Nga Moska në Tiranë, fotografja lë Rusinë për bashkëshortin shqiptar
Alla Simacheve prej vitit 2005 është shpërngulur në Shqipëri. Përshtatja me vendin ballkanas: “Ishte e çuditshme për mua që këtu festohej çdo festë fetare, në Rusi nuk mund të ndodhë diçka e tillë”
Nga Bleona Metushi
Ajo është një femër e imët, e vogël, dhe me tipare të bardha, tipike një vajzë nga Rusia. Ka lindur në Moskë, ka jetuar për pak vite në Tokio dhe tashmë e ka vendosur jetën e saj në Tiranë. Alla Simacheva prej vitesh jeton në kryeqytetin shqiptar. Dashuria e solli në Tiranë dhe dashuria për të bukurën e bëri të merrej me fotografinë .“Kur dashuria është në mes asgjë nuk të tremb” më thotë Alla, me një siguri që i lexohet gjithandej . As që e kishte menduar se një ditë, ujërat e jetës së saj, do të derdheshin në“detin” e quajtur Shqipëri. E përhumbur në kujtime më thotë “Dhe ta mendosh, kur studioja për financë në Rusi, as që e kisha menduar ndonjëherë të jetoja në Tiranë”. E ndërsa sot, shprehet se është e lumtur këtu, dhe ka arritur çdo gjë që ka dashur. Për të nuk ka rëndësi vendi ku jeton. “Nëse do diçka dhe punon për të, do ta marrësh”. Në sytë e saj lexohen një grumbull emocionesh, të cilat e vështirë se mund t’ia lexosh në ndonjë tipar tjetër. Alla ka një natyrë pak të ftohtë, dhe sytë janë porta nga ku mund të futesh në botën e saj plot ngjyra. Dhe një karakteristik që dallon në sytë e saj, është padyshim guximi. Erdhi në Shqipëri për herë të parë në vitin 2005, pasi ishte njohur në Turqi me bashkëshortin e saj shqiptar. “Ne u njohëm, dhe aty lindi dashuria, e veçantë si të gjitha dashuritë”. Në bisedën tonë, më thotë se Shqipëria në atë kohë ishte në një gjendje shumë të keqe, dhe kjo dallohej që në aeroport, “Ishte akoma aeroporti i vjetër, dhe shumë gjëra mungonin, tani habitem sa shumë kanë ndryshuar gjërat”. Por kjo nuk e bëri Allën të ndërronte mendje, dashuria ishte shumë e fortë për të hequr dorë dhe tashmë e dinte, që destinacioni i saj ishte Tirana. Alla është një femër që eksperimenton dhe provon çdo gjë në jetë. Pasi u vendos në Shqipëri, filloj studimet për marketing. “Ndoshta nuk është ajo që bëj tani, por e sigurt, që më ka ndihmuar më shumë se financa në punën time si fotografe”.
Historia
Ndërsa më tregon për dashurinë e saj, fotografinë, zbulon se pasioni për të kishte lindur që herët, që në kohën kur ishte një studente në Moskë. U desh të kalonte një kohë e gjatë që atëherë që Alla të fillonte të merrej me fotografinë, edhe pse kishte bërë disa kurse profesionale. “Pavarësisht se kisha bërë disa kurse, nuk bëja foto profesionale por punime të vogla, si foto familjare”. Alla punonte në një agjenci reklamash, dhe aty ishte hera e parë që shikon sa i bukur ishte ky profesion. E lumtur dhe melankolike njëkohësisht, ndoshta për kohën e kaluar, më rrëfen se aty shihte shpesh punë të fotografëve, dhe me një ritëm të shtuar të fjalëve, thotë: “Kur shihja punët e tyre mendoja, këta duhet të jenë magjistarë dhe jo njerëz të thjesht “. Duket sikur disa persona janë të lindur për të bërë diçka në jetë, dhe ky është rasti i Allës, e cila thjesht po endej si një shpirt i lirë deri në momentin që erdhi në jetë djali i saj, Ariani, që duket se është nismëtari i gjithçkaje. Gjatë kohës së shtatzënisë, Alla filloi te merrej seriozisht me fotografinë si profesion. E paqartë për atë që kishte ndodhur në ato moment të jetës së saj, më thotë se diçka ndryshon tek femrat kur ato bëhen nëna. “Diçka ndodh me femrat kur ato bëhen nëna, duket sikur i shtohet kreativiteti “. Dhe pikërisht pas kaq shumë kohësh, dhe pasi kishte kërkuar veten kaq shumë, e gjeti se ku duhet të ndalonte. Tani më thotë se nuk do ndaloj kurrë së bëri fotografi, dhe pyetjes tim nëse do hiqte dorë nga ky profesion për diçka tjetër, i përgjigjet thjesht dhe prerë, “Kjo është diçka e pamundur, do të reduktoja kohën por nuk do të ndaloja kurrë së bëri fotografi”.
Profesioni
Alla para tre vitesh hapi edhe një studio fotografie, të cilën e mbylli sepse po e bënte të humbiste kreativitetin, dhe për profesionalizmin e saj, kjo është një arsye mjaftë e mirë që ta mbyllte . “Po më dukej vetja si një fabrikë, çdo foto dilte njësoj dhe unë nuk ndjehesha mirë kur disa klientë kishin të njëjtën foto”. Në kërkim të gjërave të reja, Alla vendosi të vazhdonte punën e saj si fotografe si një freelancer, dhe ti bënte setet e fotografisë në natyrë. Ndërsa një tipar tjetër i saj, është se kur ecën në rrugë, vazhdimisht kërkon momentin më të mirë për të bërë një foto. “Jam e sigurt se drita e diellit është ajo që e bën një foto të bukur, prandaj edhe klientëve iu sugjeroj natyrën”. Nuk është aspak çudi të ecësh me të, dhe papritur Alla të qëndroj e fokusuar diku, kjo do të thotë që ka gjetur një moment kur drita është perfekte për të bërë një foto. E sa i përket kolegëve, Alla nuk i njeh shumë, por më thotë se i ndjekë në rrjetet sociale dhe sipas saj, në Shqipëri ka shumë fotografë të talentuar. “Ndonjëherë shohë në rrjetet sociale edhe foto amatore të bëra thjesht me një “Iphone” dhe sërish janë të mrekullueshme”, thotë Alla. Një gjë që e shqetëson atë është tregu i munguar për profesionin e fotografit, i cili pothuajse nuk ekziston fare, me trishtim më thotë: “Këtu nuk ka një treg të mirëfilltë për fotografët, ndryshe është në Rusi ku tregu është i konsoliduar dhe profesioni i fotografit është si të gjithë të tjerët”. Diçka duhet të bëhet për këtë profesion që Alla e quan magji.
Jeta në Shqipëri dhe traditat
Në vitin 2014, Alla ka marrë edhe nënshtetësinë shqiptare, moment për të cilin me flet me emocion. “Është një ndjenjë e veçantë, nuk të ndodh shpesh ta përjetosh, dhe unë atë moment e kujtoj edhe tani, pritja që bën Presidenti është madhështore”. Kur erdhi në fillim, ishin kaq shumë gjëra të cilat iu dukën të çuditshme Allës, por sërish Shqipëria i ishte dukur një vend i ngrohtë, dhe kjo, jo vetëm nga klima. Teksa me flet për periudhën e fillimeve të saj në Shqipëri, më thotë: “Fillimi ishte shumë i vështirë, si të gjithë fillimet, por pastaj u ambientova me punën dhe miqësinë dhe çdo gjë shkojë mirë”. Ndërsa përballja me traditat tona, ishte pak a shumë si të zbulonte një botë të re për Allën. “Ishte e çuditshme për mua që këtu festohej çdo festë fetare, në Rusi nuk mund të ndodhë diçka e tillë, dhe fakti që ju jeni kaq të afërt me njeri-tjetrin përsëri më bëri çudi, njerëzit në Rusi, dhe vende të tjera që njohë janë shume individualist”. Të çuditshme, por për Allën këto janë diçka pozitive e shoqërisë sonë, ashtu sikur se është edhe fakti që shqiptarët, sipas saj dinë t’i bëjnë të dyja, edhe punën edhe qejfin. “Kur shkoj në Rusi, me duket vetja shumë e ngadaltë, atje është ndryshe, njerëzit i përkushtohen më shumë punës”. Alla është futur aq shume në lëkurën e një shqiptari, duke filluar nga gjuha të cilën e flet më së miri dhe deri tek zakonet për të cilat thotë se tashmë i ndjen si pjesë të saj. Si një fotografe e zonja e shikon te bukurën në çdo kënd. Edhe pse nga të gjithë qytetet e Shqipërisë ajo veçon Beratin, i cili i duket i mrekullueshëm dhe vendi perfekt për një foto sesion, thotë se dhe Tirana ka shumë vende të bukura, por thjesht duhet të dish ti shohësh. Dhe për këtë, në planet e saj në të ardhmen është një ekspozitë me foto nga Tirana. “Dua që fotot të kenë një histori dhe të tregojnë diçka, që njerëzit të shohin Tiranën e bukur, atë që shoh unë “, më thotë Alla me sytë e saj të qeshur. Ajo kohët e fundit ka filluar të jap edhe mësim, bën kurse online për fotografi, dhe ka kursant edhe nga Rusia. “Më pëlqen të mësoj të tjerët, dhe ndihem mirë kur marr feedback-un, kur shohë që të rinjtë që mësoj unë, fillojnë të bëjnë punë të mira”. Alla e ka të ndarë se çfarë do bëj në jetën e saj dhe ndihet sikur do ta bëj deri në përjetësi, sepse e ka kthyer pasionin e saj në profesion. “Sepse i jap shpirt dhe me jep frymë kjo punë”, thotë fotografja./ shekulli/