Albspirit

Media/News/Publishing

Ilnisa Agolli: S’I KEMI HUMBUR TË GJITHA

Ky ishull digjte vape më shumë se vitin e shkuar
na u deshën shumë vjet për të kuptuar se njeriu përqëndrohet vetëm kur fle dhe se gjumi është një udhëtim që nuk falenderojmë asnjëherë në mëngjes
Homeri e bënte
Ai e dinte se ne do e kujtonim vetëm në fund
atëherë kur do të kuptonim Lestrigonët
Natyrisht , edhe ata në fund
njësoj si Odiseu
pasi humbi gjithë shokët dhe anijet në Siçili
për faj të tyre
Këtij populli legjendar njerëzngrënës
që përbuzte vapën dhe vorbullën e këstit në mbarim korriku
duke mezipritur nepsin e gushtit
të cilin e kalëronte në heshtje spartane
ç’do vit më shumë se vitin e shkuar
ndërsa ne,
ne na u deshën shumë të tilla
shumë ditëlindje
shumë humbje dhe dhurata
për të kuptuar se në ishull;
në ishull në fakt nuk ka diell
as tokë
as qiell
E gjitha kjo , ndërsa diçka prapë bën zhurmë;
njëjta zhurmë si macja që dëgjon pas një darke ku kupton se nuk mundesh më të mashtrosh;
Sepse Bukowski nuk u soll kurrë si qytetar
Dhe hapat e tim eti duke dalë nga banja
eksitojnë gjysmëterrin e fantazmave nëpër shtëpi;
vetëm se nuk e vajisi kurrë atë dreq dere
me atë bravë që më kërcëllet nofullës
porsi sedra e tij
Apo si çimçakizët e ngjitur poshtë krevatit tim
të cilët ,
nuk e di pse më kujtojnë pritjen e dashurisë
E gjitha kjo, dërsa jam e pasigurt
pse ai i quan “çamçakëz”
dhe jo shpëtues
Megjithatë; ai nuk do i lexojë këto rrjeshtë
dhe unë e di arsyen
Nuk i njeh Lestrigonët
dhe hamendëson se jetojnë në çmendinë
Apo se quhet prej vitesh Gon
dhe nuk e di që më therr ideja se një ditë
më njeh dëshirën ndaj detit
Deti më ngre ëndrra nëpër ishuj që djegin
si shishet e etjes
që ngadalë humba rrugëve të jetës
Sepse alkoli dhe cigaret
nuk e dija që për Lestrigonët ishin imja busull
Dhe busulla shtrohet në det
dhe deti është tryezë
dhe tryeza një qen pas mesnate
me katër putra vetmie
duke u endur në një vend që djeg
I cili,
është gjithmonë një ishull mendimesh
Njëfarësoj realiteti,
që rëndon mbi vogëlsinë tonë vetëm kur flemë
Më shumë se vitin e shkuar
dhe askush nuk e vë re
As hapat e tim eti
As të mijat
As të të tuat

Vetëm të Melapodit
Këtij falltari grek
që më në fund sot pranoi të bëj një fotografi
për të shpallur zotësinë e tij profetike
Ndaj së cilës ne na u deshën shumë vjet ta kuptonim
atë që në fakt ai dhe im at’
mbase nuk tha kurrë:
“Gjuha e bravës dhe e krimbave djeg”
E, pasi djeg
humb
Humb ç’do vit më shumë se vitin e shkuar çarçafëve të Homerit
që e dinte këtë sekret
Andaj nuk harroi kurrë të
thoshte faleminderit dhe natën e mirë
hoteleve të tij netëve pa hënë
Andaj dhe Odiseu i humbi të gjitha përveç vetes
Si ne;
që vetëm tani i kuptojmë krahët e korbave
tek përpëliten valixhes
për të dalë nga ky qytet që djeg zemëruar
ndaj paditurisë tonë që pret

Sikundër një ishull
diellin të gdhihet;
dhe gojët e kyçura të këndojnë një këngë
që Lestrigonët nuk mundën kurrë.

Please follow and like us: