Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Si t’i bëjmë hapat e tjerë drejt Europës?

Tani meqë demarkacioni u votua, e kemi shansin të fillojmë të dukemi vend normal. T’i lëmë prapa prapështitë dhe paudhësitë e shumta e banale që e karakterizuan jetën tonë tash e tre vite.
T’i lëmë prapa shfajësimet dhe justifikimet e padobishme dhe pa sens. Të mos kërkojmë kundërshtarë e armiq kudo e kurdo, për të justifikuar paudhësinë dhe pazotësinë tonë.
Pra, t’ia fillojmë të punojmë me më shumë dashuri për vendin tonë.
Duke e pranuar se:
– Deri me tani, Kosovës i kemi dhënë pak dashuri dhe shumë urrejtje.
– I kemi dhënë pak vlera dhe shumë antivlera.
– I kemi dhënë pak shembuj të mirë dhe shumë shembuj të këqij.
– I kemi dhënë pak dije dhe shumë injorancë.Në këtë atmosferë të rëndë, nuk janë fajtorë, siç jemi mësuar të bëjmë me gisht, vetëm “ata”, por fajtorë jemi të gjithë.
Institucionet e dijes dhe të sferave tjera që kanë përgjegjësi publike.
Mediat që u japin krahë budallenjve.
Kontingjenti i njerëzve të Facebook-ut, që gjykojnë e paragjykojnë pa kurrfarë baze.
Ata që u bëjnë like në Facebook, atyre që i shajnë, por edhe atyre që i lavdërojnë.
E dini kush janë ata: hipokritët e panumërt.

Pra, është koha ta bëjmë Kosovën atdhe të vlerave të përbashkëta. Dhe, që të fillojmë mbarë udhëtimin kah Europa, duhet ta njohim dhe ta kuptojmë atë.
Europa, para së gjithash është shpirt dhe kulturë. Kështu u ngjiz ideja e Bashkimit Europian nga etërit e saj, dhe, mbi këtë bazë ruhet kohezioni i saj.
Europa është i vetmi kontinent që ka përmbajtje dhe kohezion, për dallim nga kontinentet tjera. Shumë të ditur mendojnë se ky kohezion dhe kjo përmbajtje, ndërlidhen me identitetin e saj kulturor. Është thënë se, në historinë e mendimit europian, karakteristikë e përhershme është ideja e krizës dhe aftësia e kapaciteti për kritika të brendshëm (Umberto Eco), për dialog të arsyeshëm, për hapje dhe evolucion drejt progresit dhe përsosmërisë. Po ashtu, ndjenja e kritikës është karakteristikë e përhershme e Europës, nëpërmjet së cilës ajo është hapur ndaj ideve dhe sfidave të reja.
Historiani i famshëm, Fernand Bruadel, përkitazi me këtë pohon se “jeta shpirtërore dhe intelektuale e Europës rrjedh nën ndikimin e dhunshëm të ndryshimeve. Ajo i dëshiron, i krijon ndarjet, ndërprerjet, stuhitë, në një kërkim të pafund të një bote më të mirë.”

Meqë e kemi bërë një hap drejt Europës, dhe, nga përvoja e dimë se, edhe rruga më e gjatë fillon me një hap të vetëm, është e udhës të mësojmë si t’i bëjmë hapat e tjerë. Dhe, e para punës është, të dimë ku po shkojmë, dhe, çfarë përfaqëson në esencë ajo që njihet si Familja Europiane.
Në diskursin tonë publik, për BE-në flitet kuturu, duke i përmendur më shumë hallet dhe dobësitë e saj, sesa përparësitë që ka ajo.
Ne, nuk kemi pse t’ia qajmë hallin Europës.
Sa herë flasim për të me tone negative, më shumë kukurisim dhe tregojmë padijen tonë për Bashkimin Europian, sesa themi ndonjë të vërtetë.
Flasim dhe shkruajmë se, Europa po ballafaqohet me një krizë të madhe, po shpërbëhet, dhe, harrojmë të shohim ku jemi ne, e ku duhet të jemi ne në raport me zhvillimet globale.
Cili është vizioni ynë për Kosovën e pas dy dekadave?
Europa, apo më mirë të themi, shtet e BE-së këtë e kanë të qartë.
E ne?
Pra, t’i qajmë hallet tona, t’i mbledhim forcat dhe ta projektojmë të ardhmen tonë pas dy dekadash dhe të merremi më pak me tema për të cilat nuk na pyet kush dhe shumë më shumë me tema që janë në përgjegjësinë tonë.

Please follow and like us: