Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumenti/Si e shiti Enver Hoxha Çamërinë tek grekët?

Letra e Këshillit nacional-çlirimtar në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, drejtuar Koçi Xoxes me katër arsyet që të ndalohen çamët të kthehen në trojet e tyre. Letra pas bisedimeve me delegacionin grek që kishte ardhur në Shqipëri posaçërisht për Çështjen Çame.

camKy dokument i rëndësishëm i marrë nga Arkiva e Shtetit, hedh dritë mbi lëvizjet që janë kryer mes shtetit komunist shqiptar dhe atij grek për të penguar, popullsinë e Çamërisë për t’u kthyer në trojet e tyre. Ka një marrëveshje të Këshillit nacional-çlirimtar shqiptar me homologët e tyre në Greqi për të penguar në një farë mënyrë kthimin e  çamëve në trojet e tyre në Çamëri. Një letër që i dërgon zyrtarisht Mihal Bisha, Koçi Xoxes në 29 janar 1945, flet për detajet e kësaj marrëveshje. Janë disa arsyetime që lidhen me situatën në Greqi, sidomos në Çamëri,  të cilat janë përdorur si justifikim për të ndalur kthimin e çamëve në tokat e tyre pas luftës, megjithëse forcat zerviste kishin nisur të zbrapseshin nga Çamëria. Ja cilat janë këto pretendimet që ndalojnë çamët të kthehen në shtëpi:

1-Gjendja politike jo e qartë, mund të krijojë një përpjekje përsëri në seksion.

2) Shtëpitë janë djegur.

3) Gjendja ekonomike e keqe.

4) Opinioni i popullit s’e pret mirë akoma riardhmëninë e çamëve.

Janë këto arsyetimet që kishte paraqitur delegacioni grek, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të bërë një marrëveshje për të mos kthyer çamët në Çamëri.

Është një raport i gjatë, i cili përcjell situatën në Greqi dhe në Shqipëri, raportet mes këtyre vendeve, por edhe me Serbinë e Bullgarinë. Në dokumentin e marrë nga Arkiva e Shtetit  bie në sy parulla e përdorur: “Rroftë vëllazërimi i popullit grek, shqiptar, serb, bullgar!”.

Dokumenti, i cili i drejtohet Koçi Xoxes asokohe ministër i Brendshëm sqaron detajet e kësaj marrëveshje për të ndalur popullsinë çame të kthehet në trojet e veta në Çamëri.

Nr. 25 29.I.45

KOÇI XOXE

Dje, erdhi ktu një i dërguar i komitetit qarkor të Epirit. Gjendjen në Greqi e paraqiti të turbullt. Forca zerviste ndodhen akoma nëpër Korfuz. Çamërija ësht zonë operacioni. Biseduam për çështjen e çamërve ata e paraqisin të zorshme kthimin e çamërve në tokat e tyre. Për këtë arësye: 1) gjendja politike jo e qartë, mund të krijoj një përpjekje përsëri në seksion. 2) Shtëpitë janë djegur. 3) Gjendja ekonomike e keqe. 4) Opinioni i popullit s’e pret mirë akoma riardhmënin e çamërve. Për këtë ato propozuan që çamërit të kthehen pak nga pak. Të instalohen në zonën e pestë të Kalamatës. Nga ana tjetër pyetën e mendonin e për çështjen e çamërve mbasi i skjaruam përfunduam që dhe sikur ne të duam t’i kthejmë çamërit të gjithë për një herë s’ka mundësi mbasi ata janë instaluar në Fier, Lushnje e gjetkë. Përsa i përket se ku do të instalohen kjo ësht punë që ju përket atyre. Sot erdhën tre vetë grek të dërguar po nga komiteti qarkor i Epirit. Dhe kta e paraqitën gjendjen jo të qartë, dhe për ktë janë të mendimit të mos urdhërohet kthimi i çamërve. Këta kërkuan të ndihmohen nga neve ekonomikisht. Që të tre këta që erdhën sot duan që të vijnë aty dhe të takohen me juve. Rreaksioni në vënde që ka zaptuar po bën mobilizim të gjërë. Këto ushtrojnë edhe terrorin. Të gjitha këto lënë të dyshohet për një përpjekje të re në Greqi. Si rrjedhim dhe në Çamëri. Prandaj për të mos shkakëtuar përsëri një shpërngulje të çamërve shokët grek janë të mendimit për të mos rrjeshtohen po të lihet kufiri i lirë për t’u ardhur në ndihmë ekonomikisht. Na njoftoni mundësisht më shpejt. Si t’u përgjigjemi mbasi ato po presin këtu. Bashkë me ta ka ardhur edhe Kasipi.

Please follow and like us: