Albspirit

Media/News/Publishing

Kreu i KMSH urim për muajin e Ramazanit

Praktikanët e besimit musliman nisin të mërkurën muajin e agjërimit, privimit me vetëdije nga ushqimi prej agimit deri në perëndim të diellit. Muaji i agjërimit mbyllet në 14 qershor.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj ka uruar të gjithë besimtarët me rastin e këtij muaji, më të rëndësishmit në fenë islame sa i përket dedikimit ndaj besimit dhe sakrificës për Zotin.

Urimi:

Bismilahi Rrahmani Rrahim

Me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë kudo që ndodheni, në Shqipëri, në trevat Shqiptare, si dhe në mbarë botën. Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, por edhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë dhe nderin t’ju uroj gëzuar muajin e begatë të Ramazanit.

Nesër me datë 16 maj është dita e parë e muajit të madhnueshëm të Ramazanit, është dita e parë e agjërimit të këtij muaji ku mbizotëron paqja, solidariteti dhe ku dalin në pah vlerat që simbolizojnë moralin e lartë shoqëror.

Agjërimi në Islam është institucion i përmirësimit të karakterit moral e shpirtëror. Agjërimi i muajit te Ramazanit i afron besimtaret me shume me  vlerat e dashurisë, respektit ndaj tjetrit, bamirësisë, sinqeritetit.

Çdo besimtar gjate ketij muaji ndjehet më afer dhe më mirënjohës ndaj mirësive të Zotit te Boterave

Të nderuar vëllezër e motra!

Ne nuk duhet të harrojmë se njerëzit sot kanë nevojë për mëshirë, duke agjëruar ne bëhemi më të mëshirshëm. Shoqëria jonë sot ka nevojë për drejtësi, duke agjëruar ne bëhemi më të drejtë. Familja jonë ka nevojë për dashuri dhe ngrohtësi, duke agjëruar ne bëhemi më të dashur. Të afërmit dhe fqinjët tanë sot kanë nevojë për përkrahje, duke agjëruar ne bëhemi më të ndjeshëm ndaj halleve dhe nevojave të tyre.

Ne kemi nevojë të pendohemi për gabimet tona, dhe kur jemi agjërushëm është momenti më i volitshëm ti kërkojmë Zotit falje. Allahu thotë në Kur’an:

“O robërit e Mi, që e keni ngarkuar veten tuaj me mëkate, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut, sepse vërtetë Allahu i falë të gjitha mëkatet. Ai është që falë shumë dhe i mëshirshëm”

Te nderuar besimtarë!

Ramazani është një ftesë hyjnore për të gjithë ne, për të trokitur në portën e Mëshirës së Pafundme, të të Gjithëmëshirshmit, një rrugëtim drejt edukimit moral e shpirtëror, drejt maturimit te zemrave, drejt fisnikërimit te ndjenjave drejt njohjes së përgjegjësive tona në raport me Krijuesin e Gjithësisë, me veten, familjen, të afërmit dhe shoqërinë.

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare kudo që ndodheni, ju uroj përzemërsisht edhe një herë muajin e begatë të Ramazanit. Zoti na dhëntë shëndet, paqe dhe begati në familjet tona dhe në mbarë shoqerinë!

Please follow and like us: