Shuhet Fadil Hasa, vlerësime nga Zef Deda, Edi Oga, Lorisa Ylli, Sokol Terihati, Seit Damjani
Vlerësime për Fadil Hasën nga Zef Deda, Edi Oga, Lorisa Ylli, Sokol Terihati, Seit Damjani
Një tjetër aktor i madh i skenës shqiptare ka ndërruar jetë. Aktori i njohur i humorit Fadil Hasa ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë në mushkëri. Homazhet pritet të zhvillohen nesër në qytetin e Durrësit në orën 10 deri në 11 në Teatrin e Durrësit “Aleksandër Moisiu. Hasa mbante titullin “Artist i Merituar”, ndërsa kishte marrë 4 herë titullin “Artisti më i mirë”. Lindur më 1940, Hasa ka luajtur shumë role në filmat shqiptarë dhe teatro. Hasa ka luajtur një numër të madh rolesh, duke shenjuar kështu në historinë e humorit dhe komedisë shqiptare. Hasa ka luajtur rolin emblemë të “Mao ce Dun”, në vitin 2007, rol ku ka marrë edhe titullin “Aktori më i mirë”. Rolet e tij i kanë dhënë një vlerësim nga publiku, nga mënyra sesi aktori Hasa trajtonte problemet e shoqërisë shqiptare me nota humori. Ka luajtur role te ndryshme ne komedi, skece, parodi e pantonima, dialoge e forma te tjera te humorit. Per publikun shqiptar te njohura jane disa role si Lushi ne “Sheqer, sheqer” ; Rrema tek “Or ti i kshillit”; Hamdia ne “Mysafiri i paftuar”; tek monologu “Qyli” e plot te tjera. Pjesa “Dajrja”, krah kolegut Muharrem Hoxha, mbetet e paharruar, e po kështu edhe të tjera pjesë, si “Tekniku i lavatriçes”, “Tungjatjeta pelivan”; apo copëza humori, të cilat shfaqeshin për natën e fundvitit në ekranin e televizionit publik shqiptar, mbeten edhe sot, si perla të humorit. Ka marre pjese ne disa telenovela te realizuara mbas viteve 2000 ndonese pa patur suksesin e dikurshem si “Opingat e Sheros”; “Trapi i vjeter” (2005); “Lutja e dashurise” (2005). Ka luajtur edhe në filma artistike si : Zëvendësi i grave (1987) roli i Shabanit; Mao Ce Dun (2007) roli i Hekuran Romalinit; Kronikë provinciale (2009). Vendlindja e tij është Kruja, por ai njihet nga të gjithë si Fadili i estradës së Durrësit.
Zef Deda: Lamtumirë kolegu im, miku im!
Lajm i keq. Fadil Hasa nuk do jetë më mes nesh. Lamtumirë kolegu im, miku im. Ishte kënaqësi që ndamë bashkë një pjesë të historisë së humorit në vendin tonë. Do mbetesh i paharruar, jo vetëm për ne, por edhe per publikun, që aq shumë të deshi.
Lamtumirë i dashur Fadil, shpirti jot pushoftë në paqe.
Edi Oga: Artist lind, nuk bëhesh!
Artist lind, nuk bëhesh!
Ndër më të mëdhenjtë e humorit shqiptar!
Kam qeshur pa fund me të. Sot më duhet të trishtohem dhe të ngushëlloj të afërmit.
Qofsh i parajsës!
Lorisa Ylli: U prehsh në paqe, Fadil Hasa!
Ngushëllime të sinqerta familjarëve për humbjen e aktorit të madh të estradës së Durrësit, Fadil Hasa. Një humbje e madhe për qytetin e Durrësit jo vetëm si artist por për këdo që e njohu nga ana njerëzore.
Ashtu i qeshur dhe pse me zemër të thyer sa herë e takoje, besoi shumë në demokraci ato fillim vite dhe dha shumë dhe pse mori shumë pak nga kjo jetë. Pengu më i madh sa here e takoje mbeteshin pronat që për fat të keq nuk i gezoi deri ditët e fundit të jetës.
Ça bëhet mi xhaxh se nga ju i kemi sytë, t’i gëzoni t’paktën ju ato prona… ehhhh dhimbje pafund!
Sikur të mendonin më shumë për vdekjen këta që e kanë mbërthyer Shqipërinë, Fadili e shumë të tjerë s’do iknin zemërthyer nga kjo botë. Jemi njësoj kalimtarë të gjithë, edhe ju që i mohoni pronën të zotit. Prindërit tanë po ikin një nga një, por kthetrat e juaja vetëm trashëgohen.
U prehsh në paqe! Siç kishe humorin, kishe dhe shpirtin.
Sokol Terihati: Gjigandët e artit nuk ndahen kurrë nga jeta!
U nda nga jeta!…
E kemi gabim.
Këta gjigandë të artit, e kanë këtë privilegj sublim. Ata nuk ndahen kurrë nga jeta!
Ata janë kudo, në mendjen, zemrën e miliona njerëzve.
Janë në ekrane, video, kaseta, you tube, kudo, kudo ku ka jetë…
E si u ndakan pra nga jeta, jo jo ata janë sa të ketë jetë…
Sidomos ata si puna e Fadilit, që na rritën me të qeshura edhe kur kudo përreth ishte errësirë…
Thjesht nuk do pimë dot më kafe me të…
Nuk të them lamtumirë miku im, se mund të të takoj sa herë të dua në ekran…
Sidomos, këtu, ku ka gjithandej nevojë për humorin tënd brilant…
Gjithsesi, faleminderit miku im, për gjithçka që bëre për ne!
Seit Damjani: Të qoftë dheu i lehtë, i madhi Fadil Hasa!
U shua dhe një ikonë e humorit…U shua pa u ndjerë, në errësirë të plotë…Po ikin artistët e mëdhenj një e nga një…Po ikin në heshtje, por duke lënë pas një histori të tërë me jetët dhe veprat e tyre. Përse kjo heshje e plotë?! Përse kujtohemi për ta ditën kur ato si korifejt ngjiten lart në qiell!? Shteti, shoqëria duhet t’i mbajë “gjallë” ato dhe në vitet e fundit të jetës së tyre. Mos vallë koha dhe arti “modern” kërkon “hakmarrje”!? Joooooooo…Ju do të mbeteni memorja e gjallë e shumë gjeneratave që lindën dhe u rritën me ju…Të qoftë dheu i lehtë, i madhi FADIL HASA!