Albspirit

Media/News/Publishing

Stefan Hauking, astrofizikani më i madh botës do të mbetet i përjetshëm

Kastriot Islami 

Stefan Hauking, një nga shkencëtarët më të famshëm në botë aktualisht, ka ndërruar jetë, paqësisht në shtëpinë e tij në Kembrixh, të mërkurën, në datën 14 mars 2018, në moshën 76 vjecare.

Stefan Haunking është një nga shkencëtarët më të mëdhenj të botës. Astrofizikani më i shquar dhe më i famshëm i planetit. Specialisti i shquar i teorisë së “vrimave të zeza” dhe të relativiteti. Ai ishte i paralizuar nga një sëmundje e rrallë “degjenerative” dhe punonte në një karrocë duke arritur të shprehej vetëm përmes ordinatorit.

Ai është autori i një nga librave më të shitur dhe të famshëm në botë “Një histori e shkurtër e kohës”.

I gozhduar në karrigen e tij por me një tru special prej gjeniu ai do të deklaronte se: “jam i sigurtë se pamundësia ime ka një lidhje me famën time. Njerëzit janë të mrekulluar me kontrastin mes afatësive të mia fizike të kufizuara dhe shtrirjes së pafundme të universit që unë studioj”.

Ai ndonëse kishte një trup jo të shëndetshëm, zotëronte një shpirt brilant. Ai kishte lindur në Oksoford në 8 janar 1942 nga një baba biolog i cili dëshironte që djali i tij të bëhej mjek. Por ai vazhdoi studimet për fizikë dhe u bë astronom.

Në moshën 21-vjeçare ai goditet nga një sëmundje degjenerative e quajtur sklerozë laterale amiotrofike dhe mjekët parashikojnë se do të jetonte vetëm dy vjet. Në moshën 32-vjeçare nuk do të arrinte të ushqehej dhe të shtrihej vetë në shtrat. Pas një operacioni në moshën 43-vjeçare do të rifillonte të fliste. Por truri i tij funksiononte në mënyrë brilante dhe dëshira për të kontribuar ishte maksimale; ai do të deklaronte: kam një synim në jetë, të kuptoj plotësisht universin dhe përse është i tillë dhe përse ekziston”.

Rreth moshës 30-vjeçare ai do të jepte idenë e guximshme “se vrimat e zeza jo vetëm absorbojnë lëndën apo dritën që kalon pranë tyre por edhe emetojnë rrezatim”; ky rrezatim do të quhej “rrezatimi hauking”.

Në moshën 32-vjeçare Hauking bëhet anëtari më i ri i Akademisë Mbretërore. Më vonë, në moshën 38-vjeçare, ai do të profesor i matematikës së Universitetit të Kenbrixhit, post që dikur e kishte pasur Njutoni.

Prof. Hauking do të ishte i pari që do të zhvillonte një teori të kosmologjisë bazuar në teorinë e relativitetit dhe mekanikën kuantike.

Ai së bashku me matematikanin Sër Roger Penrose do të tregonte se nga Teoria e Përgjithshme e Relativitetit e Anshtajnit rrjedh se “koha e hapësira” kanë fillimin e tyre te Big-Bangu dhe fundin te Vrimat e Zeza.

Në vitin 1988, pra në moshën 46-vjeçare, boton librin “Një histori e shkurtër e kohës” përmes të cilit synon ti shpjegojë publikut në mënyrë të thjeshtë e të kuptueshme parimet e shkencës së kosmologjisë që studion origjinën e botës, duke filluar nga bing-bangu dhe deri te teoria e kordave. Ky libër mund të konsiderohet vepra divulguese më e suksesshme e shkencës. Ajo është shitur që nga moment ii botimit në më shumë se 9 milion kopje.

Jeta e tij do të pasqyrohej në një film të fituesit te çmimit Oscar, Eddie Redmayne me titull ‘Theoria e Gjithçkaje’. Redmayne do të deklaronte me rastin e humbjes së shkencëtarit të madh se: ‘Ne kemi humbur një mendje realisht gjeniale, një shkencëtar mahnitës dhe personin më të këndshëm që kam takuar gjatë jetës sime’.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May do të cilësonte: “Një mendje brilante dhe e jashtëzakonshme. Një nga shkencëtarët më të mëdhenj të brezit të tij. Kurajo e tij, humori dhe vendosmëria për të dhënë gjithçka nga jeta e tij përbëjnë një inspirim. Gjithçka ka bërë nuk do të harrohet kurrë.”

*Autori është fitues i Doktoratës në Francë dhe kryer studime post-doktorale në Gjermani,  në fushën e Fizikës atomike e molekulare

Please follow and like us: