Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta në moshën 91-vjeçare Liri Belishova, ish e fejuara e Nako Spiros

Liri-Belishova

Ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare Liri Belishova, një nga drejtueset kryesore të Partisë Komuniste që nga vitet e para të krijimit të saj.

Liri Belishova ka qenë anëtare e Byrosë Politike dhe e Komitetit Qendror të PPSH-së. Ajo lindi në Belishovë të krahinës së Mallakastrës në një familje të kamur të zonës, e bija e Kamber Belishovës, përfaqësues i krahinës në Kongresin e Durrësit. Shkollën fillore pesëvjeçare e mbaroi më 1937 në Ballsh. Më 1938 fitoi bursë që të ndiqte studimet në Institutin “Nana Mbretneshë” në kryeqytetin e mbretërisë. Kontaktet me idetë dhe materialet komuniste i pati prej kushëririt të saj, Besimit, student në Normalen e Elbasanit.

Ajo njihet edhe si gruaja që sfidoi diktaturën. Gjatë viteve 1946 dhe 1947 ajo ishte kryetare e Shqipërisë e Rinisë Popullore (Rinia Popullore). Vdekja e bashkëshortit të saj, Nako Spiru, në vitin 1946, një vetëvrasje e supozuar, çoi në shkarkimin e saj nga roli i saj dhe ajo u dërgua nga Tirana në Berat për të dhënë mësim. Pas rehabilitimit të Nako Spirus, si rezultat i ndarjes Jugosllave-Shqiptare, më 1948, Belishova u rehabilitua gjithashtu dhe u bë anëtar i Politburove të Partisë së Punës të Shqipërisë nga viti 1948 deri më 1960.

liri-belishova-300x183

 

Liri Belishova ishte një nga figurat më simpatike, më të mençura, më fisnike dhe një nga udhëheqëset kryesore të LANÇ-it dhe të pasluftës. Njëri nga bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë të këtyre 23 viteve të fundit, Kryetari i OBVL-së, Rrahman Parllaku – “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, e konsideron znj.Belishova si gruan stoike që i përballoi me dinjitet sfidat e jetës. Sipas z.Parllaku, L.Belishova kishte cilësi të rralla kulturore,

Nga Halil Rama

Nëntëdhjetë vjet më parë, më 14 tetor 1926, në Belishovë, Mallakastër, do të lindte një fëmijë që do të bënte dallim nga të tjerët për zgjuarsinë dhe guximin e saj. Ajo ishte Liri Kamber Belishova. Portreti i saj është ai  një gruaje emblematike, të edukuar, të shkolluar, të përkushtuar dhe të kulturuar në shkallën më sipërore. Si e tillë, ajo zë vendin e merituar në panteonin e nderit të kombit shqiptar. Që në fëmijëri, tek Liria spikati zelli dhe vullneti i madh për shkollën, për librat dhe dituritë. Arsimin e mesëm e kreu gjatë periudhës së Luftës Antifashiste në Institutin Femëror “Nana Mbretneshë”, dega normale, ndërsa pas çlirimit, studimet e larta i kreu për shkenca politike-sociale në Moskë, në periudhën 1951-1954. Ka marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste që në demonstratat e rinisë në prill të vitit 1939. Është përjashtuar nga shkolla për aktivitet antifashist më 1941 dhe 1943. Veçanërisht është shquar në punën me të rejat e shkollës “Instituti Nana Mbretëreshë” dhe me të tjera, duke qenë anëtare e një grupi edukativ lidhur me Grupin e Shkodrës dhe pastaj, që me krijimin e PKSH u bë përgjegjëse e aktivit të klasës e anëtare e bërthamës së shkollës. Ajo është shquar për pjesëmarrje aktive në demonstratat dhe në të gjitha format e veprimtarisë antifashiste ilegale. Si bijë e denjë e një familje me tradita të shquara atdhetare, u bë një nga veprimtaret më të shquara antifashiste të Shqipërisë.

