Një shkrim i gënjeshtërt për Tiranën
Në mediat e Shqipërisë rreth një javë më parë ishte publikuar një artikull i Deborah Farinon, botuar në revistën “Mondo Viaggiare”. Sipas autores Tirana është “një nga kryeqytetet më të bukur europianë”, “një nga vendet më interesante për t’u vizituar, me referenca, monumente dhe vende historike e kulturore…” Nuk besoj në asnjë mënyrë që autorja e artikullit për Tiranën të jetë aq e pashëtitur që të ketë arritur në përfundimin që Tirana është një nga kryeqytetet më të bukura europiane.
Të paktën, nga eksperienca ime modeste, e them pa kurrfarë ndrojtje se të gjithë kryeqytetet e Ballkanit janë më të bukur e të ofrojnë shumë më tepër gjëra që të joshin për t’i vizituar se çmund të ofrojë Tirana. Nuk po flas për Athinën e mbushur me monumente të antikitetit, po Tirana, sidomos kjo e sotmja, nuk i afrohet as Beogradit, Sofjes, Zagrebit, Bukureshtit apo dhe Shkupit, ndonëse i rindërtuar nga themelet pas tërmetit të vitit 1963.
Tirana, në radhë të parë është një qytet i krijuar shumë vonë në krahasim me kryeqytetet e mësipërm dhe nuk ka objekte jo më nga antikiteti, po as nga mesjeta. Ndërsa në kryeqytetet e mësipërme ballkanike mund të vizitosh ndonjë katedrale, diku ndonjë pallat mbretëror, ndonjë universitet të ndërtuar 100, 200 vjet më parë, apo dhe ndonjë shtëpi shkencëtari a personaliteti të njohur ndërkombëtarisht, Tirana, siç shkruan Deborah Farinon, të ofron vetëm Xhaminë e Et’hem Beut dhe kullën e sahatit, tashmë dhe kjo duket xhuxhe e eklipsuar nga simotrat e saj të reja shumëkatëshe që kanë gëluar e gëlojnë nëpër Tiranë.
Tirana tashmë nuk ka asgjë për t’u ofruar vizitorëve qoftë dhe thjesht për kuriozitet, jo më të bëhet fjalë për objekte me rëndësi historike e kulturore. Në një kohë kur janë zhdukur apo masakruar dhe ato lagjet e njohura me shtëpi qerpiçi, nuk arrij ta kuptoj se çfarë e bën Tiranën “një nga vendet më interesante për t’u vizituar” siç shprehet Deborah Farinon.
Në emisionet e shpeshta të kanaleve televizive amerikane për vende të ndryshme, shpesh kam parë emisione kushtuar dhe vendeve ballkanike, fqinjëve tanë, por asnjëherë nuk më ka rënë rasti të shikoj ndonjë emision ku të bëhet fjalë për Shqipërinë ndonëse nuk i mungojnë ca vende interesante, por ama që nuk kanë asnjë lidhje me Tiranën. Duke lexuar ato ç’ka shkruan Farinon për Tiranën, të krijohet përshtypja se ajo ndoshta mund të mos ketë qenë fare në Tiranë, por opinionin e saj e ka krijuar duke lexuar, ndoshta dhe ndonjë guide turistike botim të Bashkisë së Tiranës.