Ermal Meta, mesazh për shqiptarët: Jini krenarë sepse keni vlera!
‘Eurovision 2018’ u mbajt në “Altice Arena” të Lisbonës, në Portugali.
Njëzetegjashtë shtete të ndryshme garuan këtë vit me përfaqësuesë të shumtë, teksa tre prej tyre janë shqiptarë.
Italia u përfaqësua nga këngëtari i njohur shqiptar, Ermal Meta, së bashku me këngëtarin italian Fabrizio Moro.
“Non mi avete fatto niente” titullohet kënga e tyre, e cila në shqip përkthehet “Nuk më keni bërë asgjë”.
Ermal Meta në një prononcim të shkurtër për portalin Lajme.al ka rrëfyer emocionet e natës finale, duke thënë se u ndje i lumtur që ka rastin të ngjitet në një skenë të madhe si ajo e “Eurovisionit.
“U ndjeva mirë dhe mezi po prisja që të shkoja në skenë. U ndjeva i nderuar që e përfaqësova Italinë në këtë Eurovision që ishte plot me këngë të mrekullueshme”, tha Ermal Meta.
Në vazhdimin e bisedës, ai tregoi se tematika e këngës së tyre është shumë sociale, ndaj shpreson që publiku të reflektojë nga mesazhi që përçon ajo.
“Kënga jonë ashtu siç e thotë edhe veti titulli “Ti nuk më ke bërë asgjë”, iu drejtohet terroristëve, duke u thënë atyre, se ata nuk mund të na bëjnë asgjë, jemi më të fuqishëm se asnjëherë”, ka thënë tutje këngëtari Meta.
Ermali, i cili nuk ishte shqiptari i vetëm në këtë “Eurovision”, i pyetur nga Lajme.al se cili është mesazhi i tij për bashkë-atdhetarët, ai tha se u dërgon një përshëndetje të ngrohtë të gjithë atyre që e mbështesin.
“Dërgoj një përqafim të madh për të gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptarë, dhe shpresoj se ata janë shumë krenarë për atë që janë: të talentuar, të lumtur dhe plot me vlera të mira”, ka përfunduar Ermal Meta.
Përveç Ermalit, në “Eurovision” këtë edicion performuan Eugent Bushpepa që përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Mall”, dhe Eleni Foureiran e Qipros me “Fuego”.