Një protagoniste me një jetë të jashtëzakonshme

Liri Belishova ishte një nga figurat më simpatike, më të mençura, më fisnike dhe një nga udhëheqëset kryesore të LANÇ-it dhe të pasluftës. Njëri nga bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë të këtyre 23 viteve të fundit, Kryetari i OBVL-së, Rrahman Parllaku – “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, e konsideron znj.Belishova si gruan stoike që i përballoi me dinjitet sfidat e jetës. Sipas z.Parllaku, L.Belishova kishte cilësi të rralla kulturore, komunikative e propagandistike, bindëse. Ishte e aftë të bisedonte bindshëm me njerëz të natyrave dhe karaktereve të ndryshme. E edukuar në një mjedis familjar atdhetar dhe në ambient qytetar si Tirana, ajo kishte aftësi bindëse të çuditshme. Agjitatore e jashtëzakonshme, e tipit të ri antifashist, Liria e kuptonte me lehtësi hallexhiun nga fshati, qyteti apo aleatët e huaj. Ajo nuk ishte e nënshtruar dhe nuk ndjente komplekse inferioriteti ndaj askujt. Ndërsa Prof.Dr. Ana Lalaj, që ka trajtuar shkencërisht më mirë se kushdo historinë e LANÇ-it dhe të Pasluftës, në referatin e saj e sheh jetën dhe veprimtarinë e Belishovës në tri kohë. Ajo është një legjendë në kufirin e tri kohëve. Në kohën tonë moderne të globalizmit nuk bëhet fjalë për legjenda. Megjithatë, ato ekzistojnë, pavarësisht heshtjes dhe indiferencës së opinionit publik. Një protagoniste me një jetë të jashtëzakonshme është edhe Liri Belishova. Ajo është padyshim një nga figurat e shquara të historisë shqiptare, të viteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të periudhës së pasluftës dhe viteve të demokracisë e pluralizmit politik në Shqipëri.

Portreti i Liri Belishovës na shpalos një pjesë të historisë kombëtare që na bën të ndjejmë emocione. Etapat e jetës së saj lidhen me zhvillime të rëndësishme të jetës politike të vendit. Ajo kontribuoi në Luftën Antifashiste dhe pas çlirimit. Në saj të punës dhe përpjekjeve arriti të bëhet një nga drejtueset e larta të Partisë Komuniste Shqiptare, duke besuar se ajo përfaqësonte interesat e popullit e të atdheut. Por pikërisht kur konstatoi devijimin nga kjo devizë, ajo u përball egërsisht me udhëheqjen e nomenklaturës komuniste, nga e cila edhe u dënua e u trajtua mizorisht. Liri Belishova ka qenë deputete e Kuvendit të Shqipërisë që nga 1947 deri më 1961 në të gjitha legjislaturat. Më pas provoi trajtimin e keq në kampet e internimit, si shumë kundërshtarë të sistemit të asaj kohe. Nuk u ligështua dhe me fillimin e proceseve demokratike u përfshi për të dhënë ndihmesën e saj nëpërmjet Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇl (OBVL), në interes të atdheut.

Përfaqësuese e vlerave më të mira të gruas mallakastriote

Liri Belishova do të na befasonte përherë me dijet e saj të gjera e të thella, logjikën e saktë të të arsyetuarit, kujtesën e pagabueshme, interesin e jashtëzakonshëm për zhvillimet demokratikë të vendit dhe sfidat e ndryshme me të cilat përballeshim, si edhe me aftësinë e saj të mrekullueshme për të dëgjuar dhe respektuar mendimin e bashkëfolësit. Aftësitë intelektuale dhe dijet e kësaj zonje janë ruajtur brenda një shpirti të madh që nuk e ka lejuar kurrë të shajë askënd, as përndjekësit e saj të pashpirt gjatë viteve të internimit. Liri Belishova është dëshmi e njeriut të sakrificës, krenarisë dhe dhimbjes, por mbi gjithçka ajo simbolizon vetë fatin e Shqipërisë që prej Luftës së Dytë Botërore. Ajo iu bashkua luftës çlirimtare antifashiste dhe me meritë u bë pjesë e fitimtarëve të saj. Pas luftës punoi me përkushtim për ndërtimin e Shqipërisë së re, duke besuar se e ardhmja e saj do të ishte në përputhje me ato ideale të pastra e të larta që udhëhoqën brezin e saj gjatë luftës. Për më se katër dekada, Liri Belishova dhe bashkë me të edhe Familja e saj e mrekullueshme përjetoi dhimbjen e madhe të denigrimit dhe persekutimit, duke kaluar gjysmën e  jetës në kampet e burgut dhe internimit…

Vitet ‘90-të e gjetën aty ku kishte qenë në vitet e rinisë, në përpjekjet për t’í rikthyer atdheut të dashur dinjitetin, demokracinë dhe lirinë e munguar. Me një energji dhe kurajë të pashoqe, ia doli të mposhtë fatin e keq që i rezervoi koha, duke u shfaqur në 90-vjetorin e saj më e fortë, më e respektuar dhe më e nderuar nga gjithë bashkëkombësit tanë. Pikërisht për këto kontribute, Këshilli i Bashkisë Ballsh, me vendimin Nr.21 dt. 29.04.2002 i ka dhënë znj.Liri Belishova titullin “Qytetar Nderi i Qytetit të Ballshit” me këtë motivacion: “Për kontribute të shquara në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, kryerjen e detyrave të larta shtetërore mbas çlirimit dhe përballimin me dinjitet të sfidave të kohës mbas vitit 1961, përfaqësuese e vlerave dhe cilësive më të mira të tipareve të gruas mallakastriote”. Me personalitetin e shquar, të kapaciteteve të mëdha, me integritetin e saj intelektual e moral, L.Belishova i kalon përmasat e Shqipërisë.

Ajo besoi dhe dëshmoi me vepra se njeriun ne jetë e mban vetëm dija. Në miqësi me dijen, ajo mbetet si simbol i mençurisë e diturisë.

Liri Belishova, u rrit, u formua dhe mbeti patriote. Lufta Antifashiste, mbrojtja e vendit, “lufta e bërrylave’, qëndrimi në internime, krijimtaria publicistike e aktiviteti intensiv në mbështetje të proceseve demokratike e të shtetit ligjor, e forcuan karakterin e saj.

Një nga figurat më interesante, përfaqësuese e elitës intelektuale mbarëkombëtare

Liri Belishova i mbështeti fuqimisht proceset demokratike në vendin tonë, pas viteve ‘90. Ndonëse vinte e lodhur nga diktatura e egër, ajo ishte optimiste për ecurinë e proceseve demokratike, për krijimin dhe konsolidimin e shtetit ligjor.

E përndjekur, por e pa përkulur nga shtypja e gjatë, në vitin 1994, me gjithë moshën jo të re, do të mbështeste krijimin e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, duke u bërë ndër vite anëtarja më aktive e kryesisë së kësaj organizate.

Në përditshmërinë e jetës ajo ishte dhe është një nga figurat më interesante, si përfaqësuese e elitës intelektuale mbarëshqiptare.

Ajo është gruaja kurajoze që në momente të rëndësishme ka mbrojtur me mençuri e trimëri çështjen tonë kombëtare.  Liri Belishova është një figurë publike, me kontribute evidente, si në median e shkruar dhe atë vizive. Ka qenë e ftuar në disa emisione televizive të organizuara nga RTVSH, TV “KLAN”, “Nevvs 24”  etj. Gjithashtu, ka dhënë intervista, por edhe ka shkruar shumë artikuj në gazeta si te “Shekulli”, “Panorama”, “Standard”, “Korrieri”, “Rilindja Demokratike”, “Veterani” etj.

Si një ndër personalitetet e pakta që kanë mbetur gjallë, ajo ka krijuar një profil publicistik, duke sjellë ndër vite të vërtetat e hidhura të atij sistemi, shtrembërimin që iu bë idealeve të mëdha të Luftës Antifashiste, në emër të së cilës dhanë jetën e tyre të re shumë djem e vajza.

Liri Belishova, si dhe  bashkëluftëtarët e bashkëluftëtaret e saj, ndjehet krenare për kontributin e dhënë për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, dhe që ndihmuan edhe popullin vëlla të Kosovës, që me pjesëmarrjen në të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, u shkëput nga boshti nazifashist. Kështu u bë e mundur që i tërë kombi ynë t’i bashkohet Luftës së Aleancës Antifashiste të popujve të botës, që kryesohej nga Anglia, ish – BS e SHBA. Në këtë mënyrë ata bënë që flamuri ynë kombëtar të valëvitet krahas flamujve të shteteve fitimtare në Luftën e Dytë Botërore. Këtë krenari legjitime ajo e ka shprehur më së miri në tryezat e debatit e në tubimet përkujtimore, jo vetëm në Tiranë por edhe në Prishtinë, ku ka shprehur falënderim e respekt për brezat e luftëtarëve, veçanërisht për ata të UÇK-së që bënë sakrifica mbinjerëzore, deri sa arritën fitoren më të madhe historike pas shpalljes së pavarësisë, çlirimin e pavarësinë e Kosovës dhe krijimin e shtetit të saj të pavarur, si dhe fitoren e të drejtave nacionale e demokratike të shqiptarëve, kudo që jetojnë në trojet e tyre etnike, në ish – Federatën Jugosllave. Dhe nuk nguron Liri Belishova t’u shprehë mirënjohje të veçantë SHBA e vendeve anëtare të NATO-s që mbështetën luftën e drejtë të UÇK-së dhe bënë realitet këtë ëndërr shekullore të shqiptareve, ashtu si edhe luftëtarëve të UÇK të Maqedonisë, që imponuan kancelaritë perëndimore  dhe autoritetet maqedonase të inicionin dhe pranonin Marrëveshjen e Ohrit.

Liri Belishova dhe “institucioni i pendesës”

Pasi ka përjetuar një nga internimet më të egër dhe ka vuajtur skëterrshëm larg syve shuarjen e jetës së vajzës së saj, pasi më në fund është mplakur e kërrusur, Liri Belishova është ndoshta ndër të paktët që njeh “Institucionin e pendesës” . Siç shkruante para disa vitesh Ylli Polovina: “…në rast se do ta ndeshësh në rrugë, do ta shohësh me një çantë pune në dorë. Ka brenda libra dhe gjithfarë shënimesh. Në shtëpi, në tryezën e saj, kamerat dëshmojnë të njëjtën gjë. Fletët, stilografin, librat mund t’i shohësh sërish kur televizionet e intervistojnë në studiot e tyre. Ndërkohë Liri Belishova jep përgjigjet e saj të kthjellta pa harruar që herë pas here të theksojë se shumë dokumente i ka lexuar më vonë, pas viteve nëntëdhjetë, dymijë. Ajo nuk dëshiron jo vetëm t’i vdesë, por as t’i ngrijë kujtesa…Por duke qenë një ringjallje personale e emrit të saj do të ishte më e dobishme për lexuesin që t’i veçonim rastit Belishova një mesazh të nevojshëm për kohën: Pendesën. Pyetjes në ndihej përgjegjëse për faktin se kishte qenë pjesë e mekanizmit të diktaturës, ajo i është përgjigjur publikisht me fjalët “Shumë të madhe”. Pastaj argumentet: “Ne nuk i realizuam premtimet që i dhamë popullit për një Shqipëri demokratike dhe të begatë”, “Ne i shkaktuam popullit shumë dëme dhe pjesa më e dhimbshme patjetër kanë qenë represionet”. Pyetjes se “megjithatë, ende askush, nuk ka kërkuar një falje publike” Belishova i përgjigjet “Falje duhet t”i kërkojnë popullit të gjithë ata që kanë qenë anëtarë të Partisë e sidomos udhëheqësit e saj. Veçanërisht ata që personalisht janë përgjegjës për faje të renda e krime”. Pastaj citon se nga përfaqësuesit e sistemit të kaluar falje publike kanë kërkuar deri tani Bedri Spahiu apo Rahman Parllaku. Ajo vetë: “Unë gjej rastin edhe njëherë të kërkoj ndjesë, t’u kërkoj falje jo vetëm viktimave, por gjithë popullit tim, sepse duke u nisur t’i bënim mirë popullit, i shkaktuam shumë dëme”.

Please follow and like us: