Albspirit

Media/News/Publishing

Aleksandër Pushkin: Kujtoj me mall një çast gëzimi

 

 

 

Kujtoj me mall një çast gëzimi

Përpara sysh mu shfaqe ti

Si vezullim i një vegimi

Si ëngjëll plot me bukuri.

 

N’andralla jete zhurmëkotë

Me dhimbje brengash e mërzi

Më grishte larg fytyra jote

Dhe zëri yt plot ëmbëlsi.

 

Nga shqotë e kohërave që shkuan

Kështjell’ e ëndrrave mu shemb

Me mjegull vitet ma mbuluan

Fytyrën tënde, zërin tënd.

 

Ç’i ngrysa ditët gjithë brengë

I zymtë dhe në shkretëti

Pa perëndi, pa shpresë e këngë

Pa lotë, jetë e dashuri.

 

Por ja! Më shkrepi prap agimi

Se përsëri u shfaqe ti

Si vezullim i një vegimi

Si ëngjëll plot me bukuri

 

Dhe rreh me gaz kjo zemra ime

Sepse iu kthyen përsëri

Dhe perëndi, dhe frymëzime

Dhe lotë, e jetë, e dashuri.

Please follow and like us: