Hoxhaj: Platforma e fundit e Serbisë është shoviniste
Publikimi i një platforme të Beogradit ku parashihet ndarja e shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, ka nxitur reagimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Përmes një postimi në Twitter, Hoxhaj tha se kjo platformë është rikthim në vitet e errëta të shovinizmit, pasojat e të cilit rajoni i vuan sot e kësaj dite. Madje, Hoxhaj tha se platforma e profesorit Vasiç ia kujton Çubriloviçin dhe ideologë të tjerë të shovinizmit serb ndaj Kosovës.
“Platforma e fundit e publikuar e Beogradit për t’i ndarë shqiptarët dhe serbët në dy entitete të ndara është rikthim në vitet e errëta të shovinizmit, pasojat e të cilit sot e kësaj dite i vuajnë shtetet e rajonit. Propozimi i Dr Vasic ma kujton Dr Çubriloviçin dhe ideologjistë të tjerë serbë të shovinizmit”, ka shkruar Hoxhaj.
Dokumenti i titulluar “Platforma për zgjidhjen e çështjes së Kosovës: serbët dhe shqiptarët nga ndarja e shumicës deri tek bashkimi i mundshëm” (“Platforma za resavanje Kosovskog pitanja: Srbi i Albanci od vecinske razdvojenosti do moguceg novog spajanja”) është hartuar nga Nenad A. Vasiq, një hulumtues i Institutit për Politikë dhe Ekonomi Ndërkombëtare (Institut Studimor i krijuar nga Qeveria e Serbisë).
Në dokument (i cili pretendon të jetë pozicioni i paralajmëruar i ri i Serbisë ndaj çështjes së Kosovës në përmbylljen e procesit të dialogut të Brukselit) janë numëruar edhe hapat që duhen ndërmarrë në arritjen e kësaj “zgjidhjeje”, e cila, sipas autorit të propozimit, është një “zgjidhje WIN-WIN”, që nënkupton se me të “në shumicë kënaqen edhe serbët, edhe shqiptarët”./Telegrafi/