Albspirit

Media/News/Publishing

Inva Mula, koncert ndërkombëtar in memoriam në Korçë për Tefta Tashkon

Nga data 24-29 korrik nis edicioni i parë i Festivalit “Muzika Internacionale në Korçë”, një festival ky që organizohet nga diva e muzikës shqiptare, Inva Mula.

 “Festivali quhet “MIK”. Më ka pëlqyer kjo fjalë, pasi përdoret shumë, por jo aq shumë sa ne do të dëshironim. Dëshironim që të ishim mik me njëri-tjetrin, një fjalë që shqiptarët më duket se e kanë harruar. Do të dëshironim të ishim miq të artit, të projekteve të bukura dhe MIK është Muzika Internacionale në Korçë, që përkon me një fjalë që unë e kam përzemër”, deklaroi Inva Mula.

Tefta Tashko Koço do të marrë vëmendjen më të madhe në këtë festival, si një nga figurat më të mëdha të këtij qyteti, që bëri revolucion duke sjellë në Korçë jetë artistike, atëherë kur mungonte ajo.

“Të gjithë e dimë sharmin e këtij qyteti, ka diçka shumë atraktive. Të gjithë tërhiqen nga ky qytet që nuk ka as det, nuk ka as male, por ka një energji të jashtëzakonshme. Pikërisht me këtë energji të bukur korçare, donim ta përkthenim edhe në art, edhe në muzikë, në një aktivitet që uroj të ketë një fillim të mbarë këtë vit edhe mos t’i ndahet asnjëherë qytetit të bukur të Korçës”, shtoi Inva Mula.

Mbrëmja e 25 korrikut i kushtohet Tefta Tashko Koços në qytetin e Korçës.

Sopranoja e njohur Inva Mula sjell në një mbrëmje muzikore disa nga zërat e skenës lirike, që do të nderojnë figurën e sopranos Tefta Tashko Koço, ku do të interpretohen këngët e saj. Në Pazarin e Vjetër mbrëmja e 25 korrikut në Korçë shënon dhe hapjen e festivalit ndërkombëtar të muzikës MIK. Pjesë e mbrëmjes janë artistet Arlinda Morava, Klejda Tare, Zhulieta Sheremeni, Xhoi Mance dhe Kristo Sherko. Jo vetëm këngët më të bukura që janë interpretuar nga Tefta Tashko Koço janë pjesë e kësaj mbrëmje, por nuk mungon dhe një kumtesë nga studiuesi Pandi Bello.

Kush ishte Tefta Tashko Koço

Tefta Tashko Koço (2 nëntor 1910 – Tiranë 30 dhjetor 1947) një këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik.

Në vitin 1930, Tefta bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare.
Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali.

Fotografia e Inva Mula

Please follow and like us: