Nuk ka trinitrinë në Urgjencën e QSUT
Prej një viti në Urgjencën Qëndrore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka mungesë të trinitrinës, medikament kryesor për shpëtimin e jetës. Alarmi është ngritur nga vetë mjekët që punojnë në këtë pavion, por edhe nga deputeti i PD-së, Bardh Spahia. “Gazeta Shqiptare ishte e pranishme dje brenda ambienteve të urgjencës së QSUT-së, ku burimet konfidenciale bënë me dije se trinitrina mungon prej afro një viti. “Ka mungesë të trinitrinës në urgjencë! E kjo situatë po na shoqëron prej afro 1 vit.
Në vend të saj, kemi gjendje trinitrinë të lëngshme, por që mund të përdoret vetëm për pacientët që janë në gjendje të rëndë, pra nuk hyn në punë për rastet e tjera”,-tregon për “GSH” një prej punonjësve të urgjencës. Edhe vetë pacientët e pohojnë këtë fakt e ndihen tejet të shqetësuar pasi mungesa e ilaçit mund t’u kushtojë edhe vetë jetën. “Kam burrin këtu të shtruar, është me tension e me zemër, po mungojnë ilaçet, edhe trinitrina që është për zemrën. Kemi shkuar dhe në privat nga halli, por nuk e përballuam dot shumë gjatë dhe erdhëm prapë këtu, në shtet”,-thotë e revoltuar e shoqja e një prej pacientëve të shtruar në urgjencë. Deputeti i PD-së, Bardh Spahia në një prononcim për “Gazeta Shqiptare” tregon se prej 2 javësh ky medikament që shpëton jetë mungon totalisht në urgjencën qëndrore të QSUT-së.