Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Qershi të kuqe

 

 

Buzët e tua janë dy qershi të kuqe guri-
e forta e ëmbla e kuqja nga dheu,
shtrydhur në dy buzë me lëng.

Qershi në drurë të lashtë si brinjë prej baltës së Adamit hyjnor,
Qershi të përkohshme kopshti, buzëve pjekur,
në krejt trupin tënd
lëng, ëmbëlsi, dritë…
Kjo është si të shlirosh nga shkëmbinjtë ujë,
Një lumë të fjetur nga aq ashpërsi.

Kurrë nuk do ta di sa të bukura janë qershitë e një stine,
As fajtor nuk jam që më pëlqejnë qershitë
pa faj pjekur në buzët e tua
varur atje larg si gjithë qershitë në botë
shpate lugina, male, (në trupin tënd),
pjekur dhe motin që vjen
Dhe më përtej viteve në kuqëlim stinë pas stine
përjetësi e qershinjtë e buzëve të tua.

Sonte, larg mendjen nga ti.
Me miqtë, me ca gota para, do të ndjekim finalen
e kampionatit botëror të futbollit.

Po nesër?

Nesër qershitë do të jenë në pemë..
Do të rrëzëllijnë me buzët
vesuar, varur në purpurin e ri të agimit,
në të kuqen e paperënduar tej gjumit e zgjimit.

Kështu kjo botë është bukur:
kështu ne burrat jemi ngjizur ndër shekuj.
Nga e kuqja prej peme e trupit të gruas
nga qershi buzë gruaje ardhur
drejt në të kuqen prej foshnje
në ditën tonë të krijimit.

14 korrik 2014

Please follow and like us: