Shqipëria merr pjesë në transferimin e ambasadës amerikane në Jeruzalem
Midis 33 ambasadorëve do të jetë dhe ambasadori shqiptar në Izrael, Bardhyl Canaj.
Edhe pse Shqipëria nuk votoi në Kombet e Bashkuara pro vendimit të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, ajo do të jetë e pranishme në ceremoninë që do të organizohet sot në mbrëmje nga Ministria e Jashtme e Izraelit, në vigjilje të hapjes së ambasadës amerikane, të programuar për ditën e hënë, më 14 maj.
Lajmi konfirmohet nga gazeta e madhe izraelite “Times of Israel”, e cila bën të ditur se midis 33 ambasadorëve dhe të ngarkuarve me punë, do të jetë dhe ambasadori shqiptar në Izrael, Bardhyl Canaj.
“Një numër vendesh nga Europa Lindore dhe Qendrore parashikohen të marrin pjesë: Shqipëria, Gjeorgjia, Ukraina, Çekia, Hungaria, Rumania dhe Serbia”, shkruan “Times of Israel”.
Në eventin e mbrëmjes së sotme do të jenë edhe kryeministri i Izraelit dhe delegacioni i lartë amerikan.