Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Shallvaret e Ramës dhe Oboti i përmbytur

Image result for oboti i permbytur

Ka më shumë se dy javë që rrethinat e Shkodrës, janë nën pushtetin e ujit. Shkarkimet nga kaskada e lumit Drin, reshjet e shiut etj…, kanë sjellur një përmbytje të përmasave katastrofike. Kush ka pak njohuri nga ciklet e bujqësisë, e di fare mirë se sa dëm sjell një situatë e tillë në prag të stinës së mbjelljeve, për blegtorinë, frutikulturën apo të mbjella të hershme. Pa përmendur zairetë që kanë shkuar për lesh apo mykun e mureve si paradhënie për ndonjë katastrofë verën që vjen. Përfshi këtu edhe sëmundjet epidemike. Por nuk është vetëm kjo…, mungesa e një solidarizimi me atë pjesë të njerëzisë nën ujë, kalon edhe me nota ironie, puna e dobët e pushtetit lokal. Edhe pse Shkodra ka në qeveri një pjesë të konsiderueshme postesh. Po them nga zëvendëskryeministri, ministri i Jashtëm etj., prapë të gjithë janë ironik. Pushteti lokal, mohimi i sasisë së prurjeve të ujit nga hapja e portave të Vaut të Dejës e më sipër. Nga ana tjetër propagandën më të qelbur të një shtypi dështak, i cili harxhon energji pa fund për debatin e një top modeleje me Muç Nanon.

Apo për shallvaret e Edi Ramës, një turkoshaku nga rinia tironce që qeveris me nisma vullnetare dhe shfaqet vetëm në inagurime. Në ca zgafella betoni, gjoja moderne, po aq sa shajaket e tija, duke zhdukur çdo element nga shkuara, siç është rasti konkret me teatrin kombëtar. Mbyllja e gojës që u bën artistëve dhe që çuditërisht një opinion i tërë nuk e merr aspak për fyerje apo nëpërkëmbje të dinjitetit.
Këto vitet e fundit, katastrofat natyrore, në rastin konkret përmbytjet janë bërë gati të përvitshme. Dhe kjo e ka shpjegimin, mungesa e projekteve bonifikuese, pastrimi, kullimi e shtratifikimi i lumenjëve dhe përrenjëve. E kam çikur edhe në opinione të tjera. Ka qënë kaq mikroskopike sa e gjitha përmblidhet me historinë e atij skllavatorit para një viti në lumin e Osumit, që vajti për ta pastruar dhe u pastrua vetë, pasi e mori rrjedha dhe degdisi. Janë shtuar aq shumë sa nuk ka vit që Vjosa mos të përmbyti Novoselën dhe ato anë që quhen si Myzeqeja e Labërisë. Semani mos të përmbyti Fierin, e Shkumbini fushat përreth tij. Po kështu edhe me Veriun. Duke i bërë peshqesh kur thotë populli, edhe këto basenet e lumit Drin, si Vau i Dejës, Fierza e Komani. Vepra të diktaturës së proletariatit, me punë vullnetare, që zakonisht u trumbetohen vetëm pluset dhe asesi minuset. Nga ana tjetër fatkeqësia ka kapur përmasat e një katastrofe edhe për faktin e mungesës së sigurimit të pronës. Një kulturë e munguar që po vazhdon të thellohet e simuluar edhe nga politikat dështake të shtetit tonë. Megjithatë është tepër naive tu thuash qytetarëve sot, rrini nën ujë se pushteti lokal nuk po punon siç duhet. Por kjo tezë nuk vlente dje kur përmbytej Novosela a rrethina e Fierit. Eshtë naive sepse një pushtet lokal, sidomos ai i joni, nuk ka fuqi financiare kur bëhet fjalë për shtratifkim a thellim të rrjedhave të lumenjëve. Janë kafshata financiare që nuk i kapërcejnë dot ato llogari në sirtarë kompesatoje. Aq më tepër kur punët janë trashur nga që nuk janë kapur me dorë për dekada të tëra. Kushedi sa fonde janë firuar në ato zyrat rajonale të kanalizim-kullimeve.
Nga ana tjetër mua më shqetëson edhe indeferenca opozitare. Reagimi qytetar i një trualli me aq fuqi intelektuale, etj. Një opozitarizëm që duhet bërë në fushat me ujë të Obotit, jo në atë kuvend ku mandati është kthyer në një paçavure xhepi. Po duket se Shqipëria është grumbulluar e gjitha në Tiranë. Rrethinat i duan për të mbjellë drogë e për bujtina ku drekohet mirë, për modë etj. Nuk e di nëse i kanë marrë dëmshpërblimet ata të jugut, përmbytjet e vjetshme. Kur shallvarexhiu pozoi me ca keca në duar. Por di këtë që faturës së vjetshme, do i shtohet edhe kjo e sivjetshmja. Thjesht nga që ka indiferencë, dështim, e mendje tinzare me zona elektorale veri e jug.

Please follow and like us: