Albspirit

Media/News/Publishing

ANSAMBLI ‘KUVENDI” I ZALL DARDHËS

ANSAMBLI ‘KUVENDI” I  ZALL DARDHËS   NJË  VLERË  E  MADHE E FOLKLORIT  DIBRAN DHE MBARË SHQIPTAR

 

Shpirti artistik  i  familjes  së  shquar Ndreu, një dimension jo i panjohur, por që duhet të marrë vlerësimin e merituar  mbarë kombëtar

 

 

Me shkrimtarin dhe publicistin Halil Rama kemi shkruar dy libra për Zall Dardhën e Dibrës, e cila njihet për kuvendin e famshëm të luftës kundër pushtuesve turq e serbë si dhe për Ansamblin  Artistik “Kuvendi”, librin kushtuar kompozitorit të mirënjohur Muharrem Xhediku dhe monografinë kushtuar luftëtarit Bajram  Ndreu.

Rrallë qëllon që një krahinë relativisht e vogël e një vendi të vogël të nxjerrë njerëz kaq të mëdhenj siç ka nxjerrë krahina e Dardhës së Dibrës.

Të mëdhenj e  të shquar në luftën kundër pushtuesve të huaj, ndërmjet tyre do të përmendim Hysen Ndreun e Dardhës,  Elez Isuf Ndreun, Isuf Xhelil Ndreun, Cen Elez Ndreun, Dali Sufë Ndreun, Esat Ndreun dhe dhjetra burra të shquar të familjes së shquar patriotike Ndreu.

Të mëdhenj e  të shquar në fushën e artit popullor, muzikës e valleve popullore.   Në këtë zonë lindën dhe u rritën njerëz që lanë gjurmë në muzikën etnike shqiptare si Muharrem Xhediku, Hazis Ndreu, Skënder Cala, Lirie Rasha, Qerim Sula, Caje Poleshi, Xhelal Çerpja, Sherif Dervishi, etj.

Jo rastësisht, Zall Dardha quhet djepi i artistëve. Mund të duket e çuditshme, madje e pabesueshme, por thonë, që ndryshe nga e gjithë bota ku fëmijët lindin duke qarë, në Zall Dardhë të Dibrës, fëmijët lindin duke “kënduar”, thekson autori Rama. Në Zall Dardhë nuk ka shtëpi që nuk ka vegël muzikore popullore, çifteli, fyell, dajre etj.

Nga familja dhe Fisi Ndreu janë me dhjetra burrat, gratë, djemtë dhe vajzat që  kanë marrë pjesë dhe kanë dhënë kontributin e tyre në krijimtarinë popullore të Dardhës, por në këtë libër autori Halil Rama, nëpërmjet rrëfimeve dhe intervistimeve të artistit Lutfi Ndreu, një nga protagonistët e këtij ansambli të shquar, pjesëmarrës në disa festivale  kombëtare të Gjirokastrës, paraqet tërë arsenalin e punëve të shquara të këtij artsiti dhe të këtij ansambli të shquar.

Në libër protagonist Lutfi Ndreu del plotësisht i arrirë si artist, si arsimtar, si poet, si valltar e koreograf, si luftëtar i të drejtave të njeriut e i luftës kundër së keqes. Në fund të karierës dhe të punës, Lutfiun e shohim edhe si politikan, si inciator dhe kryetar i  Partisë Demokratike  të zonës.

Jeta e Lutfiut është një jetë plot peripeci e të papritura, që lexuesi do t’i lexojë gjatë librit, por të bien në sy takime të tilla si ai me shkrimtarin e madh Haki Stërmilli, ai që do të bëhej më vonë idhulli i tij, takimet me artistin e merituar Haziz Ndreu dhe bashkëpunimi me të, veprimtaritë artistike në ushtri megjithë “njollën” në biografi të vendosur nga sistemi diktatorial etj.

Lutfi Ndreu e kishte Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës si shtëpinë e vet, si shtëpinë e kulturës së Peshkopisë apo të Zall Dardhës dhe mbi të gjitha Lutfiu kishte brenda shpirtit të tij një gurrë të pashtershme krijimtarie, një minierë ari krijuese, por i detyruar të shkruante herë me emër e herë anonim. Shumë këngë të këtij festivali kombëtar e këngë të këngëtareve të mirënjohura Lirie Rasha e Caje Poleshi mbajnë firmën e Lutfi Ndreut, ndonëse njihen si krijime të popullit.

Prandaj shkrimtari Halil Rama e nxiti dhe e ngriti skeletin dhe themelet e këtij libri, mbi rrëfime e veprimtari konkrete, një libër, ndonëse të thjeshtë, por që flet shumë. Autori Rama është tashmë një autor i sprovuar në libra të zhanrit të tillë biografik, por pa u bërë aspak të bezdisshëm e lavdërues të tipit:”A doni më për Belulin ?”, sepse ky libër nuk është vetëm libër për jetën artistike dhe të vështirë të Lutfi Ndreut, por edhe një monument për të gjithë ata artistë popullor të Ansamblit “Kuvendi”.

Një e veçantë e krijimtarisë së L.Ndreut është edhe mbështetja në popull dhe në krijimtarinë e tij. Ja  si shkruan Ndreu:

“….Po s’i dite prefiksin Dibrës/Mos i bjer numrit kot/Se çdo fjalë që aty flitet/Në vetvete e ka një kod…”.

Pra në këtë libër ka edhe një mesazh shumë të rëndësishëm për të gjithë, mesazhi për njohjen e kodit të bisedimit me popullin. Duket moralizuese, por nëqoftëse  e di mirë këtë kod, do të jesh i suksesshëm në çdo fushë dhe në çdo kohë.

 

Sakip  Cami

Shkrimtar dhe publicist                      

 

 

Please follow and like us: