Estradë në Korçë dhe Tiranë, Vllaznia bie nga kategoria
Pasditen e sotme është luajtur java e fundit e kampionatit të 79-të kombëtar të quajtur ndryshe Kategoria Kryesore dhe e gjithë vëmendja e sportdashësve shqiptarë ishte te dy ndeshje: Partizani – Kamza dhe Skënderbeu – Vllaznia. Në këto dy sfida luhej e ardhmja për dy skuadra udhëtuese për të vendosur se kush do të binte nga kategoria. Dhe tashmë është zyrtare, Vllaznia ka rënë nga kategoria për të tretën herë në historinë e saj. Një ditë e zezë për futbollin shqiptar, pasi ka humbur një nga skuadrat më me histori.
Vllaznia bëri gjithçka për të mbijetuar, duke fituar dy ndeshjet e fundit ndaj dy skuadrave kryesuese të kampionatit si Kukësi dhe tani Skënderbeu. Ndeshja e luajtur në Korçë nuk kishte shumë histori. Ishin shkodranët ata që kaluan në avantazh të dyfishtë falë golave të Xhevahir Sukaj dhe Arlind Kalaja në një hark kohor brenda nëntë minutave. Skënderbeu rihap takimin në pjesën e dytë me Gripshin por goli i Çinarit vetëm disa minuta më pas ka vulosur fitoren e miqve. Dhe dy të tjerët që pasuan të shënuar nga Malota dhe Çinari ishin më tepër gola ngushëllues ndaj një Skënderbeu të pamotivuar dhe me shumë lojtarë të stolit.
Një fitore që nuk ka vlejtur për asgjë pasi Kamza ka mposhtur Partizanin në kryeqytet me rezultatin e ngushtë 1-0. Goli i vetëm i takimi është shënuar nga Rezi në minutën e 48’. Ai ishte futur në fushë vetëm tre minuta më parë, por ishte vendimtar që në fillim duke i dhuruar qëndrimin në Superiore ekipit të tij.
Ndërkohë Laçi dhe Luftëtari kanë siguruar një vend në Europë pas fitoreve ndaj Teutës dhe Lushnjes. Laçi fitoi me një rezultat të thellë 4-1, ndërsa Luftëtari 2-0 ndaj vendit të fundit.