Albspirit

Media/News/Publishing

Berat Buzhala: Palaçot në krye të shtetit

Kjo mund të jetë hera e parë në historinë e shteteve moderne kur tre bartësit e institucioneve dalin publikisht dhe e mohojnë përfshirjen e tyre në një aksion banditesk që ka ndodhur në shtetin e tyre, para hundëve të tyre. Veç ky fakt mjafton që ne të dorëzohemi nga përpjekja e jonë për të bërë shtet. Kemi dështuar.

Ky nuk ishte puç ushtarak, sepse nuk ishte e involvuar ushtria. Nuk ishte e involvuar sepse nuk e kemi një të tillë. Në këtë rast, shyqyr që nuk e kemi. Por ky ishte një puç policor që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e bëri mbi institucionet e sigurisë. Për t’i realizuar ambiciet e tij të dyshimta, në fakt të errëta, Thaçi i rrasi duart e tij në polici dhe në AKI, i shkeli dhe i nënshtroi të gjitha institucionet e Republikës, duke i deportuar kundërligjshëm disa shtetas turq, që po kërkohen nga regjimi autokratik i Recep Taip Erdoganit.

Në kundërshtim flagrant me sjelljet e të gjitha shteteve të BE’së dhe SHBA’së, Presidenti Thaçi e ka orkestruar operacionin më të ndytë në Kosovë, që nga operacioni patkoi, që forcat serbe e kishin ndërmarrë në vendin tonë gjatë kohës së luftës.

Se sa i pacipë është Presidenti, flet edhe fakti që në këtë shkollë të udhëhequr nga “terroristët” është shkolluar – thuhet që pa ndonjë sukses – edhe djali i tij Endriti. Kurse, kur çdo gjë ka marrë fund, kur shtetasit turq të deportuar tash i kanë shijuar goditjet e para të forcave të sigurisë turke, del Presidenti Thaçi dhe në mënyrën më cinike të mundshme deklaron që persona të papërgjegjshëm e paskan kryer operacionin e deportimit të turqve, pa u konsultuar me askënd.

Shikoni si është puna: Shefi i AKI’së, drejtori i Policisë dhe Ministri i Brendshëm pa u konsultuar me Presidentin Thaçi nuk guxojnë të futën nën jorgan as me bashkëshortet e tyre, e lëre më të futën në aventura të tilla të rrezikshme.

Mirëpo, duke i marrë për bazë taktikat e ndyta që Thaçi i përdorur për të arritur qëllimet e tija politike, ai tash do t’i sakrifikojë edhe Driton Gashin e AKI’së, Shpend Maxhunin e Policisë, e pse jo edhe Ministrin e Brendshëm, i cili edhe ashtu assesi ta marrë vetën në këtë detyrë të lartë politike.

Duke i goditur të tretë këta, Thaçi në të njëjtën kohë do ta thërras sonte në telefonin Erdoganin për t’i pranuar nga ai ca falënderime për punën e pistë që e ka realizuar, në kurriz të kredibilitetit të shtetit të tij.

Sot u dëshmua që shtetin e Kosovës, saktësisht bartësit e tij, përveç tjerash mund t’i kontraktosh edhe për kidnapime.

Është e pamundshme të vazhdosh të shkruash edhe më tutje për këtë temë. Fjalori i gjuhës shqipe është shumë i varfër për të përshkruar gjendjen në të cilën jemi futur gjatë kësaj jave. Kjo nuk është as komedi, nuk është as tragjedi, nuk është as tragji-komedi. Kjo është një gjendje shumë e panjohur. Kjo mund të jetë hera e parë në historinë e shteteve moderne kur tre bartësit e institucioneve dalin publikisht dhe e mohojnë përfshirjen e tyre në një aksion banditesk që ka ndodhur në shtetin e tyre, para hundëve të tyre.

Veç ky fakt mjafton që ne të dorëzohemi nga përpjekja e jonë për të bërë shtet. Kemi dështuar./express/

 

Please follow and like us: