Manjola Bregasi: Nëse ai ngrihet, çfarë do bësh ti zoti Rama?
Kush fitoi nga protesta sot? Kush humbi? Janë dy pyetje që implikojnë të njëjtët aktorë: banorët e Kukësit, qeverinë shqiptare, dhe firmën private. Por përtej gjithë kësaj, implikojnë tërë shoqërinë shqiptare, secilin në mënyrën e vet dhe sipas botëkuptimit të vet.
Në rrjetet sociale pashë shumë komente dhe cuditërisht statuse, që në një mënyrë a një tjetër mbështesnin protestën, pavarësisht se banorët e irrituar po thyenin, po digjinin e qëllonin me gurë.
I lexova këto komente si një dëshirë për të reaguar, pavarësisht se kohët e fundit, reagimet qytetare gjithmonë e më tepër po mjaftohen brenda mureve të ca rrjeteve sociale, që fatkeqësisht nuk bëjnë tjetër vecse cirren për vëmendje dhe duken të pafuqishëm.
E pastaj, kjo pafuqi për reagim, i jep Kryeministrit gjithë të drejtën e vetëfituar që të flasë për ngritjen e atij muhabetit, sic ka preferuar vetë ta quajë në një takim pak ditë më parë.
Sot në Rrugën e Kombit u thyen dhe u dogjën kabina. Para të një firme private, që vec të tjerash ka punësuar njerëz në atë zonë. Para që askush nuk ja kthen, e që sërish do duhet t’i investojë, në rast se taksa nuk do të ketë kthim pas.
Dhe në fakt duket se kthim pas nuk do të ketë, të paktën nëse i referohemi deklaratave të Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, që nuk vonuan aspak të gjejnë provokatorët në një ngjarje, që duhet pranuar se nis nga xhepi i gjithsecilit e që prek direkt kostot e një jete në kufijtë e mbijetesës.
Kush fitoi nga protesta sot? Me siguri jo ato makina që matanë a këtej kufirit, pas disa orësh bllokim arritën që sot të kalojnë pa paguar taksë.
Me siguri, as ata policë që u plagosën nga përballja me qytetarët dhe as ata banorë të Kukësit, që në rastin më të mirë nuk do procedohen për ngjarjen.
Me siguri as firma që do të menaxhojë mirëmbajtjen e rrugës dhe që tashmë duhet të konsiderojë dëmet e saj.
Edi Rama? Ndoshta! Tashmë të paktën e mësoi që ai ngrihet atëherë kur do, por cfarë do të bëjë Rama nëse kjo ndodh?/ opinion/