Veseli në Londër: Integrimi euroatlantik, synim i Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është takuar sot në Londër me ministrin britanik për Evropë, David Lidington, të cilin e ka njoftuar për synimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Takimi me ministrin për Evropë, David Lidington, ishte shumë përmbajtjesor sepse diskutuam çështje të interesit tonë të veçantë dhe të përbashkët”, ka shkruar Veseli në faqen e tij zyrtare në Facebook. “Ballkani perëndimor, këtu edhe Republika e Kosovës, e ka vendin në Bashkimin Evropian, realizimi i procesit të integrimeve euro-atlantike është synim i tërë spektrit politik të Kosovës. Integrimi i rajonit në BE e bën këtë pjesë të Evropës zonë të paqes, sigurisë e prosperitetit ekonomik”, thuhet në shkrimin e Veselit në rrjetin social. Veseli ka shtuar se me Lidingtonin ka diskutuar edhe për prioritetet tjera të Kosovës, si sundimi i ligjit dhe ngritja e mirëqenies. “Kontribut në këtë drejtim do të japë edhe MSA-ja dhe liberalizimi i vizave, duke i bërë qytetarët e Kosovës pjesë integrale të Evropës”, ka shkruar Veseli.