Viron Kona: Kapedani
Rrëfenjë në vargje
1.
Në Dhërmi bëhej ulliri,
dhe limoni degët plotë,
portokaj e mandarina,
veç vreshti s`bëhej dot!
Jo se vendi nuk e bënte,
toka ish plot ujë e dritë,
por sa mbilleshin fidanët,
i hanin lopët, delet,dhitë.
U mblodhën një ditë banorët,
vendosën shpejt e sy më sy:
“çdo bagëti që hynë n`vresht,
bekçiu ta vrasë pa një pa dy!”
2.
Kur s`ishte tharë boja në letër,
erdh`bekçiu lajmëroi një gjëmë,
një lopë n`vresht ai kish kapur,
lastarët e rinj i kishte ngrënë.
-Të vritet lopa! – tha kapedani,
vetëm kështu të keqen ndalim!
-Është lopa jote, – i tha bekçiu,
ç`faj ka e gjora, them ta falim..!
Të gjithë veshët në përgjim,
dhe me bisht t`syrit shihnin,
çfarë do të bënte kapedani,
do e zbatonte dot vendimin?
3.
Dëgjoni, tha kapedani, fajtorët jemi ne,
por vendimin që morëm do ta zbatojmë,
kjo ngjarje e hidhur të na bëhet mësim,
robëreshën me ceremoni do ta flijojmë!
Banorët e flijuan lopën dhe e bënë theror,
por askush s`ndihej i qetë e diç mendonte:
“Përderisa kapedani veten e tij ndëshkoi,
kush do t`guxonte vreshtin ta dëmtonte?”
Më tej punët vijuan mbarë dhe për bukuri,
lastarët e rinj hovën e bën shpejt përpjetë,
bagëtia shkonin për lezet n`kullotën e tyre,
hardhitë u bënë prush,vreshtat u bënë det.
Me disiplinë të fortë, prodhimi goxha u rrit,
tradita me nam e t`parëve t`vendit u përtëri,1)
gjithkush që dhe sot do rrush e verë të mirë,
të provojë të shkojë sa më shpejt në Dhërmi!
4.
Prej atëherë kanë rrjedhur shumë vite,
veç për një gjë banorët të paqartë janë:
lopa e kapedanit u fut vetë në vresht,
apo qëllimisht ai e futi për ta bërë kurban? 2)
————————–
1).Vreshtaria në Shqipëri ka qenë e zhvilluar që në kohët e lashta, që prej shekullit të VIII para Krishtit. Shqipëria është një ndër vendet më të vjetra të prodhimit në verës në Evropë.
2).Më të shumtët mendojnë se kapedani e futi vet lopën e tij në vresht. Duke dënuar veten e tij, s`do të guxonte më askush tjetër të dëmtonte vreshtat e fshatit. Fjala “kurban” është përdorur si sinonim i fjalës “flijim”.
* Këto vargje janë shkruar mbështetur në një rrëfenjë që e kam dëgjuar në fshatin Dhërmi afro 40 vjet më parë.