Albspirit

Media/News/Publishing

Vlorë, policia s’lejon izraelito-amerikanen të hyjë në shtëpinë e saj të uzurpuar

“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së martës një skandal në Policinë e Shtetit. Një shtetase shqiptare e amerikane, me kombësi hebreje, u ankua se Policia e Vlorës e shoqëron sa herë që tenton të futet në shtëpinë e saj, që e ka me hipotekë.

Rashel Sollomoni ka bërë 4 kallëzime penale në Policinë e Vlorës, kundrejt shtetasit Saimir Selimi. Sipas saj, ky shtetas i ka uzurpuar një apartament banimi në qytetin e Vorës, në Zonën Kadastrale 8.603, me adresë “Rruga Sadik Zotaj, godina 1.104, hyrja 1”, me sipërfaqe 73.4 metra katrorë, me pronarë Neti Loni Matathia dhe Rashel Loni Sollomoni.

Kallëzimin e parë e ka bërë në datën 23 mars 2018. Më pas ka bërë kallëzime në muajin prill dhe në muajin maj.

Ajo tregon se gjyshërit e saj kanë ardhur nga Greqia dhe janë vendosur në Vlorë. Pas mbylljes së kufijve, pas Luftës së Dytë Botërore, familja e saj qëndroi në Vlorë. Familja mori në administrim një apartament në Vlorë, të cilin e hipotekuan. Në vitet ’90, kur u hapën kufijtë, Rasheli dhe e motra, Neti, emigruan drejt Izraelit, ndërsa prindërit e saj një vit më vonë. Por, gjatë kësaj kohe, apartamenti i saj në katin e parë u uzurpua nga një familje, që dikur kishin qenë komshinj.

Familja e saj ka hapur disa procese gjyqësore në Gjykatën e Vlorës, Apel, e deri në Gjykatën e Lartë, ku rezulton se është bashkëpronare me të motrën e këtij apartamenti. Madje ka edhe një certifikatë pronësie të lëshuar më 13 dhjetor të vitit 2017, ku rezulton pronare. Ajo thotë se, sa herë që shkon në këtë apartament, Policia e Vlorës e shoqëron atë dhe jo personin që ia ka zënë.

Pas denoncimit, “Fiks Fare” shoqëroi zonjën në këtë apartament. Menjëherë sapo shkoi atje, ajo debatoi me personin që ia kishte uzurpuar, Saimir Selimin. Ai i tha të mos tentonte ta hapte, pasi do të lajmëronte policinë. I telefonoi ndërkohë policisë dhe i tha se ka ardhur sërish shtetësja në fjalë. Madje e fotografoi dhe ua dërgoi punonjësve të policisë. Nga ana tjetër, zonja Rashel kishte marrë masa për ta hapur shtëpinë, pasi kishte marrë me vete edhe një marangoz.

Pas disa momentesh, në vendngjarje mbërrin një agjent policie, i cili i kërkon zonjës Rashel të mos tentojë të hapë shtëpinë, pasi do ta shoqëronte në komisariat. Ai thërret një furgon policie dhe, bashkë me marangozin, i shoqërojnë ata në polici. Ndërkohë, për denoncuesin, policët u thanë atyre se do të vinte vet.

Gjatë kohës së shoqërimit, “Fiks Fare” kontaktoi me zëdhënësen e Policisë së Vlorës, së cilës i treguan për shoqërimin e zonjës Rashel Sollomoni. Ajo u përgjigj se “është proceduar penalisht për shkatërrim të pronës”.

Pas më shumë se tri orësh e shoqëruar, zonja u lirua. Edhe pse tha se u shoqërua vetëm ajo dhe marangozi, ndërsa denoncuesi erdhi vet. Në fund, izraelito-amerikania tha se apartamentin e ka me certifikatë pronësie. “Fiksi” kontaktoi sërish me zëdhënësen e Policisë së Vlorës, duke i bërë të ditur se zonja Rashel Sollomoni pretendonte se prona është e saj. Ajo iu përgjigj gazetarëve se “banesa është në pronësi të një shtetasi tjetër. Për pjesën e pronësisë, palët janë në proces gjyqësor në Gjykatën e Lartë, Tiranë”. Gazetarët e “Fiks Fare” i dërguan asaj të gjitha vendimet e gjykatave, nga Shkalla e Parë deri në Gjykatën e Lartë, ndërsa zëdhënësja u shkroi se “çështjet i ka Prokuroria si rast”.

“Fiksi” pyeti prokuroren e Vlorës, Flora Çela, e cila është koordinatore e informimit, e cila u tha gazetarëve se në vitin 2017 është regjistruar një procedim për falsifikim ndaj zonjës Sollomoni, por çështja është pushuar. Sipas saj, për kallëzimet e fundit për thyerje e dhunim banese, Prokuroria ka vendosur të mos fillojë hetime, pasi janë konflikte që zgjidhen në gjykatë. Në lidhje me kallëzimin e bërë nga zonja Sollomoni për vetëgjyqësi, prokurorja tha se çështja është ende në verifikim e sipër.

Pra, në të gjitha rastet, Prokuroria nuk po e heton zonjën Sollomoni për shkatërrim prone, siç pretendon Policia e Vlorës.

Please follow and like us: