Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Europianët shohin hijen e Erdoganit tek ne

 

Që opinioni europian nuk e ka me qejf lidhjen e Edi Ramës me Erdoganin, kjo u vërtetua edhe nga intervista e tij më e fundit për televizionin Francë 24. Dhe gjykojeni vet që gjithë këto ditë, Franca, është përfshirë nga një indinjatë publike për shkak të influencës që Erdogani kërkon të imponojë kudo në Europë, përmes komuniteteve turke edhe në lidhje me shtypin e lirë. Kjo për faktin se një revistë franceze e cilësoi si diktator, madje duke publikuar në faqen e parë, një foto të tij. Dhe siç e ka zakon Erdogani, i drejtoi gishtin qortues edhe Francës. Por përgjigja i erdhi e menjëherëshme nga vet Emanuel Macron-i, presidenti në detyrë, i cili midis të tjerave i tha se në Francë fjala e lirë nuk përligjet me asnjë lloj çmimi. E bëri këtë vitin e kaluar me Gjermaninë kur u përpoq të bënte fushatë elektorale në zgjedhjet e vjetshme në Turqi. E bëri me Hollandën pak muaj më parë, në shkurt të këtij viti, vetëm pse kjo njohu gjenocidin turk të prillit 1915, karshi popullit armen. Pa lënë mënjanë të ashtuqujtuarin sipas tij grusht shteti atë vitit 2016 nga gylenistët apo lëvizja Hizmet. Megjithëse sipas shtypit në botë, qysh pas ngjarjeve të këtij të ashtuqujtuari grusht shteti, arrestimeve të shumta, pa bërë përjashtim edhe gazetarët…, apo arsimtarët si rasti i Kosovës kur nga Ankaraja erdhi posaçërisht vetëm për gjashtë mësues, një çarter special…, shifra e nivelit të inflacionit në Turqi është dyfishur. Erdogani po përpiqet t’i heqi së fundi edhe pavarësinë bankës kombëtare. Ose më saktë të luaj blofet edhe në ekonomi, siç edhe po bën me thirrjet drejtuar turqëve që çdo cent euroje a dollari ta kthejnë në lira turke, edhe pse monedha vendase ka rënë në pikjatë.
Në fakt të gjitha këto janë blofet politike të Erdoganit, që kudo mund të ngjizin. Sidomos në botën rurale lindore një shumicë dërrmuese me ithtarë fanatikë të islamizmit. Gjë që u faktua edhe me zgjedhjet e vjetshme atje, ku qendrat urbane ato të mëdhatë nuk e votuan. Kurse ruralet po, me shumicë dërrmuese. Dhe kjo është e vërteta e fitoreve të tia, ruralizmi dhe fanatikët e fesë. Mirëpo Shqipërisë i ka rënë për pjesë, nga ky dishepulli ynë. I cili edhe pse e njeh Francën për shkak të bonusve që i dha familja dhe soji i nomeklaturës nga ai rrjedh, i përdridhet pyetjeve dhe përgjigjet thatë. Ne e mirëpresim çdo investim. Që në mendësinë perëndimore ka kuptimin që, qofshin këta investitorë kushdo, madje edhe nga bota e drogës apo e krimit. Shqipërisë nuk ka çfarë i duhet burimi, por paratë e tyre. Një diletantizëm politik që na nxjerr gjithmonë me gisht në gojë. Dhe na deshi Zoti, që mllefit të shefit të qeverisë së shqiptarëve, dhëmbët ia mbajtën që nuk e quajti gazetaren kazan dhe të ngrihej e të ikte, ashtu siç bëri me atë çupën nga Tepelena. Nga ana tjetër i shkon kaq për shtat politikës së Taulant Ballës dhe Erisa Spiropalit, kur thonë se, sikur në qershor negociatat me Europën të mos çelen, fajin e ka opozita që proteston. Jo qeveria, e cila bashkë me Shqipërinë, ka ndërmend t’i ofrojë Europës tërthorazi edhe Erdoganin. Eshtë kumti më i mbrapshtë, por që dëshmoi qartë se sa e mirëimformuar është bota perëndimore karshi nesh. Dhe a do t’i kapërdijë dot blofet tona propogandistike si lirimet nga salla e gjyqit me ceremoni eskortash policore të shtetarëve të akuzuar për lidhjet me botën e krimit dhe të drogës?! A do t’i kapërdijë dot firmat publike, për asgjësimin e parave offshore, pronave të pajustifikuara etj…, të ujqërve që ruajnë kopenë?! A do ta bëj këtë sakrificë të jashtëzakonshme për ne? Ku ta dish? Kjo mbetet për t’u parë.

Please follow and like us: