Albspirit

Media/News/Publishing

Putin rizgjidhet President i Rusisë

Rusët shkuan në votime sot në atë që ishte më shumë një referendum për Presidentin Vladimir Putin se sa një garë konkurruese. Siç pritej Putin, ka fituar edhe një tjetër mandat 6-vjeçar në krye të Kremlinit. Rezultatet paraprake u publikuan direkt pas mbylljes së votimeve. Agjencia ruse e lajmeve “Sputnik”, raportoi se me 21 për qind të votave të numëruara deri më tani, shumica e të cilave në pjesët lindore të Rusisë, Vladimir Putin udhëheq me pothuajse 72 për qind të votave, shumë më tepër se shumica e nevojshme për të shmangur balotazhin. Kandidati i Partisë Komuniste Pavel Grudinin renditet i dyti deri më tani me pothuajse 15 për qind të votave, ndërsa nacionalisti Vladimir Zhirinovsky renditet i treti. 65-vjeçari Putin u zgjodh President i Rusisë për mandatin i 4-rt.

Akuzat për manipulime

Opozita ruse dhe organizatat joqeveritare deklarojnë se gjatë votimeve janë vërejtur parregullësi të shumta, presione dhe manipulime. OJQ Golos ka njoftuar deri në mesditë për 1800 parregullësi. Në veçanti shqetësuese janë presionet ndaj studentëve në universitete. Gazeta liberale “Novaja Gaseta” njofton se studentët në shumë qytete janë kërcënuar se do të kenë probleme me provime në qoftë se nuk dalin në zgjedhje. Presione ka pasur edhe në ndërmarrjet shtetërore.

Please follow and like us: