të ulët për shkak të kostos më të ulët të prodhimit. Në gjendjen aktuale Albpetrol ka ngelur si “kokoshi një thelë” duke zotëruar vetëm pjesërisht Kuçovën, Patosin dhe Ballshin dhe po tenton të rikthejë Gorishtin dhe Cakranin. Prodhimi aktual është mjaft i ulët, prodhim ky që nuk mund të mbulojë koston e ekzistencës së Albpetrolit si një i vetëm. Ai ekziston dhe funksionon tani vetëm në sajë të prodhimit paraekzistues, që japin kompanitë koncesionare. Fili thotë se prodhimi i naftës është pasuri kombëtare dhe nuk është e drejtë që këtë pasuri kombëtare, qoftë edhe Albpetrol ta shfrytëzojë për të mbajtur në punë ndërmarrjet e tej fryra me punonjës për efekte politike sepse gjithë punonjësit kanë kaluar në filtër politik. “Që në vitin 2006, kur akoma nuk ishin dorëzuar vendburimet, i kërkova ministrisë fuqizimin e departamentit të marrëveshjeve hidrokarbure me specialistë të të gjitha fushave për monitorimin e aktivitetit të kompanive koncesionare, pasi gjithçka mbështetej mbi informacionet që dërgonin këto kompani”, pohon ai. Investimet e raportuara prej tyre kanë qenë dhe janë të fryra duke bërë që asnjë kompani të mos raportojë fitim e si rrjedhojë shqiptar merr vetëm 10% (renta minerale) në vend të marrjes 50% të fitimit. “Kështu p.sh në marrëveshjen dhe programin e miratuar 25 vjeçare me Bankers, kompania duhet të raportonte fitim që në fund të 2009-ës. Ende sot nuk raporton”. Ai rekomandon që departamenti i Albpetrol, me specialistë të përgatitur me eksperiencë dhe me një page të vlerësueshme të kalonte nën administrimin e AKBN Tirane dhe prodhimi para ekzistues të kalonte direkt buxhetit të shtetit. Në këto kushte Albpetrol do të detyrohej të mbante në punë ata punonjës që do ishin të nevojshëm mbi bazën e vet të prodhimit. Në gjendjen aktuale pasuritë ekzistuese janë me vlera shumë të ulëta dhe po u dorëzuan krejt vendburimet, kompania nuk duhet te ekzistojë më. “Vlen të theksoj se Albpetrol para se të shpërbëhej ishte i kompletuar me të gjitha njësitë funksionale”, përfundon inxhinier Fili.

 

HISTORI/ Nafta, që nga zbulimet osmane deri në ditët tona

Historia e naftës shqiptare nis gjatë pushtimit osman, mesi i viteve 1800. Kjo është koha kur në Shqipëri nisin ekspeditat e para kërkimore mbi vendburimet naftës. Sipas të dhënave studimore, në vitin 1885, Perandoria Osmane i jep të drejtën një shoqërie franceze për të shfrytëzuar resurset e Selenicës në afërsi të Vlorës. Në vitin 1918, stafetën e kërkimit për naftë e morën kompanitë italiane. Qeveria italiane dërgoi në Shqipëri ekipet e saj më të mira dhe në vitin 1918, vendoset të testohet pusi i parë i naftës. Zona më premtuese ishte Drashovica e Vlorës.

