Sadik Bejko, dy poezi nga libri “Si vdes gruri”
Nga libri “Si vdes gruri”, 1994
Zogu në mbrëmje
Zog i vogël. Shi i hollë… mbrëmje.
Plaga e hapur në brinjë
njollë në të kuqe manaferre.
Me këngën në gojë më tej, më tej fluturon.
Plaga e hapur ther nën pupla, nën krahë
hesht, dhemb e pikon.
Memaliaj, 9 tetor 1978
Odise i malit
Gur i vogël sa veza e pëllumbit
Copë mjegull tis prerë nga grykat
Natë prerë nga trokitje shiu
Rrugë blerimi e humbur nën shkëmbenj.
Ta ngroh gurin… të lind zogu i fatit
Mjegullën ta lidh pisk te sytë
Nata shtydhur shpërtheftë ëndërr
Fijet e shiut më lidhshin krahët
t’ua dëgjoj sirenat shkëmbenjve..
Jam Odise i vetmuar në male
Në skajin e tejmë të dhimbjeve.
Tetor 1978
Please follow and like us: