Fjalimi i Demaçit gjatë marrjes së çmimit “Sakharov”: Keni nderuar popullin tim
Shkrimtari shqiptar nga Kosova, Adem Demaçi, ishte 55 vjeç kur mori çmimin prestigjioz të Parlamentit Evropian, për mendimin e lirë, “Sahraov”. Atëkohë ishte kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.
Për shkak të shkrimeve dhe përcaktimeve të tij politike, 28 vjet të jetës ai i kaloi nëpër burgjet jugosllave (serbe). Iniciativën e filluan dhe propozimin e dhanë njëzeteshtatë deputetë të Parlamentit Evropian (nga i nënshkruari i parë – deputet i Parlamentit Evropian i të Gjelbërve nga Tiroli Jugor, Aleksandër Langer) dhe ngadalë pasuan gjithnjë e më shumë vota deri te Presidiumi i zgjeruar i Parlamentit Evropian,i cili edhe e mori vendimin për ndarjen e këtij çmimi Demaçit.
Bartës të deritashëm të çmimit “Sakharov” të Parlamentit Evropian ishin vetë Sakharovi, Nelson Mandela dhe Aung Sun (më pas ata fituan edhe çmimin Nobel). Nga Kosova, Sakharov kishte marrë edhe presidenti Ibrahim Rugova. Duke u falënderuar për këtë çmim të lartë para Parlamentit Evropian në Strasburg, Adem Demaçi tha:
E ZBULUAT TË VËRTETËN PËR SHQIPTARËT
Zoti kryetar, Zonja e zotërinj deputetë të Parlamentit Evropian. Në këto momente historike për Evropën dhe Ballkanin, duke më nderuar me çmimin “Sakharov” keni nderuar popullin tim të shumëvuajtur, por prore liridashës, paqedashës e krenar. Duke nderuar popullin tim, para historisë, keni nderuar edhe këtë institucion të lartë, sepse të mbrosh një popull të pafajshëm nga pushtuesit e shtypësit, gjithmonë ka qenë e është lavdi e nder i madh.
Në Librin e shenjtë thuhet: “E para ishte fjala”. Në kohën tonë mund të thuhet:”E para është fjala e lirë” si hapi i parë dhe i domosdoshëm drejt demokracisë. Pa fjalë të lirë s’ka dialog, pa dialog nuk mund të zbulohet e vërteta, kurse pa të vërtetën nuk ka progres.
Zoti Kryetar, zonja e zotërinj deputetë, falë fjalës së lirë ju e zbuluat të vërtetën e hidhur për shqiptarët në Jugosllavi. Pikërisht se fjala e Lirë e shpartallon errësirën, flak tutje mjergullën dhe çjerr të gjitha maskat. Të gjithë pushtuesit e puçistët, punën e parë që e bëjnë është robërimi i fjalës. Prandaj të gjithë ata që janë ithtarë të fjalës së Lirë, të gjithë ata që janë, të them me një fjalë pak si poetike – dashnorë të fjalës së Lirë, kanë qenë e janë të përndjekur, të dënuar e të burgosur, të ekzekutuar e të masakruar nga robërues të fjalës së lirë.
Por, zoti Kryetar dhe Ju, zonja e zotërinj deputetë të Parlamentit Evropian, do të guxoj të them se edhe ju të gjithë jeni dashnorë të fjalës së Lirë dhe prandaj më keni ftuar që në këtë sallë të mrekullueshme ta dëgjoni tingullin e fjalës së Lirë shqiptare. Mirëpo, më vjen keq që nuk kam fatin t’ju them asnjë fjalë të gëzuar e të ëmbël nga hapësirat e asaj që ende i thonë Jugosllavi. Në Kosovë pushtuesit serbomëdhenj, hegjemonistë e militaristë, përmes dhunës më të egër, po i presin një nga një arteriet jetëdhënëse të popullit shqiptar duke rrënuar pa mëshirë e plotësisht sistemin informativ, arsimor, shëndetësor, kulturor, sistemin bankar-financiar, sistemin ekonomik, juridik dhe përfundimisht u gjet i rrënuar e i shkallmuar i tërë sistemi politik. E tërë Kosova është shndërruar në një megaburg ku shqiptarët nuk gëzojnë as sigurinë më të vogël fizike, as juridike.
Duke çmuar kohën tuaj, nuk mund të ndalem tani në hollësira, por Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nga Kosova, përditë dërgon në shumë qendra të botës informata të argumentuara.
As në Maqedoni, shqiptarët ende nuk po trajtohen në frymën e plotë demokratike, në Mal të Zi, gjendja e shqiptarëve është edhe më e keqe, kurse populli boshnjak është gjithashtu viktimë e hegjemonizmit serbomadh.
Por, zonja e zotërinj të nderuar, dashnorët e fjalës së lirë janë dashnorët më të pasionuar, dashnorët më të flaktë që njeh bota, prandaj edhe janë të pathyeshëm e sypatrembur.
Njëri nga këta dashnorë të panumërt të fjalës së lirë ishte edhe akademiku Andrej Sakharov, të cilin as izolimet, as syrgjynosjet, as acari i Siberisë nuk qenë në gjendje ta ndanin nga fjala e lirë. Fjala e lirë e këtij kolosi e kampioni të humanizmit, hapi rrugën e Lirisë për shumë njerëz e shumë popuj në Perandorinë Sovjetike. Sakharovi ndërroi jetë me fjalën e lirë në gojë, por ai vdiq, sepse fjala e lirë nuk i tradhton dashnorët e vet, ajo mbetet përgjithmonë me ta dhe i bën të pavdekshëm.
Edhe vëllëzërit e mi Mandela e Marçenko, janë dashnorë të fjalës së lirë, si edhe zoti Dubçek; edhe motra ime Aung San Suu është një dashnore e madhe e fjalës së lirë; prandaj që të gjithë edhe u nderuan në mënyrë dinjitoze nga ky forum i lartë.
Sa për tragjedinë të cilën është duke e përjetuar populli mik kroat, besoj se nuk ka nevojë të them ndonjë fjalë. Kasaphana rrëqethëse që është duke u zhvilluar në hapësirat e Kroacisë është në fokusin e mediumeve informative ndërkombëtare. Bota mbarë është shumë e çmeritur dhe nuk mund t’u besojë syve e veshëve të vet se si është e mundur që në këtë kohë, në zemër të Evropës, pas konferencave të Helsinkit, të Parisit, të Kopenhagës, të Moskës, të ndodhin gjëra kaq pikëlluese. Bota me të drejtë pyet si është e mundur që pikërisht në Jugosllavi, e cila është nënshkruese e Kartës së OKB-së, nënshkruese e Kartës së Parisit e të dhjetëra e dhjetëra konventave e Marrëveshjeve ndërkombëtare mbi të drejtat dhe liritë e njeriut e të popujve, si është e mundur që pikërisht në këtë vend të ndodhin gjëra kaq monstruoze. Bota pyet, si është e mundur që pikërisht pas fillimit dhe gjatë zhvillimit të Konferencës paqësore në Hagë, lidhur me Jugosllavinë, plasën dhe u zhvilluan luftimet më të përgjakshme në hapësirën e Kroacisë.
Pa e kuptuar esencën dhe karakterin e pushtetit të sotëm serbomadh e militarist, as këto gjëra nuk mund të kuptohen, prandaj më lejoni që me pak fjalë ta jap ndihmesën time modeste për sqarimin e këtij problemi. Pushteti i sotëm serbomadh e militarist është i gërshetuar, përveç tjerash, edhe nga tri komponente kryesore: nga burokratët, nga parazitët dhe mafiozët. Burokratët nuk munden dhe as guxojnë të shikojnë as majtas as djathtas për të parë se ç’faktorë të rinj janë shfaqur brenda vendit dhe në arenën ndërkombëtare; burokratët nuk munden as nuk guxojnë të bëjnë analiza objektive, të gjithanshme e të thelluara, duke pasur parasysh të gjithë këta faktorë të rinj. Ata nuk guxojnë, se një analizë e këtillë do të kërkonte nga ata që të hiqnin dorë nga objektivi i tyre i përcaktuar që më parë të mbeten në pushtet përgjithmonë.
Parazitët, nuk munden as nuk duan të ndahen nga jeta plot privilegje e përfitime, të ndahen nga parajsa të cilën e kanë ndërtuar mbi mjerimin dhe varfërinë e popullit.
Mafiozët, për t’i arritur të gjitha këto nuk zgjedhin mjete, i shembin të gjitha urat prapa vetes dhe tërë popullin e vet e shtyjnë dhe e detyrojnë të bëhet kriminel kolektiv. Në Kosovë e bëjnë këtë duke i shkelur shqiptarët, duke i zëvendësuar shqiptarët e flakur nga puna me serbë, duke ua marrë shqiptarëve të gjitha të drejtat njerëzore e kombëtare, i kanë konfrontuar keqas dhe në mënyrë të rrezikshme këta dy popuj, kurse në Kroaci përmes një propagande të shfrenuar, të gjithë serbët e atjeshëm i frikësuan, i hipnotizuan dhe i bindën se ata atje ishin gjoja të rrezikuar nga pushteti i ri demokratik kroat. Pastaj i cytën me të gjitha mjetet duke mos ngurruar edhe para shantazheve më të ndyra, i armatosën deri në dhëmbë me armët më moderne dhe i hodhën serbët në luftë totale kundër popullit kroat. Në këtë mënyrë, duke rregulluar tërësisht marrëdhëniet e bashkëjetesës me kroatët vendas, serbëve të atjeshëm nuk u mbetet mbështetje tjetër përveç Serbisë dhe armatës jugosllave. Dhe ky është njëri nga burimet e luftës për jetë a vdekje ndërmjet serbëve dhe kroatëve. Të njëjtën gjë parazitët serbë janë duke e përgatitur edhe në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë e Maqedoni.
Zoti Kryetar, zonja e zotërinj deputetë,
Dëshiroj të besoj se nuk do të më qortoni për dëshirën time të flaktë që ta forcoj me ju miqësinë duke Ju bërë të ditur edhe ndonjë veprim Tuajin që ne shqiptarëve, nuk na duket i drejtë.
Për lëshimet që i ka bërë dikur Evropa, Serbisë, në kontekst të ngjarjeve e rrethanave të atëhershme, Evropa e ditëve tona nuk është dhe as nuk mund të jetë fajtore, por për rastin më të freskët, për Konferencën e Paqes për Jugosllavinë në Hagë, nuk më duket se është krejt pa gjynahe.
Dihet se udhëheqja serbe, si kusht për pjesëmarrjen e saj në konferencën e Hagës, pat shtruar kërkesën që në këtë konferencë të mos ftoheshin përfaqësuesit legjitimë të tre milionë shqiptarëve, përfaqësuesit e Krahinës së Kosovës, e cila gjatë gjithë kohës së ekzistencës së kësaj Jugosllavie, ishte element ndërtues e konstitutiv i kësaj bashkësie. Një kërkesë e tillë e Serbisë është pritur gjithsesi, por një pajtim me këtë kusht nga Bashkësia Evropiane nuk është pritur kurrsesi. Ky lëshim joparimor që i bëri Evropa Serbisë, krijoi tek pushtetmbajtësit hegjemonistë serbomëdhenj, iluzionin se Serbia qenka fuqi e madhe dhe se mund të konfrontohet edhe me Bashkësinë Evropiane. Ja edhe një burim i përpjekjeve të dëshpëruara të hegjemonizmit serbomadh, për ta vazhduar luftën me shpresë se edhe pse bën një luftë pushtuese e të pamoralshme, edhe mund të ndodh që ai të dalë fitimtar.
Zoti Kryetar, zonja e zotërinj,
Ne e kemi plotësisht të qartë se edhe Bashkësia Evropiane është gjendur para një problemi tejet delikat e të ngatërruar: si të shkarkohen nga pushteti burokratët, parazitët e mafiozët serbë e malazezë e të mos dëmtohen në tërësi popujt e Jugosllavisë, përfshirë edhe popujt serb e malazez, të cilët edhe vetë edhe janë duke hequr të zitë e ullirit nga ky pushtet i mallkuar. Ua bëjë të ditur me kënaqësi të posaçme, se në Serbi e Mal të Zi, përkundër kushteve tejet të vështira, janë duke vepruar me guxim demokratë të vërtetë si arkitekti Bogdan Bogdanoviç, profesori Zhivotiç, poeti i guximshëm Jevrem Bërkoviç, regjisori i talentuar Llazar Stojanoviç, profesoresha zonja Zagorka Golluboviç, avokati Sërgja Popoviç e shumë të tjerë.
Siç shihet, në Jugosllavi, ka probleme të mprehta e fort komplekse, mirëpo unë kam besim të plotë se Bashkësia Evropiane ka potenciale kolosale njerëzore e materiale, për t’i zgjidhur të gjitha problemet që shtrohen para Evropës së sotme.
Prandaj, zoti Kryetar dhe ju, zonja e zotërinj të këtij forumi të lartë, në emër të të gjithë djelmoshave të të gjitha kombeve që masakrohen në këto luftëra absurde e anakronike, në emër të nënave e baballarëve jo vetëm shqiptarë, por edhe atyre serbë e malazezë, kroatë e boshnjakë, hungarezë e maqedonasë, në emër të të gjithë prindërve që humbin krijesat e tyre më të dashura nëpër luftërat shkatërruese, ju lutem shumë që ta vëni në lëvizje tërë energjinë Tuaj që ta ndalim së bashku gjakderdhjen e panevojshme dhe ta largojmë një herë e përgjithmonë nga skena politike bastionin e fundit të diktaturës ushtarako-policore, të regjimit shovinist e hegjemonist serbomadh, ta tejkalojmë përgjithmonë rrezikun e një lufte shfarosëse ballkanike e evropiane.
Zoti Kryetar, zonja e zotërinj,
Më lejoni që ta përfundoj fjalën time me një mendim të thellë të një miku tim të sinqertë që thotë: “Logjika e blloqeve bllokon logjikën”. Prandaj ju thërras juve dhe gjithë botën; le t’i flakim tej të gjitha blloqet, ato raciale, fetare, kombëtare e ideologjike dhe midis popujve e njerëzve të ndërtojmë rrugë të bashkëpunimit, të respektimit të interesave të ndërsjella, të hapim shtigjet e dashurisë e të harmonisë gjithënjerëzore, që ta krijojmë një botë në të cilën të gjithë njerëzit do të jetojnë pa frikë, pa privime dhe me të drejta të barabarta njerëzore e kombëtare.
Faleminderit për mirësinë dhe vëmendjen tuaj.
4 dhjetor, 1991
Adem Demaçi