Pusi i parë dha rezultate pozitive dhe jehona e zbulimit të naftës në Shqipëri zgjoi interesin e kompanive më të mëdha të kohës. Pusi i Drashovicës në vitin 1918 është gurë kyçi i industrisë së naftës shqiptare. Një vit më vonë, në vendin tonë, zbarkon një kompani e huaj me aksionerë anglezë e iranianë. Sot kjo kompani është kolosi global i naftës: British Petroleum. Në vitet pasardhëse, kompanitë italiane hapën puse të tjera në zonën e Kuçovës, Dumre-Pekisht-Marinzë-Rasë, Biçakaj etj. Një tjetër kompani angleze kishte fokusuar kërkimet e saj në zonën e Vlorës e Fierit. Në vitin 1930, emri i Patosit si një vendburim nafte në shkallë industriale ishte i njohur në të gjithë Europën. Në vitin 1945, e gjithë nëntoka shqiptare u shtetëzua dhe këtu nis epoka e re e historisë së naftës në Shqipëri. Në vitet që pasojnë, qeveria shqiptare e rriti interesin në industrinë e naftës si një katalizator në zhvillimin ekonomik të vendit. Brenda viteve 1949-1952 krijohen 11 ndërmarrje nafte dhe në të njëjtën kohë i jepet rëndësi e veçantë kualifikimit dhe specializimit të punonjësve. Kjo konkludoi me hapjen në 1950 të shkollës së mesme teknike në Kuçovë, me profil specifik në gjeologji, shpim, nxjerrje e përpunim të naftës. Pas prishjes me Jugosllavinë, qeveria e kohës u orientua drejt Bashkimit Sovjetik, influenca e së cilës preku dhe sektorin e naftës në Shqipëri. Në vitin 1950, grupe ekspeditash ruse vizituan disa herë Shqipërinë. Një vit më pas u krijua Shërbimi Gjeologjik Shqiptar. Vitet që pasuan sollën hapjen e degës së gjeologjisë në Fakultetin e Inxhinierisë në Tiranë; ngritjen e uzinës mekanike në Kuçovë, si dhe të qendrës së riparimit të instrumenteve të shpimit në Patos. Operacionet e shpimit dhe kërkimit në naftës kulmuan në vitin 1957 me zbulimin e vendburimit të Marinzë. Brenda një viti, prodhimi i naftës thuajse u dyfishua. Në periudhën 1956-1960, punimet e shpimit dhe të kërkimit u rritën me intensitet të lartë, prodhimi i naftës në vitin 1960 arriti në shifrën 727 519 tonë. Prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në vitin 1960 solli edhe izolimin e industrisë së naftës, por jo uljen e rezultateve. Edhe pse në atë kohë gjithçka u krye nga inxhinierët shqiptarë, prodhimi i naftës në vitin 1965 kapi shifrën 822 405 tonë. Në këtë kohë, u zbuluan vendburimet e gazit në Divjakë dhe të naftës në Visokë. Në vitet 1968–1970 nisin eksperimentet pilot përmes injektimit të ujit në Marinzë dhe Kuçovë. Përforcimi i masave dhe ngritja e një sërë strukturash të posaçme bëri që nga viti 1972 deri në vitin 1987 të zbuloheshin disa vendburime të rëndësishme nafte dhe gazi natyror, si ai në Frakull, në Finiq, Arrëz, Gorisht-Koçul, Cakran-Mollaj, Povelça, Durrës, Delvinë etj. Moment i rëndësishëm në industrinë e naftës shqiptare është nisja nga puna e nxjerrjes së naftës në Ballsh, me aftësi përpunuese vjetore rreth 1 250 000 tonë në vit. Në vitin 1979, në Patos ngrihet Ndërmarrja e Nxjerrjes së Gazit. Deri në fillim të viteve 1990, industria shqiptare e naftës ishte në eficencë të plotë, jo vetëm në pjesën e kërkimit dhe prodhimit, por edhe në përpunimin e naftës dhe nxjerrjen e produktit final për popullsinë. Në mes të viteve 1990, në Shqipëri erdhën kompani botërore të naftës, të cilat morën me koncesion fushat naftëmbajtëse të administruara nga Albpetrol. Kjo solli dhe një ndryshim në rolin e kompanisë, e cila sot është jo vetëm prodhuese e naftës, por funksionon edhe si ent rregullator dhe kontrollues i marrëveshjeve hidrokarbure të lidhura mes shtetit shqiptar dhe kompanive të huaja.

Rezervat

Rezervat gjeologjike fillestare të naftës, në total sipas llogaritjeve të bëra nga specialistët më të kualifikuar deri në vitet 1985 – 1990, janë vlerësuar 437.645.143 tonë naftë, nga të cilat 81.025.885 tonë naftë janë konsideruar rezerva të nxjerrëshme. Janë prodhuar gjithsej deri më 2014, rreth 55.498.458,31 tonë naftë, që do të thotë 68.49% të rezervave të nxjerrëshme ose 12.68% të rezervave gjeologjike. Rezervat gjeologjike të gazit, janë vlerësuar gjithsej 18.163.700.000 Nm³ gaz, dhe janë nxjerrë deri në datë 01.01.2013 gjithsej 12.503.725.787 Nm³. Mbeten për t’u nxjerrë dhe 5.659.974.2013 Nm³ gaz. Vlera e rezervave të nxjerrëshme prej 81.025.885 ton naftë, në kushtet e një përmirësimi cilësor të teknologjisë së shfrytëzimit të puseve dhe vendburimeve, veçanërisht 20 vitet e fundit, rivlerësohen “apriori” dhe mendohet të jetë 50 – 60% më e larta, çka do të thotë që rezervat e nxjerrëshme mund të jenë 110 – 120 milionë tonë gjithsej. Gjithsej nga vendburimi janë nxjerrë 277.615.000 Nm³ gaz ose 56,54%. Pra, nga rezervat e nxjerrëshme të gazit kanë mbetur në shtresë rreth 90.635.000 Nm³ gaz./Monitor/

Please follow and like us: