Abaz Hado: Komuniteti çam, ka sot një aleat?!
Komuniteti çam ka nisur të kërkojë të drejtat e veta, që kur erdhën në 1945 në Shqipëri, pas atij gjenocidi biblik nga shovinistët grek. Më pas kaluan në një periudhë të errët gjatë sundimit komunist, pasi një pjesë e këtij komunitetit u godit rëndë, ku familjet dhe fiset më të njohura u burgosën ose u vranë. Ndërsa pas viteve të demokracisë, komuniteti çam u organizua për ta ngritur çështjen çame si një lëvizje me karakter komunitar si çështje kombëtare. Për këtë në dhjetor të vitit 1991 krijohet Shoqata Patriotike Çamëria, e cila bëri të mundur me përpjekje të vazhdueshme, të mbajë gjallë këtë çështje dhe kauzë. Për të qenë të drejtë, me të vërtetat historike dhe për të qenë mirënjohës, të gjithë politikanët tanë kryesor, herë pas here me gjysmë goje, apo të ndrojtur, e kanë ngritur çështjen çame. Kur Shoqata e ngriti përfaqësimin në parti politike, kjo bëri të mundur që shumë shpejt përfaqësues të këtij komuniteti, të jenë deputetë në parlamentin shqiptar. Në këtë rast u thyen shumë mite brenda vendit dhe çamët u panë vërtetë si një komunitet, jo i veçuar, por si një i tërë me popullin shqiptar. Kjo do shënonte një nga sukseset e para të lëvizjes çame, ashtu siç ishte dhe përcaktimi i një 27 qershori, nga parlamenti, si datë e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Një sukses është edhe aprovimi i rezolutës për çështjen çame. Këto janë arritje politike që i japin mundësi komunitetit çam të jetë prezent në agjendën diplomatike të shtetit shqiptar, herë me forcë dhe herë me zë të dobët në çdo takim ngrihej me palën greke. Ky problem ishte dhe ka qenë i pranishëm. Grekët po kuptonin se tanimë nga pala shqiptare, ky problem do ngrihej herë pas here, megjithëse ata kërkonin me forcë ta ndalnin ngritjen e kësaj çështjeje. Për këtë, ata në të gjitha nivelet politike artikulonin mosnjohjen e kësaj çështjeje. Në realitet kjo ndikonte për të kundërtën, sepse justifikohen se i përzunë si bashkëpunëtorë të nazistëve. Kjo nga njera anë do të thoshte se çështja është prezente, por ka patur një arsye sipas tyre që është mbajtur ky qëndrim. Kjo në bazë të gjithë sistemit juridik ndërkombëtar nuk mund të ketë fajësi kolektive, por individuale. Gjithashtu kjo nuk mund të jetë arsye dhe të japë të drejtën që të masakrosh njerëz të pafajshëm, pleq, plaka, gra dhe fëmijë dhe t’i largosh me dhunë dhe t’u marrësh pronat. Pikërisht kjo filloi të kuptohej shumë mirë nga përfaqësues të parlamentit europian, si një çështje për të, që kërkon zgjidhje mes dy vendeve. Më parë janë bërë dhe tentativa të tjera për ta ndërkombëtarizuar këtë çështje nga Shoqata, duke çuar dokumentacionet në Bruksel, dhe kongresin Amerikan. Gjithashtu është bërë një studim për këtë çështje, nga një studio ligjore e huaj në Londër. E gjithë kjo ka ardhur si rezultat i aktivitetit të Shoqatës Patriotike Çamëria në vite, dhe partisë në fillim PDI dhe më vonë PDIU. Por nuk duhet mohuar dhe qëndrimi i politikës shqiptare që ka patur rolin e vet. Për këtë problem janë prononcuar të gjithë presidentët e Shqipërisë, pro zgjidhjes së çështjes çame. Partitë politike e kanë në statutin e tyre, problemin çam. Pra e gjithë kjo punë ka ardhur sot në momentin e vet më të rëndësishëm. Pritet të mbyllet një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Greqisë, që sipas Ministrisë për Europën dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, është ngritur çështja çame, ashtu siç është bërë i njohur qëndrimi mohues i palës greke. Personalisht mund të shpreh falenderim, për qëndrimin e qeverisë aktuale, se ka qenë më aktive në manifestimin e këtij problemi, duke mbrojtur çështjen çame në takimet bilaterale. Kemi të deklaruara publikisht qëndrimet e Kryeministrit të Shqipërisë, që kanë ngritur me forcë në momente të caktuara, çështjen çame. Këto deklarata kanë ngjallur shpresën e një trajtimi më me seriozitet maksimal në takimet dypalëshe. Duke parë problematikat e sotme dhe situatën ku ndodhet çështja e parë e komunitetit çam dhe faktori përfaqësues politik i saj, shoqata dhe partia PDIU duhet të kuptojnë se për njohjen e faktorit çam duhet një afrim i gjithë fuqisë për kauzën. Ashtu dhe gjetjes së rrugëve, për të kuptuar gjeo-strategjinë e qeverisjes politike të shtetit shqiptar, që duhet të jetë shumë i vendosur por dhe shumë pragmatik në këto momente. Ne kërkojmë që në takimin mes palëve negociatore dhe dy kryeministrave, duhet të ketë reciprocitet dhe mbrojtje të interesit kombëtar bazuar mbi të vërtetat historike. Personalisht si kryetari i Shoqatës Çamëria, do doja të inkurajoja fort qeverinë shqiptare, për të qëndruar me dinjitet përballë një shteti që është i favorizuar nga disa faktorë europianë. Sot, Shqipëria është në një moment kthese historike, që ka të bëjë me hapjen e negociatave dhe sipas disa lajmeve që vijnë, besohet se kjo do realizohet. Prandaj në këto momente të gjithë duhet të jemi të vërtetë dhe të sinqertë se komuniteti çam, në një farë mënyre duhet të ketë mbështetje politike dhe morale të qeverisë shqiptare e cila luan rolin kryesor për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Por nëse vendi ynë afrohet më pranë Europës, ka më mundësi për zgjidhje më afër të vërtetës. Këtu përfshihet dhe çështja çame, e cila siç e thamë përbëhet nga shumë faktorë gjeopolitikë të rëndësishëm. Kjo çështje me shumë mundësi ka të mbrohet nga shteti që të kërkojë zgjidhjen, me kontakte mes dy vendeve. Me rëndësi vendimtare është dhe faktori ndërkombëtar. Ne jemi vektorë të rëndësishëm që trysnojmë, lobojmë dhe prodhojmë aksion politik, për zgjidhje më të shpejtë të kësaj çështjeje. Prandaj në këto momente komunitetit tonë, sot i duhen më shumë se kurrë aleatët politikë, që kanë mundësi në afrimin e zgjidhjes së kësaj çështjeje. Në këtë rast rëndësi të madhe për komunitetin çam, në vazhdimësi është që të kemi aleatët tanë, të cilët, herë pas here kanë treguar se duan të ndikojnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje, si një prioritet, që ka mundësi për t’u zgjidhur, në një kohë të afërt. Për komunitetin çam ka ardhur koha që të shohim me realizëm dhe pragmatizëm, kush e ka në shpirt e në zemër këtë çështje brenda komunitetin, njerëzit që luftojnë për interesa krejtësisht personale politike, apo atyre që kanë lidhje me dhimbjen e vërtetë. Dhe kush e do vërtetë këtë vend, si një tërësi ku përfshihet dhe komuniteti çam.
/Dr.AbazHado *Kryetari i Shoqatës Patriotike Çamëria