Edmond Kaceli: Kujdes me aeroportet!
Satirë
-Njëky Lideri ynë rozë, po e shëndrron vendin në një superfuqi aeroportuale!
Kryeministri dhe Lideri ynë i nderuar, Shkëlqesia e Tij e përndritme dhe e stërgjatë, ka shpallë, së mbrami, ndërtimin e një aeroporti të ri në Sarandë! Një aeroport turistik jashtëzakonisht i vlefshëm!
Përveçse i gjatë është edhe shumë gjatëpamës!
Më ndërtimin e aeroporteve, po ia kalon edhe të përndriturit tjetër, blu, Sali Berisha i cili e pati mbushë Shqipërinë me hidrocentrale, e centrale termo -bërthamore, duke e shëndrruar në superfut’qi energjitike!
(Historia na kujton se edhe një tjetër udhë -dreq -tues, paradhësi i këtyre të dyve! Ai dreq na e pati shëndrruar Shqipërinë në vendin më të fortifikuar në botë!)
Pas ndërtimit të aeroportit të Divjakës, ku zunë rob edhe një italian ndërsa kishte ardhë për turizëm mushkonjash, ndërtimi i aeroportit të Kukësit, dhe atij të Vlorës, janë një tjetër prioritet e sukeses madhështor i Liderit suprem!
Në takimet bythë më bythë me popullin (për ti dalluar me takimet gju më gju të Qoftëlargut) njerëzia i kërkuan, përveç ndërrimin e atleteve me këpucë, edhe ndërtimin e disa aeroporteve të tjera në disa nga fshatrat me rëndësi strategjiko -turistike për Shqipërinë.
Ringritjen e aeroportit të Gjadrit në Lezhë, e kur të kalojë për në Lezhë, t’ia fusë edhe një aeroport në fshatin Shënkoll, një aeroport në Vithkuq, një aeroport në Gruemirë, e një aeroport në KurveLesh! (Të gjithë sa për fillim!)
Për të mosditunit e thjeshtë, dhe për të mosditunit e zhvilluar, aeroporti është ajo fusha e sheshtë ku hypin e zdrypin avionët e mbushur me njerëz.
Sa për t’iu ndriçuar pak trutë: Një aeroport i madh ka nevojë për 4 km pistë; një aeroport mesatar ka nevojë për 3 km pistë; dhe një aeroport i vogël ka nevojë për 1.8 deri në 2.2 km pistë.
E me gjithë këto aeroporte që po ndërtohen, që po pritet të ndërtohen, dhe që po fantazon Lideri të ndërtohen në Shqipërinë 355 km gjatë e 150 km gjërë, në vijë ajrore, në cilin qiell do të fluturojnë!
Se me këtë ritëm do të ketë një trafik kaq të rënduar ajror, sa nuk e shpëton dot as ndërtimi i bypasse-ve qiellore.
Problemi zgjidhet vetëm nëse Gjatësia e tij, Qoftë Larg, vendos të lëshojë, pas ndërtimit të aeroporteve nëpër katundet dhe katun -qytetet shqiptare, postin e kryministrit e të marrë në dorë personalisht, komandimin e trafikut ajror në Shqipërinë superfu -qike aeroportuale!
Vetëm kështu qielli, ata që fluturojnë nëpër qiell, e ne që fluturojmë nëpër tokë do të ndiheshim të sigurtë gjatë frymëmarrjes dhe frymënxjerrjes së përditshme!