Albspirit

Media/News/Publishing

Kë shqetëson prezenca e Turqisë në Ballkan?

Turqia vijon të renditet ndër temat kryesore të mediave Perëndimore që e shohin Ankaranë si një kundërshtar të fortë të Bashkimit Europian në rajonin e Ballkanit. Kështu gazeta gjermane Die Welt e konsideron presidentin turk si kujdestar të muslimanëve të Ballkanit. Gazeta merr shkas nga takimi elektoral i Erdogan në Sarajevë, duke nënvizuar se të gjitha vendet e BE kanë ndaluar presidentin turk të bëjë fushatë në  këto shtete, ndërsa në Bosnje-Hercegovinë nuk kishte asnjë problem.

Erdogan u bëri thirrje turqve në Evropë “të angazhohen në partitë politike të vendeve të tyre” për t’i shërbyer interesave të Turqisë. Në këtë frymë, citon gazeta Erdogan po përpiqet për shumë vite të fitojë edhe muslimanët e Ballkanit. Ai vepron si një kundërshtar i BE në rajon për të mbajtur armiqësitë e vjetra mes serbëve, kroatëve, boshnjakëve, të krishterëve dhe muslimanëve.

Masakra e Srebrenicës, në sytë e muslimanëve të Ballkanit është një simbol i mizorive serbe në luftën civile të viteve ’90, ndërsa narrativa turke e paraqet  si një simbol të mizorisë së krishterë. Referuar deklaratës së Erdogan se “Ne duhet të jemi kudo ku dikur ishin të parët tanë”- Die Welt shkruan se presidenti turk e sheh veten si trashëgimtar shpirtëror të sulltanëve osmanë dhe si mbrojtës i myslimanëve të Ballkanit.

Ndërsa Zëri i Amerikës në një shkrim me temë “BE dhe investimet turke në Ballkanin Perëndimor” sjell shembullin e qytetit të vogël serb të Krupanjës, që sipas ZA është duke kërkuar investitorë jo në Mynih apo Paris, por në Stamboll – një shenjë e ndikimit në rritje të Turqisë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, që shqetëson disa shtete të BE-së.

“Investitorët turq deri tani kanë investuar më shumë se 100 milionë euro dhe punësojnë rreth 8,000 punëtorë. Ajo që është interesante me investitorët turq është se ata investuan kryesisht në zonat e pazhvilluara në Serbi, që do të thotë në zonat ku nuk ka punë”, thotë Marko Cadez, kreu i Dhomës serbe të Tregëtisë.

Vëllimet e tregtisë mes Turqisë dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë të hyjnë në BE, janë rritur vazhdimisht, duke u rritur nga 435 milionë dollarë në 2002 në 3 miliardë dollarë në vitin 2016. Me 340 milionë euro të investuara në Kosovë, shumica për të blerë një aeroport dhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë, Turqia është investitori i tretë më i madh në vend.

Please follow and like us: